Rregullorja e re – Ndryshohet betimi, më shumë ‘llaf’ në Kuvend e masa më rigoroze ndaj deputetëve - NACIONALE

Rregullorja e re – Ndryshohet betimi, më shumë ‘llaf’ në Kuvend e masa më rigoroze ndaj deputetëve

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Më 28 korrik të këtij viti, me 81 vota pro u miratua Rregullorja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ajo hyri në fuqi më datë 9 gusht. Rregullorja që ishte në fuqi deri më këtë datë, ishte miratuar në vitin 2010.

E pritja e gjatë deri në hartimin e rregullores së re, po del se ia ka vlejtur. Kjo pasi rregullorja e miratuar së fundmi, adreson një mori problemesh, që ajo e vjetra nuk merrej me to. Ndryshimet përfshijnë që nga betimi i deputetëve, masat ndaj tyre e deri te koha e deklarimeve jashtë rendit të ditës.

Gazeta Nacionale sjell ndryshimet kryesore në Rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës.

Betimi i deputetit

Ndryshimi interesant që vërehet qysh në fillim të rregullores është pikërisht betimi i deputetit. Me rregulloren e vjetër deputetët betoheshin se do të veprojnë sipas ligjeve të vendit dhe me standardet evropiane. Ndërsa me rregulloren e re, fjalia “me standardet evropiane” është fshirë.

E vjetra:

“Pas verifikimit të mandateve, deputetët betohen solemnisht. Teksti i deklaratës është: “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane. Betohem!”

E reja:

Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”

Ndryshimi tjetër përkon me ulëset e deputetëve dhe renditjen e tyre.

Përderisa me rregulloren e vjetër, nëse dy subjekte politike kishin numër të njëjtë të deputetëve, renditja e tyre bëhet me short, me rregulloren e re, kjo është ndryshuar, duke përcaktuar se renditja do të bëhet në bazë të numrit të votave që ka fituar subjekti.

E vjetra:

“Nëse dy apo më shumë grupe parlamentare kanë numër të njëjtë të deputetëve, atëherë renditja e tyre në sallë bëhet me short.”

E reja:

“Përcaktimi i vendeve të deputetëve në sallë bëhet sipas fuqisë së subjekteve politike. Nëse dy ose më shumë subjekte politike kanë numër të njëjtë të deputetëve, renditja e tyre bëhet duke marrë për bazë numrin më të madh të votave që kanë fituar në zgjedhjet për Kuvend.”

Një risi tjetër është shtimi i një neni me të cilën përcaktohet, se nuk do të lejohet debat në seancën konstituive të kuvendit, që e cila nuk ishte përcaktuar me rregulloren e re.

Mungesa e deputetit në seancën konstituive dhe mundësia për ta bërë betimin më pas, është një pikë tjetër që ka pësuar ndryshim. Me rregulloren e vjetër ishte përcaktuar se deputeti betimin mund ta bëjë në mbledhjen e radhës, me rregulloren e re është përcaktuar afat kohor se deri kur deputeti mund ta bëjë një gjë të tillë.

E vjetra:

Deputeti që mungon në mbledhjen konstituive të legjislaturës, kur bëhet betimi, betimin e bën në mbledhjen e parë të radhës.”

E reja:

Deputeti i cili nuk e bën betimin në seancën e parë të rregullt të radhës, siç përcaktohet me paragrafin 3 të këtij neni, nëse ka pamundësi objektive për ta bërë atë brenda këtij afati, e dërgon njoftimin me shkrim te Kryetari i Kuvendit, lidhur me shkaqet që justifikojnë mungesën e tij dhe betimin e bën pas kalimit të rrethanave të tilla, por jo më vonë se në seancën e tretë të rregullt të radhës, pas fitimit të mandatit si në paragrafin 3 të këtij neni.”

Një “rregull” e re e cila është përfshirë në rregulloren e re është formimi i grupeve vullnetare, që mund të formohen nga 6 e më shumë deputetë.

