Si rrallë partitë bëhen bashkë, Kuvendi miraton marrëveshjen me MCC-në - NACIONALE

Si rrallë partitë bëhen bashkë, Kuvendi miraton marrëveshjen me MCC-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar me 89 vota për marrëveshjen për Energjinë me MCC-në.

Me këtë marrëveshje, Kosova përfiton 236 milionë euro me marrëveshjen Kompakt.

Marrëveshjen para deputetëve e ka preznatuar zv kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ai ka thënë se ky është moment historik.

“Programi Kompakt paraqet investimin më të madh në energji që nga paslufta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar t’i japin Kosovës grant në vlerë 202 milionë dollarëshe, granti më i madh pasluftës. E Kosova do ta mbështesë programin me më shumë se 30 milionë euro. Kjo paraqet bashkëpunim serioz dhe shembullor të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Bislimi.

“Projekti i parë konsiston në blerjen e baterive që shërbejnë si rezerva të energjisë”, theksoi Besnik Bislimi.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e ka falënderuar edhe opozitën për qasjen konstruktive në këtë proces.

“Është marrëveshje historike, nga këtu dua t’i falënderoj edhe partitë në opozitë”, ka thënë Kusari-Lila.

Kjo pasi, marrëveshjen e kanë përkrahur edhe partitë e tjera të opozitës.

Edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se është marrëveshje e nevojshme. Por, ka ironizuar pak me Kurtin.

“Kurti dikur thoshte se nuk na duhen bateritë sepse nuk kemi frigoriferë. Tash ata frigoriferë po i merr”, theksoi Tahiri.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ia kujtoi Kurtit deklaratat për Shtëpinë e Bardhë.

“Dikur Kurti thoshte Shtëpia e Verdhë, Shtëpia e Kuqe”, tha ajo.

Edhe Pal Lekaj nga AAK-ja i dha mbështetje kësaj marrëveshje.

“Mirë do të ishte që qeveria ta pranonte menjëherë këtë marrëveshje, por më mirë vonë se kurrë”, tha Lekaj në Kuvend.

Marrëveshja me MCC-në hyri në rend dite në Kuvendin e Kosovës, duke u shmangur nga rregullorja.

Lajme të ngjashme