Ukraina pajtohet që të eksportojë dronë në ShBA për planin e Pentagonit
Ukraina është pajtuar që të eksportojë dronë në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në programin e Pentagonit, “Mbizotërimi me Dronë”, i tha të mërkurën agjencisë “Reuters” një burim i afërt me çështjen.
Marrëveshja vjen në kohën kur Kievi dhe Uashingtoni kanë qenë duke negociuar një marrëveshje më të gjerë për dronët ajrorë ukrainas, suksesi i të cilëve në luftën kundër Rusisë ka nxitur kërkesë të madhe nga shtetet e tjera për të mësuar nga përvoja e tyre dhe për të blerë modele të testim.
Gjashtë kompani ukrainase kanë marrë leje për të eksportuar rreth 100 dronë secila, tha burimi, duke folur në kushte anonimiteti.
Nuk pati komente të menjëhershme zyrtare nga Kievi ose Uashingtoni për këtë çështje.
Ukraina tashmë ka nënshkruar marrëveshje për dronë me një numër të shteteve evropiane e të Lindjes së Mesme. Kievi gjithashtu ka marrë masa për lehtësimin e kufizimeve të kohës së luftës ndaj eksportit të armëve, edhe pse qeveria ende ka kontroll të madh mbi ato që dërgohen jashtë vendit.
“Mbizotërimi me Dronë” është garë miliardëshe e udhëhequr nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së, në të cilën dronë të vegjël sulmues nga dhjetëra prodhues marrin pjesë në sfida që e kanë për qëllim simulimin e kushteve armiqësore në fushën e betejës.
Në rundin e parë të kësaj gare fitoi një dron i prodhuar në mënyrë të përbashkët nga gjiganti ukrainas i dronëve, “Skyfall”, dhe kompania britanike, “Skycutter”.