Deputet Humolli: Zhbërja e Gjykatës Speciale është obligim i Kuvendit - NACIONALE

Deputet Humolli: Zhbërja e Gjykatës Speciale është obligim i Kuvendit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i LV-së, Fatmir Humolli, e sheh si të mundur rrëzimin e Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se zhbërjen e kësaj gjykate duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës, i cili e ka krijuar. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka deklaruar se institucioni më i lartë legjislativ në vend e ka për obligim ta bëjë një gjë të tillë. Sipas ish-luftëtarit të UÇK-së, mendim të ngjashëm kanë edhe deputetët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, vazhdon të besojë se zhbërja e Gjykatës Speciale është veprim i drejtë. Ai ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës e ka për obligim ta zhbëjë këtë gjykatë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Humolli ka deklaruar se mendim të njëjtë ndajnë edhe deputetët tjerë të LV-së.

Ai ka treguar se vlerësimet e kolegëve të tij janë se duhet krijuar rrethana më të favorshme ndërkombëtare për ta ndërmarrë këtë hap.

Sipas ish-luftëtarit të UÇK-së, logjika e kësaj gjykate është të fshehë “dëshmitarët” nga populli, dhe të gjykojë e të dënojë në emër të popullit.
Humolli në këtë intervistë ka folur edhe për përjashtimin e veteranëve të UÇK-së nga Projektligji për rritjen e pagës minimale.

Ai ka vlerësuar se përjashtimi i kësaj kategorie nga kjo rritje dëmton interesat e shtetit.

Nacionale:

Humolli, ju keni votuar kundër Projekt-ligjit për rritjen e pagës minimale, të cilin e ka sponzorizuar Qeveria e formuar nga partia që ju përfaqësoni. Cilat ishin arsyet?

Humolli:

Fillimisht, dua t’ju rikujtoj se unë jam përfaqësues i popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kam për detyrë t’i mbroj interesat e qytetarëve pa e dëmtuar shtetin, sepse dëmtimi i shtetit rrjedhimisht do të thotë dëmtim i qytetarëve.
Sa i përket projekt-ligjit në fjalë, parimisht unë nuk jam kundër rritjes së pagës minimale, mirëpo përjashtimi i kategorisë së veteranëve nga kjo rritje që synohej të bëhej i dëmton interesat e qytetarëve, në këtë rast rrjedhimisht edhe interesat e shtetit.

Nacionale:

Veteranët kanë paralajmëruar se nëse Qeveria nuk i përfshin në rritjen e pagës minimale do të organizojnë protesta. Do t’u bashkoheni ju këtyre protestave?

Humolli:

Protesta është mjet demokratik dhe e drejtë themelore e secilit qytetar. Ndërsa detyrë e institucioneve shtetërore sot është t’u mundësohet jeta e dinjitetshme atyre që vunë jetën e tyre në dispozicion që sot të gëzohet kjo liri themelore. Unë pretendoj që në mënyrë sa më efikase t’i mbaj në nivel të detyrës këto institucione në mënyrë që të mos ketë nevojë për protesta, të cilat nëse ndodhin do të thotë që as institucionet shtetërore, por as shoqatat e dala nga lufta nuk e kanë kryer punën e tyre si duhet.

Nacionale:

Keni dallime tjera me Qeverinë, apo kjo është e vetmja çështje për të cilën nuk pajtoheni?

Humolli:

Politika ime ndër vite është politikë krijuese e cila synon që misionin e saj t’ia imponojë situatës dhe rrethanave, jo një politike e cila misionin e ndryshon varësisht nga rrethanat kohore, e nëse këto rrethana nuk janë të favorshme atëherë duhet angazhim për krijimin e rrethanave të reja të favorshme. Pra, misioni im është, ashtu siç ka qenë, çlirimi dhe bashkimi i trojeve shqiptare, dhe ky mision është një konstantë për të cilën mos-puna e cilësdo qeveri do të më gjejë kundërshtar.
Unë i përkas një kategorie që ka besuar në çlirim të vendit edhe kur shumica kanë menduar që Jugosllavia është e pamposhtur. Edhe sot, unë besoj që mundësitë tona janë aq të mëdha sa edhe kur të kthehet mërgata jonë, prapë do të kemi nevojë për punëtorë me aq shumë potencial që kemi si vend. Besimi i atëhershëm tashmë është kthyer në fakt, do të punoj në vazhdimësi që edhe besimi i sotëm të bëhet realitet i së ardhmes.

