Orbani thotë se Hungaria “ka pushuar së qeni shtet demokratik” - NACIONALE

Orbani thotë se Hungaria “ka pushuar së qeni shtet demokratik”

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ish-kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, i cili u rrëzua pas 16 viteve në pushtet në zgjedhjet e prillit, u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që ta rivendosin demokracinë në vend, për të cilën tha se është shtypur nga pushteti i ri.

Në deklaratën e tij të parë të fuqishme politike që nga humbja e madhe në zgjedhje, Orbani të martën vonë lëshoi një “Deklaratë të Rezistencës” në rrjetin “Facebook”, pak kohë pasi partia e tij, Fidesz, tha se prokurorët i kishin bastisur zyrat e saj ku ndodheshin serverët e internetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Prokurorët i thanë kësaj agjencie se aksioni ishte i lidhur me një hetim për “përvetësimin e paligjshëm dhe shkelje të tjera penale” në Fondin Kombëtar të Kulturës gjatë kohës së qeverisjes së Orbanit.

Orbani u tha gazetarëve se prokurorët kishin marrë serverë që përmbajnë një bazë të të dhënave dhe adresa elektronike të anëtarëve të partisë. Sipas tij, ky është veprim i motivuar politikisht për t’ia bërë partisë së tij ligjërisht të pamundshëm operimin.

“Çështja e Fondit Kombëtar të Kulturës ishte vetëm një pretekst për këtë” – tha ish-kryeministri hungarez, duke shtuar se nuk ka pasur ndonjë shkelje.

Në postimin e tij në “Facebook”, Orbani tha se “ka pushuar së qeni shtet demokratik”, pasi qeveria e re e qendrës së djathtë e kryeministrit Peter Magyar miratoi një ndryshim kushtetues me të cilin iu dha fund mandateve të presidentit dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Partia e kryeministrit të ri, Tisza, mohon se ka qëndrim autoritar ndaj kundërshtarëve politikë. Kjo parti është zotuar se do ta luftojë korrupsionin, për të cilin thotë se ishte në nivel të lartë nën pushtetin e administratës së Orbanit./Nacionale

Lajme të ngjashme