Deputetët mund të formojnë grupe vullnetare, duke ia dorëzuar Kryetarit të Kuvendit një njoftim me nënshkrimet e deputetëve, të cilët e përbëjnë grupin, emrin e kryesuesit dhe fushëveprimin. 2. Grupin vullnetar e formojnë së paku gjashtë (6) deputetë.

Me rregulloren e re, mbase deputetët do t’ju “mërzisin” më gjatë. Koha e deklarimeve jashtë rendit të ditës, është shtuar për 10 minuta. Nga 30 sa ishte, në 40.

E vjetra:

Koha e tërësishme për diskutime jashtë rendit të ditës kufizohet deri në tridhjetë (30) minuta.

E reja:

“Koha e caktuar për deklarime të deputetëve jashtë rendit të ditës kufizohet deri në dyzet (40) minuta.”

Disiplina e deputetëve

Ndërkohë pyetjet që mund të parashtrohen për qeverinë janë reduktuar për 20 minuta. Nga 60 minuta sa ishte, në 40 minuta.

Me rregulloren e re janë përcaktuar edhe masat që mund të ndërmerren ndaj deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë.

Masat që mund të ndërmerren ndaj deputetëve dhe anëtareve të Qeverisë janë: Tërheqja e fjalës; Ndërprerja e fjalës; Vërejtje; Vërejtje me paralajmërim për largim nga seanca plenare; Largim nga seanca plenare.

Tutje me këtë nen parashihet edhe se deputetit të cilit i është shqiptuar vërejtja, në fund të seancës ka të drejtë të marrë fjalën, për jo më shumë se 2 minuta, për të dhënë shpjegimin e tij. Nëse deputeti vazhdon ta përsërisë sjelljen, parashihet vërejtja me paralajmërim për largim nga seanca, e si masë e fundit në këto raste është paraparë Largimi i deputetit nga seanca, qoftë edhe me dhunë dhe sanksion financiar të barabartë me kompensimin për një seancë plenare.

Në rregulloren e re paralajmërohet edhe Kodi i sjelljes, i cili thuhet se do të miratohet si akt i veçantë.

Megjithatë, ajo që është kritikuar nga shoqëria civile, ishte fakti që për deputetët që mungojnë nëpër seanca, nuk është paraparë ndonjë sanksion konkret. Kjo pasi, mungesat e deputetëve gjithmonë kanë nxitur grumbullim të pikave të rendit të ditës, e vonesa në seancat plenare.

Pikë tjetër që kishte nxitur debat të vazhdueshëm ka qenë edhe qëndrimi “me hile” në sallë. Shpeshherë, deputetët kanë qenë të pranishëm, por nuk kanë votuar, në mënyrë që t’ia pamundësojnë kuorumin shumicës.

As rregullorja e re nuk ka paraparë ndonjë sanksion ose zgjidhje tjetër nga ajo e vjetra në lidhje me këtë çështje.

Ndonëse Kuvendi si organ legjislativ është i ndarë nga ekzekutivi, miratimit të kësaj rregulloreje iu gëzua edhe Kryeministri Kurti, i cili uroi qytetarët e Kosovës për dokumentin që rregullon mbarëvajtjen e sallës më të rëndësishme të vendit.

“Është përkushtim i yni politik që në Kuvendin e Republikës, publikja të marrë formën e vet më të lartë si parakusht i çdo dimensioni të ushtrimit të demokracisë direkte apo përfaqësuese. Në këtë drejtim, të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që niveli i punës së Kuvendit dhe i llogaridhënies në Kuvend të kthehet në shembull të përgjegjshmërisë së lartë të të zgjedhurve, ndaj qytetarëve të Republikës e interesit publik”, kishte shkruar Kurti.

Për këtë rregullore, kishin votuar pozitë dhe opozitë.

Lajme të ngjashme