Rritet numri i deputetëve të LV-së që s`janë të kënaqur me kryeministrin Kurti - NACIONALE

Rritet numri i deputetëve të LV-së që s`janë të kënaqur me kryeministrin Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Grupi Parlamentar i LV-së dukej shumë unik, ndonëse në brendi kishte deputetë të rrymave të ndryshme politike. Me kalimin e kohës, filluan të shfaqeshin fërkimet dhe dallimet. Pa kaluar dy vite qeverisje, pakënaqësitë kanë dalë në sipërfaqe.

Deri me tani, katër deputetë të partisë në pushtet i kanë shprehur hapur pakënaqësitë e tyre ndaj kryeministri Albin Kurti, raporton gazeta Nacionale.

Ndonëse kritikat e tyre kanë të bëjnë me fusha të caktuara të qeverisjes, kryeministri Kurti i ka shpërfillur ato. Deri me tani, ai ka shpërfillur çdo kritikë që i është bërë nga deputetët e tij dhe ata të opozitës.

Deputeti i fundit, që e ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj kryeministrit Kurti, është Eman Rrahmani.

Përmes një postimi në profilin e tij në "Facebook", ai ka lënë të nënkuptohet që Qeveria duhet të bashkërendohet me ShBA-në për çështjen e targave.

"Garanci e plotë për integritetin, sovranitetin, zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës është koordinimi e bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Ne duhet të dëshmohemi me punë konkrete, planifikimin dhe bashkëpunim të mirëfilltë në interes të shtetit dhe qytetarëve të vendit tonë, pa dallim"- ka shkruar ai.

Një ditë më parë, kolegu i Rrahmanit, Visar Korenica, e ka shprehur edhe më hapur pakënaqësinë me shefin e tij.

Gjatë një interviste në emisionin "Pressing" në T7, ai ka thënë se Qeveria ka ngecur në shumë fusha.

"Më shumë i pakënaqur sesa i kënaqur"- ka thënë ai, kur është pyetur se sa i kënaqur është me Qeverinë Kurti.

Me tej, ai i ka përmendur fushat në të cilat, sipas tij, ka ngecur Qeveria.

"Sa i përket qeverisjes qendrore, unë mendoj se ka stagnime në shumë fusha. merre arsimin, merre shëndetësinë, merre sektorin ekonomik, ku kemi shumë pak investime të huaja. Unë uroj që dyvjeçari që po e lemë, të jetë reflektim për qeverisjen që duhet me marrë hapa radikalë me i vendos njerëzit e duhur dhe adekuatë në pozicione"- ka thënë Korenica, duke shtuar se qeverisja nuk po ec mirë.

Gjithashtu, ai ka e fajësuar Kurtin edhe për shkak të largimit të tij nga pozita e koordinatorit të qendrës së LV-së në Rahovec.

Sipas tij, kjo është bërë vetëm për shkak të qëndrimit të tij kundër Kodit të ri Civil.

Shkarkimi ka ndodhur në muajin prill pas mosvotimit të Kodit Civil nga ana ime. Prej muajit prill e deri para emërimit të koordinatorit të ri, nuk e kam parë të arsyeshme të flas për këtë. Mua më është komunikuar vendimi me e-mail, se kryesia e VV-së ka marrë vendim për me ju liru nga pozicioni të koordinatorit"- është shprehur Korenica.

Humolli dhe Abazi e thyen akullin

Deputeti i parë i LV-së, që guxoi të ngrihej kundër qëndrimeve të partisë dhe kryeministrit, ka qenë Fatmir Humolli, i cili është deputet i kësaj partie, ndonëse nuk është anëtar i LV-së.

Fillimit, ai e ka kritikuar Qeverinë për mospërkrahjen e projektligjit që do t’ua mundësonte qytetarëve tërheqjen e një pjese të parave të Trustit.

Më pas, ai e ka kritikuar Qeverinë edhe për përjashtimin e veteranëve të UÇK-së prej projektligjit për rritjen e pagës minimale.

Se fundi, ai ka votuar edhe kundër projektligjit për buxhetin e vitit 2023, i cili është miratuar dje në lexim të parë.

Gjatë debatit, ai i ka treguar arsyet se pse është nuk është për ketë projektligj.

Nuk kam mujtë me vërejtë a është i djathtë apo i majtë. Për shkak se jam pjesë e Komisionit të Mbrojtjes, po ndalem këtu. Ky projekt-buxhet e pengon motivin për sigurinë e vendit, duke i anashkaluar veteranët, duke e anashkaluar sigurimin e Policisë e FSK-së” - ka thënë Humolli, duke u deklaruar kundër projektligjit.

