Rezoluta për vëllezërit Bytyqi në Kongresin amerikan, identifikohet si përgjegjës një “anëtar i shquar i partisë” së Vuçiqit
Është risjellur në Kongresin amerikan rezoluta që kërkon zbardhjen e fatit të tre vëllezërve Bytyqi të arrestuar ilegalisht më 23 qershor dhe të ekzekutuar dikur pas 8 korrikut 1999 në Petrovo Selo të Serbisë afër një objekti trajnimi të njësive speciale në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Në Rezolutë identifikohet zingjiri komandues përgjegjës për rastin në fjalë, ndërsa njëri prej identifikohet edhe aktualisht si “anëtar i shquar i partisë në pushtet”, përkatësisht anëtar i Partisë Përparimtare Serbe që udhëhiqet nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi nuk kanë dalur asnjëherë para drejtësisë e madje askush nuk ngarkohet me asnjë akuzë për ekzekutimin e tyre, ndërkaq Shtetet e Bashkuara nuk kanë hequr dorë asnjëherë së kërkuari drejtesi për ta nga shteti serb.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd të Serbisë, u informua më 7 korrik, 2001, që trupat e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit u gjetën me duart e lidhura dhe plagë armësh prapa kokave të tyre, të varrosur mbi një varrezë mazsive me afro 70 trupa të civilëve të vrarë nga Kosova”, thuhet në Rezolutën e Kongresit.
“Përderisa autoritetet serbe më vonë hetuan por nuk dënuan asnjëherë ata individë që ishin pjesë e zingjirit komandues të Ministrisë së Brendshme në lidhje me këtë krim, përfshirë ish-Ministrin e Brendshëm, Vlajko Stojillkoviq, Ndihmës Ministrin dhe Shefin e Departamentit për Siguri Publike Vlastimir Gjorgjeviç, si dhe komandantin e kampit trajnues përe operacioni speciale Goran ‘Guri’ Radosavjleviq”, vazhdon rezoluta.

Për ato dy të parët thuhet se njëri ka vdekur nga plagë të vetëshkaktuara dhe i dyti është dënuar nga Tribunali Penal ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte, ky i treti është është anëtar i shquar i partisë në pushtet në serbi, SNS-së së Aleksandar Vuçiqit.
“Goran ‘Guri’ raportohet të jetë duke banuar në Serbi, ku punon si drejtor i një kompania këshilluese për siguri, dhe është anëtar i shquar i partisë në pushtet”, thuhet në Rezolutë.
Më tej në Rezolutë thuhet se Presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, u ka premtuar disa zyrtarëve të lartë në ShBA se do të ketë drejtësi për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, gjer më tash nuk është dënuar askush.
“Asnjë individë asnjëherë nuk është gjetur fajtor për vrasjen e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqi, pavarësisht shumë premtimeve nga zyrtarë për të zgjidhur rastin”, thuhet në Rezolutë.
Kongresi në Rezolutë vazhdon të konstatojë se ata që besohen të jenë përgjegjës duhet të ndiqen penalisht menjëherë, duke nënkuptuar edhe Goran “Guri” Radosavjleviqin, anëtarin e shquar të partisë së Vuçiqit.
“Ata individ përgjegjës për vrasjen në korrik të 1999 të shtetasve të ShBA’së, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi duhet të sjellen para drejtësisë; Është e dënueshme që asnjë individë asnjëherë nuk është gjetur fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, e për asnjë krim tjetër të lidhur me vdekjen e tyre, dhe që asnjë individë madje as nuk është i akuzuar për këto krime të tmerrshme. Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyret e saj relevante, përfshirë Zyrën e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi; duhet ta bëjnë prioritet për të hetuar dhe përndjekur sa më parë ata zyrtar aktual ose të atëhershëm që besohen të jenë përgjegjës, direkt ose indirekt për vrasjen e tyre”.
“Shtetet e Bashkuara duhet t’u kushtojnë resurset e nevojshme për të asistuar dhe monitoruar në mënyrë të duhur përpjekjet e Qeverisë së Serbisë dhe ministrive relevante të saj për të hetuar dhe përndjekur ata indivië të cilët besohen të jenë përgjegjës për vdekjet e tyre, direkt ose indirekt, si dhe që progresi në këtë rast, ose mungesa e saj, duhet të mbetet një faktor signifikant në përcaktimin e zhvillimit të mëtejmë në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”, konkludohet në Rezolutë./Nacionale/
Historia e vëllezërve Bytyqi nga Amerika
Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.
Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.
Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç’rast edhe u arrestuan menjëherë.
Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.
Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo.