Nacionale:

Z. Humolli, Gjykatën Speciale e keni kundërshtuar që nga fillimi. Javën e kaluar kjo gjykatë ka dhënë verdiktin e parë për rastin e krerëve të OVL-UÇK-së. Cili është mendimi juaj për këtë vendim?

Humolli:

Kjo gjykatë është e padrejtë dhe pasojë e një presioni ndërkombëtar të cilin deputetët e asaj kohe nuk është dashtë ta pranojnë.
Qëllimi i saj është armiqësimi i shqiptarëve me njëri-tjetrin dhe ofendim për kulturën tonë ndëshkuese ndaj të keqes, edhe kur e keqja është në mes nesh.
Ku është logjika e kësaj gjykate, të fshehë “dëshmitarët” nga populli, dhe të gjykojë e të dënojë në emër të popullit.
Rasti specifik i krerëve të OVL-UÇK-së është ndër të tjera edhe dështim i sistemit tonë gjyqësor dhe shkelje e të drejtave njerëzore sepse kjo gjykatë ka kompetenca vetëm për vitet 1998-2000.

Nacionale:

Ju keni kërkuar zhbërjen e kësaj gjykate. Si mendoni se mund të bëhet kjo?

Humolli:

Po, kam kërkuar, edhe gjatë bisedave me deputetë të ndryshëm edhe publikisht. Madje një thirrje të tillë e kam bërë edhe në seancë gjyqësore në Hagë ku isha në cilësinë e dëshmitarit. Mendoj që zhbërja e kësaj gjykate nga organi më i lartë i shtetit tonë është jo vetëm e mundur por është obligim i yni.

Nacionale:

A e keni diskutuar këtë çështje me deputetë tjerë të LV-së. Cili është qëndrimi i tyre?

Humolli:

E kemi diskutuar dhe ndajmë të njëjtin mendim, kjo gjykatë është e padrejtë dhe është bërë gabim me votimin e saj.
Sa i përket zhbërjes së saj, vlerësimet e tyre përgjithësisht janë se duhet krijuar rrethana më të favorshme ndërkombëtare për këtë hap.

Nacionale:

Më herët është tentuar një herë zhbërja e kësaj gjykate dhe reagimi ndërkombëtar ka qenë i madh. Sa mendoni se mund ta dëmtonte Kosovën një iniciativë e tillë?

Humolli:

Duhet të kemi të qartë që sjellja me dinjitet dhe respekt ndaj vetvetes të bën faktor dhe të sjell miq. Gjithashtu duhet të kuptojmë se shtetet e ndryshme ndërkombëtare kanë raporte të komplikuara ndërmjet vete dhe jo çdo herë atë që thonë publikisht e mendojnë edhe në vetvete.

Ne kemi përvojë edhe me raste të tjera me të cilat mund të tërheqim paralele, për shembull qëndrimin e reprezentuesit amerikan Robert Gelbard i cili veprimet e UÇK-së i cilësonte si veprime terroriste mirëpo pak më vonë i dërguari special i Amerikës Richard Holbrook në shenjë përkrahje për luftën tonë të drejtë vjen dhe ulet në odë shqiptare me ushtarët e UÇK-së. Pra, duke bërë veprime servile ne shpeshherë i kemi vënë në pozitë të vështirë edhe miqtë tanë të cilët nuk kanë mundur të kërkojnë për ne diçka që as ne nuk kërkojmë për vete.

Ne duhet të veprojmë ashtu siç është e drejtë, për t’ia bërë më të lehtë shteteve të drejta të mbrojnë të drejtën. E në këtë mënyrë, përveç miqësisë, me këto shtete na lidh edhe interesi për drejtësi.

Lajme të ngjashme