Në kohën kur Serbia na kërcënohet me polici, ushtri e grupe mafioze në pjesën veriore. Jam deklaruar edhe para anëtarëve të VV-së se nuk do ta votojë këtë buxhet, pasi nuk ka të drejtë askush me i anashkalu këto vlera” – është shprehur ai.

Ndërsa deputeti Haki Abazi, që në Qeverinë Kurti 1 e kishte pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, e ka kritikuar Qeverinë për politikën e jashtme.

Abazi, i cili e drejton Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, ka thënë që Qeveria i ka injoruar iniciativat e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është karta dhe çelësi për Serbinë për të rrëzuar nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të Berlinit, si dhe për ta mbajtur minimumin e presionit ndërkombëtar për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”- ka thënë Abazi.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të ndërmarrë hapa urgjent në fushën e politikës së jashtme.

Është urgjente që t’u kthehemi tavolinës së dizajnimit të politikës së jashtme dhe qëndrimeve të analizuara mirë për t’i rikthyer marrëdhëniet dhe për t’i arritur objektivat tona në interes të shtetit dhe publikut”- ka deklaruar ai.

Ankesat ndaj Mimoza Kusari-Lilës

Deputet që i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj Qeverisë dhe kryeministrit, janë ankuar edhe ndaj ushtrueses së shefes së grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

I pari që e ka bërë këtë, ka qenë deputeti Haki Abazi.

Një deputet të udhëheqë një grup parlamentar kaq të madh, është problematike, sepse dinamikat brenda Lëvizjes e bëjnë po ashtu komplekse përfaqësimin e grupit parlamentar”- ka deklaruar Abazi.

Ai është shprehur i bindur se grupi parlamentar i LV-së ka deputetë që këtë pozitë do ta ushtronin më mirë. “Unë mendoj se ka njerëz që janë brenda grupit parlamentar, që kanë edhe aftësi më të mëdha, edhe durim më të madh, edhe kapacitet për ta udhëhequr grupin parlamentar drejtpërsëdrejti”- ka deklaruar Abazi.

Ankesa ndaj Kusarit ka pasur edhe deputeti Korenica.

Personalisht jo, sa u përket relacioneve shefe dhe deputet. Por kam pasur pakënaqësi me mënyrën se në shumë raste nuk është menaxhuar mirë situata brenda grupit parlamentar dhe ka krijuar pakënaqësi brenda deputetëve, apo nuk janë marrë për bazë kërkesat e tyre"- ka thënë Korenica.

Ai ka thënë se e ka votuar, sepse është propozuar nga Albin Kurti.

Ai ka bërë me dije se në grup nuk ka pajtueshmëri paraprake për projektligjet që sillen për miratim në Kuvend.

"Sillet një projektligj për votim dhe nuk ka dakordësi paraprake për atë. Ka pasur raste të tilla që nuk është pranuar propozimi i dikujt që me pasë kujdes për çështje të caktuar dhe është vepruar pa miratim"- ka thënë Korenica në emisionin “Pressing”.

Paralajmërimet e opozitës

Partitë politike opozitare më herët kishin paralajmëruar se brenda grupit parlamentar të LV-së ka shumë pakënaqësi.

Madje deputetët e LDK-së dhe PDK-së në paralajmërimet e tyre kishin thënë se do të ketë edhe largime të deputetëve nga partia në pushtet.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kohë më parë kishte deklaruar se tetë deputetë të LV-së mund t`i bashkohen LDK-së. “Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime. Janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur në Grupin Parlamentar të LDK-së”- ka thënë Gashi.

Kurse deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kishte dhënë një tjetër shifër për largimin e deputetëve të partisë në pushtet. “Për këto tetë vota përgjigjen më të mirë do ta jepte Arben Gashi. Pas këtyre fjalëve, fola me disa deputetë të mazhorancës. Ata më thanë se ka dyshime për katër prej deputetëve, por jo 8. Pra mund të ketë katër deputetë që mund të ikin prej VV-së dhe t’u bashkohen subjekteve tjera. Por për më shumë, pyeteni vetë Arben Gashin”- tha ai.

Nuk kishte shkuar shumë gjatë dhe deklaratat e deputeti të LDK-së, Arben Gashi, ishin konfirmuar.

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili iu bashkua grupit parlamentar të LDK-së, duke u larguar nga Lista Guxo dhe Grupi Parlamentar i LV-së.

Lajme të ngjashme