Dalin në pah përplasjet e brendshme të VV-së, Projektkodi Civil kryefjalë - NACIONALE

Dalin në pah përplasjet e brendshme të VV-së, Projektkodi Civil kryefjalë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka filluar me "eliminimet" në parti shkaku i Projektkodit Civil.

Këtë veçse e kishte pranuar ditë më parë në një prononcim për Nacionalen edhe deputeti aktual i kësaj partie, Visar Korenica. I njëjti ndërkaq, sonte dha detaje shtesë.

Korenica, përveç pozitës së deputetit, ushtronte edhe atë të koordinatorit të degës së VV-së në Rahovec, megjithatë jo nga prilli e këtej.

Kjo pasi, siç e tha vet ai, në atë muaj pranoi postën elektronike ku iu konfirmua shkarkimi i tij.

Madje, ai e pohoi faktin se Kurti fillimisht ia kishte kërkuar dorëheqjen, por refuzimi i deputetit detyroi kryeministrin ta marrë vendimin për shkarkim, dhe kuptohet, falënderimin për kontributin e deritanishëm.

“Shkarkimi ka ndodh në muajin prill pas mosvotimit të Kodit Civil nga ana ime. Prej muajit prill e deri para emërimit të koordinatorit të ri, nuk e kam parë të arsyeshme të flasë për këtë. Mua më është komunikuar vendimi me email, se kryesia e VV’së ka marrë vendim për me ju liru nga pozicionit të koordinatorit, ju faleminderit për kontributin tuaj deri tashmë", tha Korenica në T7.

"Islami politik"

Projektkodi Civil është një nga temat më të zgjeruara nga redaksia jonë. Madje, kjo qe bërë parësore edhe në njërin prej episodeve të Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Autori i saj, Berat Buzhala, duke u thirrur në burimet e tij, deklaronte se Kurti thuhej t'i ketë "kërcënuar" deputetët e tij me votimin e këtij kodi, ndryshe do ta dërgonte vendin në zgjedhje.

Por, sipas gazetarit, ata nuk e votojnë një kod të tillë. Kjo pasi, gjithnjë sipas kreatorit dhe ideatorit të Ditarit, ata janë në Kuvend për ta shtyrë përpara agjendën e tyre, atë që iu referua si "islami politik".

“Në çdo pushtet ka pasur deputetë fetarë. Si në kohën e LDK-së, si në kohën e PDK-së. Kanë qenë 1 ose 2, në rastin më të mirë. Tash janë më shumë. Se fitoi më shumë. Thuhet që në njërën prej mbledhjeve me grupin parlamentar, i ka shiku në sy këta deputetë edhe iu ka drejtu me fjalët: Kalomani Kodin Civil ose e çoj vendin n’zgjedhje. Po nuk ta kalojnë Kodin Civil. Se këta nuk janë aty për me ta kalu Kodin Civil. Këta janë aty për me shty agjendën e vetë. Janë aty për islamin politik”.

Spastrimet

Projektkodi Civil ka qenë nismë e ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Megjithatë, deputetët konservatorë të Lëvizjes Vetëvendosje, e që dyshohet të jenë të udhëhequr nga Eman Rrahmani, kanë refuzuar kategorikisht votimin e këtij ligji.

Gjithsesi, duhet përmendur faktin se jo veç deputetët u bënë "viktimë" të këtij Projektkodi.

Beni Kizolli, ish-kandidat për deputet i LVV-së, ishte i pari që publikisht shkroi për “eleminimin” e tij nga gara për kryetar të degës së LVV në Prizren.

Ai ishte shprehur se ishte deklaruar kundër projekt-kodit civil, pasi ishte pyetur për qëndrimin e tij për martesat e seksit të njëjtë.

Eleminimit e tij, ai e quante vendim arbitrar.

E pas Kizollit, dolën edhe disa aktivistë të tjerë që publikisht njoftuan se janë eleminuar nga gara e brendshme për shkak të qëndrimit të tyre refuzues ndaj projekt-kodit civil.

Shkëlzen Bislimi, ish-aktivist i LVV-së, në një intervistë për Nacionale, e kishte cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje si “parti islamofobe”.

Kujtojmë që në nivel qendror, Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar garën e brendshme partiake. Natyrisht, nuk kishte risi në kreun e saj, pasi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, u zgjodh edhe për një mandat si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, nënkryetar i partisë më të madhe në vend u zgjodh Glauk Konjufca, që është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës. E sekretar organizativ, që është një nga pozicionet më të rëndësishme në LVV, për befasinë e shumëkujt, u zgjodh Alim Rama, që po ashtu përfaqëson këtë parti në Komisioni Qendror Zgjedhor.

Lajme të ngjashme