Serbia shkelë Marrëveshjen e Brukselit: Kundërshton Kosovën në KiE, i kërcënon shtetet që votuan pro
Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrdhëniëve me Kosovën, duke votuar kundër vendimit për ta dërguar kërkesën e vendit tonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës tek Asambleja Parlamentare. Por, shteti serb nuk është mjaftuar me kaq. Liderët serbë kanë vazhduar të pretendojnë se përfaqësojnë shtetin kosovar në arenën ndërkombëtare dhe kanë kërcënuar shtetet që kanë votuar në favor të Kosovës. Në lidhje me votimin e Serbisë në KiE, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se institucionet e Brukselit janë në dijeni se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“BE-ja është në dijeni që Serbia ka votuar kundër kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës”, tha ai.
Neni 4 i Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit
Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Lobimet dhe kërcënimet kundër Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket se ka injoruar nenin 4 të Marrëveshjes bazë, teksa ka kërcënuar shtetet që kanë votuar pro Kosovës në KiE, duke pretenduar se këto vende nuk e kanë respektuar integritetin territorial të Serbisë.
“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, ka thënë Vuçiq, raporton Radio Evropa e Lirë.
Tutje, në të njëjtën linjë të mendimit, ai ka thënë se Serbia është mirënjohëse ndaj vendeve që kanë votuar kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke veçuar Hungarinë.
“Ne i jemi mirënjohës sidomos Hungarisë. Ata [hungarezët] kanë dëshmuar se janë miqtë më të mëdhenj të Serbisë”, u shpreh Vuçiq.
“Faleminderit Spanjës, Qipros, Rumanisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, që kanë votuar për të mbështetur Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb është shprehur i pakënaqur edhe me shtetin e Ukrainës, po për këtë shtet nuk dihet nëse do të vlejë reciprociteti që paralajmëroi me herët Vuçiqi, për shtetet që kanë votuar në favor të shtetit Kosovar.
“Ka pasur zhgënjim. Serbia kurrë nuk ka qenë e përmbajtur ndaj integritetit territorial të Ukrainës”, ka thënë Vuçiq.
E kërcënues ndaj shteteve që kanë votuar pro Kosovës në KiE, ka qenë edhe Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.
Daçiq, ka kërcënuar Malin e Zi, pasi shteti malazez votoi pro aplikimit të Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës.
“Mali i Zi ka mundur të paktën të përmbahej. Duhet të veprojmë me reciprocitet. Mali i Zi ka votuar për pranimin e Kosovës. Edhe atyre do t’u duhet ndonjëherë vota jonë, në të cilën sigurisht që s’mund të llogarisin”, ka thënë Daçiqi, raporton “N1”.
E shefi i diplomacisë serbe, ka qenë më i ashpër më kërcënimin ndaj shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e përmendur çështjën e “integritetit territorial”.
“Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, a ka pasur ndonjëherë në fjalimin tim rast që të mos përmendim integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës? Tash kur dikush të na pyes, ne do të përmbahemi. Pra, pse ne do të ishim për integritetin territorial të Bosnjës dhe ata të abstenojnë”, ka deklaruar më tej Daçiq.
E, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka shkelur “edhe një herë” Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e propozuar nga BE-ja, pra Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e Zbatimit të saj.
Me anë të një postimi në Twitter, Bërnabiq i ka reaguar zëdhënësit të Komisionit Evropian Peter Stano.
Ajo ka thënë se BE poashtu ka shkelur Kartën e Kombeve të bashkuara, Statutin e Këshillit të Evropës dhe Rezolutën 1244.
“Për informimin e partnerëve tanë të BE-së, Serbia merr parasysh edhe faktin se BE-ja edhe një herë ka shkelur drejtpërdrejt: Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e propozuar nga BE-ja dhe Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Statutin e Këshillit të Evropës, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244”, ka thënë Brnabiq.


