Dje Korenica, sot Rrahmani, po nesër? - NACIONALE

Dje Korenica, sot Rrahmani, po nesër?

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Përveç se janë kolegë nga partia e parlamenti, Visar Korenica e Eman Rrahmani janë miq të mirë edhe jashtë. Është e dukshme. Dhe e natyrshme për më tepër.

Megjithatë, diçka tjetër i ka karakterizuar dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në 24 orët e fundit: rrugëndarja me kryeministrin. Ose thënë më mirë: rruga e ndarjes e vërejtur në horizont.

Kur përmendim fjalën ndarje nënkuptojmë atë politike dhe për një çështje të caktuar.

Ishte vet Korenica që mbrëmë në një paraqitje televizive konfirmoi shkarkimin nga pozita e koordinatorit të degës së VV-së në Rahovec.

Në një intervistë dhënë T7-shit, ai e pranoi se shkarkimi i tij erdhi për shkak të qëndrimit kundër Projektkodit Civil, temë kjo e shumëpërmendur.

Madje, ai dha edhe detaje shtesë, duke thënë se Kurti ia kishte kërkuar dorëheqjen, por që ky nuk kishte pranuar.

Dhe me të refuzuar dorëheqjen, Korenica në muajin prill të këtij viti pranoi një postë elektronike, ku iu konfirmua shkarkimi. Kuptohet, në fund nuk mungoi as falënderimi për kontributin.

“Shkarkimi ka ndodh në muajin prill pas mosvotimit të Kodit Civil nga ana ime. Prej muajit prill e deri para emërimit të koordinatorit të ri, nuk e kam parë të arsyeshme të flasë për këtë. Mua më është komunikuar vendimi me email, se kryesia e VV’së ka marrë vendim për me ju liru nga pozicionit të koordinatorit, ju faleminderit për kontributin tuaj deri tashmë", tha Korenica.

Sot

Përderisa mbrëmë Korenica shpalosi gjithçka që ndodhi brenda partisë në një periudhë të caktuar e që në bërthamë kishte nismën e Ministrisë së Drejtësisë për Projektkodin Civil, ligj ky që parasheh martesat mes seksit të njëjtë, qëndrimet kundër shefit të partisë sot i vazhdoi edhe Rrahmani.

Në fakt Rrahmani ishte kundër Kurtit edhe në çështjen e grevës së sindikalistëve.

Para pak çastesh, përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Rrahmani kritikoi Kurtin, të paktën tërthorazi, pra duke mos ia përmendur emrin.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës shkroi se ShBA-të janë garanci e plotë për integritetin, sovranitetin, zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës, duke marrë kështu pozicion të qartë në debatin nëse Qeveria duhet t'i dëgjojë rekomandimet e Ambasadës Amerikane, ani pse përgjigja do duhej të nënkuptohej fare lehtë.

"Garanci e plotë per integritetin, sovranitetin, zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës është koordinimi e bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!Ne duhet të dëshmohemi me punë konkrete, planifikimin dhe bashkëpunim të mirëfilltë në interes të shtetit dhe qytetarëve të vendit tonë, pa dallim".

Ky postim i Rrahmanit u vërshua nga shumë komentues, që kryesisht janë aktivistë apo edhe militantë të partisë në pushtet.

Po nesër?

Vështirë të dihet. Ajo që mund të potencohet me plot gojë është fakti se kryeministri Kurti e ka goxha problem menaxhimin e të gjithë deputetëve.

Korenica e pranoi, Rrahmani e vazhdoi sot, mbetet të shihet se cili është deputeti ose deputetja i/e radhës i/e kësaj fryme, pra konservatore që do ta konfirmojë "pakënaqësinë" me shefin e ekzekutivit. Duhet thënë, ka edhe të tjerë që janë paraqitur kundër tij, por jo për këtë çështje. Të paktën deri tani, pasi premisat janë ekzistente.

Kujtojmë kryeministri i Republikës së Kosovës tashmë ka përfunduar vizitën edhe në Gjermani, ndërsa pritet të marrë rrugë për në Estoni.

Përderisa ai 'shëtitet' në kontinentin e vjetër, dy kolegët e tij por që ulen në pjesën përballë të Kuvendit, Lumir Abdixhiku e Memli Krasniqi, janë duke zhvilluar takime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajme të ngjashme