Dështimet e Kuvendit në Pranverë e Verë: Kodi Civil, shpërfillja e nismave të opozitës dhe gjuha banale - NACIONALE

Dështimet e Kuvendit në Pranverë e Verë: Kodi Civil, shpërfillja e nismave të opozitës dhe gjuha banale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pozita dhe opozita kanë vlerësime të ndryshme për punën që Kuvendi ka bërë në sesionin pranveror. Ndërsa, monitoruesit e punës se organit legjislativ kanë vlerësuar se gjatë këtij sesioni pozita ka injoruar iniciativat e opozitës.

Kuvendi i Kosovës dje ka mbyllur sesionin pranveror të punimeve. Si rëndom, edhe debati rreth punës së Kuvendit është karakterizuar me argumentet për dhe kundër punës së deputetëve.

Ky sesion është shoqëruar me një mori vendimesh të rëndësishme. Po ashtu, një numër i iniciativave parlamentare vitale dështuan të fitojnë një shumicë të domosdoshme.

Pozita dhe opozita kanë shprehur vlerësime të ndryshme për punën që organi më i lartë legjislativ në vend ka bërë gjatë këtij sesioni.

Grupi

Monitoruesit e punës së Kuvendit kanë deklaruar se Kuvendi gjatë këtij sesioni ka mundur të bëjë edhe më shumë.

Drejtoresha ekzekutive e D4D, Rrezata Krasniqi, ka deklaruar për gazetën Nacionale se posedimi i shumicës parlamentare nga kjo legjislaturë ka pasur dy anët e medaljes, atë pozitive dhe negative.

Ka qenë me interes të përcillet puna e kësaj legjislature pasi për herë të parë një subjekt politik i vetëm ka formuar shumicën. Ana pozitive e kësaj ka qenë vendimmarrja më e lehtë në Kuvend. Projektligjet, rezolutat dhe vendimet tjera të cilat kanë qenë në interes të mazhorancës, kanë kaluar në Kuvend. Përjashtim bën Kodi Civil, që kishte mospajtime brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! Ana negative e kësaj ka qenë shpërfillja e iniciativave të opozitës. Projektligje të rëndësishme të cilat janë propozuar nga opozita në Kuvend nuk kanë marrë përkrahjen nga mazhoranca, siç ka qenë Projektligji që synonte rregullimin e çmimeve të barnave, apo Projektligji për Shëndetësinë”, është shprehur Krasniqi për Nacionale.

Në shpjegimin e saj, Krasniqi vlerëson se gjatë kësaj periudhe, në kontekste të caktuara janë mohuar të drejtat e deputetëve.

Ka pasur edhe përpjekje për të mohuar edhe të drejtat e deputetëve, siç ka qenë rasti me pengimin e themelimit të komisionit hetimor për energjinë. Krejt në fund, kompromisi u gjend vetëm përmes themelimit të një komisioni tjetër paralel, që nuk është e shëndetshme për demokracinë parlamentare. Opozita e ka shfrytëzuar Kuvendin si arenën kryesore të aktivitetit të saj politik. Kurse Qeveria ka vazhduar të ndikojë mbi punën e deputetëve të saj. Assesi deputetët e mazhorancës nuk po munden të ushtrojnë rolin e tyre mbikëqyrës ndaj Qeverisë”, ka vazhduar Krasniqi.

Më tej, ajo ka numëruar edhe dështimet më të mëdha të Kuvendit në këtë sesion.

Prej dështimeve më të mëdha mbetet moszgjedhja e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi duhet ta ketë prioritet këtë në sesionin vjeshtor. Kurse sukses pa dyshim është miratimi i Rregullores së Punës së Kuvendit, Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, dhe themelimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore, puna e së cilit mbetet të shihet në vazhdim. Por, këto janë çështje të cilat nuk kishin mundur të merrnin një epilog nga legjislaturat e kaluara të Kuvendit, e që janë bërë në këtë legjislaturë”, ka thënë Krasniqi për Nacionale.

Partitë politike kanë vlerësime të ndryshme për punën e Kuvendit

Deputetë e partisë në pushtet, LV-së, e kanë vlerësuar si shumë të suksesshëm këtë sesion të Kuvendit, derisa krejt ndryshe mendojnë deputetët e partive opozitare.

Sipas deputetit të LV-së, Alban Bajrami, ky sesion ka qenë më i suksesshmi nga të gjitha legjislaturat e fundit.

Sesionin pranveror të Kuvendit e përmbyllëm me suksesin e rekordit të projektligjeve të miratuara. Vetëm në këtë periudhë, kemi aprovuar më shumë projektligje se disa legjislatura së bashku dhe ky është numri i madh në i projektligjeve të kaluara në historinë e Kuvendit për një sesion”, ka shkruar Bajrami në profilin e tij në Facebook.

Mirëpo deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, mendon ndryshe.

Ajo ka thënë për gazetën Nacionale se ky sesion është karakterizuar me mungesa të mëdha të deputetëve të partisë në pushtet.

Jo, kjo legjislaturë nuk ka qenë më cilësore se ato parapraket, sepse duke u thirrë në atë që ka shumicën dhe është një shumicë që nuk ka koalicione, rrjedhimisht i takon shumica çdo komisioni brenda parlamentit. Po ashtu, ky sesion është karakterizuar me mungesa të shumta, sidomos të deputetëve nga radha e shumicës, të cilët nuk kanë arritur të kalojnë iniciativa ligjore për shkak të kësaj”, ka thënë Time Kadrijaj për Nacionale.

Ajo ka kritikuar sjelljen e shumicës parlamentare ndaj opozitës.

Sipas Kadrijaj, partitë opozitare kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtarë, kurse pozita nuk ka përkrahur iniciativat e opozitës.

“Derisa kanë pasur përkrahjen e opozitës, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjeve të rëndësisë së veçantë, ku duhet 2/3 e deputetëve. Në çështje nacionale, shumica ka pasur përkrahjen e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në kërkesën tonë për themelimin e komisionit hetimor për energjinë, shumica na është kundërpërgjigjur me një komision tjetër hetimor. Opozita është ndeshur me një shumicë dhe qeveri jo-llogaridhënëse dhe jo-transparente, të kujtojmë temën e dialogut, për të cilën nuk ka pasur aspak transparencë dhe nuk kemi respektim të rezolutës së parlamentit të Kosovës që e obligon qeverinë të ofrojë llogari në temën e dialogut”, ka deklaruar Kadrijaj për Nacionale.

Ky sesion është karakterizuar me debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës. Ndër debatet më të ashpra ka qenë ai për themelimin e komisionit hetimor për energji, të cilin e kundërshtonte LV-ja. Derisa ishin pajtuar për themelimin e dy komisioneve të tilla, deputetët e opozitës e kishin bllokuar sallën plenare të kuvendit.

Gjithashtu debat i aspër kishte ndodhur edhe për përjashtimin e veteranëve të UÇK-së nga rritja e pagës minimale.

Ky sesion është karakterizuar edhe me përdorim të gjuhës joparlamentare nga ana e deputetëve. Rasti më i rëndë ka qenë kur Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka sharë me robë deputetin e LV-së. Më pas, ai ka kërkuar falje për gjuhën e përdorur.

Lajme të ngjashme