Komandanti i ri i ushtrisë ukrainase thotë se do të shtohen aksionet kundërsulmuese - NACIONALE

Komandanti i ri i ushtrisë ukrainase thotë se do të shtohen aksionet kundërsulmuese

1 orë më parë

nga NACIONALE

Komandanti i përgjithshëm i ri i ushtrisë ukrainase, Mykhailo Drapatyi, tha të mërkurën se është ngarkuar me detyrën e shtimit të aksioneve kundërsulmuese dhe organizimin e operacioneve të reja brenda Rusisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të martën e emëroi Drapatyin në krye të ushtrisë, duke e zëvendësuar Oleksandr Syrskyin, në riformatimin më të madh të udhëheqjes ushtarake që nga fillimi i pushtimit rus më 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Vendimi erdhi pas një riformatimi më të gjerë qeveritar javën e kaluar me shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, 35 vjeç, veprim që i nxori në dritë përçarjet e thella në udhëheqjen e mbrojtjes të Ukrainës.

“Presidenti i Ukrainës ka vendosur objektiva të qarta për ne: të vazhdohen dhe të shpeshtohen operacionet sulmuese në të gjitha domenet, të planifikohen operacione të reja prapa vijave të armikut, të zhvillohen ushtria jonë dhe teknologjitë e saj dhe të fuqizohen kapacitetet e Forcave të Armatosura të Ukrainës” – tha Drapatyi në rrjetin “Facebook”.

Ukraina i ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe logjistikës ruse këtë vit në përpjekje për t’i minuar kapacitetet luftarake të Rusisë.

Gjeneral Major Ihor Skybiuk, ish-komandant i forcave sulmuese ajrore, do të bëhet komandant i Shtabit të Përgjithshëm, tha Drapatyi.

Drapatyi, komandant i respektuar e me përvojë, nga shumë figura përshkruhet si gjeneral nga gjenerata e re. Syrskyi është ballafaquar me kritika të ashpra për stilin e ashpër komandues për të cilin disa ushtarë kanë thënë se ka rezultuar në humbje të larta të pajustifikueshme të trupave./Nacionale

Lajme të ngjashme