Kongresi amerikan sërish miraton rezolutë: Të zbardhet vrasja e vëllezërve Bytyqi
Rezolutë për vrasjen e tre vëllezërve
Vetëm pak ditë më parë u shënua përvjetori i 23-të i vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, që lanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të luftuar në Kosovë. Ata ishin vrarë nga Serbia, pasi paraprakisht ishin arrestuar për kalim ilegal të kufirit.
Në lidhje me zbardhjen e vrasjes së Yll, Agron e Mehmet Bytyqit, Kongresi amerikan, më saktësisht Dhoma e Përfaqësuesve në mbledhjen e mbajtur dje ka miratuar sërish një rezolutë, raporton gazeta Nacionale.
Rezoluta që kërkon përgjegjësi nga Serbia për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve me nënshtetësi amerikane, u miratua me 423 vota për, dhe vetëm një votë kundër.
Në rezolutë kërkohet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hetojnë përpjekjet e Serbisë, për të kapur vrasësit e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit.
Rezoluta u miratua sërish duke u vlerësuar si një “punë që ende nuk ka përfunduar”.
“Kjo rezolutë shpreh kërkesën e Kongresit se personat përgjegjës për vrasjet e shtetasve amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në korrik 1999 në Serbi duhet të sillen para drejtësisë dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të ndajnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar dhe monitoruar plotësisht përpjekjet e Serbisë për të hetojë dhe ndjekë penalisht persona të tillë”, thuhet në rezolutë.
Për herë të parë një rezolutë e tillë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, u miratua në tetorin e vitit 2019. Rezoluta që kërkon zbardhjen e këtij krimi të Serbisë, ishte miratuar edhe në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-së.
Pikërisht në përvjetorin e 23-të të vrasjes së vëllezërve Bytyqi, ambasada e Amerikës në Kosovë dhe Serbi, kishin kërkuar zbardhjen e këtij rasti.
“Edhe një vit tjetër, gjatë të cilit gjyqësori serb nuk solli askënd para drejtësisë për këtë krim torturues lufte. Ne nuk do ta harrojmë këtë krim”, thuhej përmes një deklarate Ambasada amerikane në Beograd.

Dhoma e Përfaqësuesve në vitin 2021 i ishte drejtuar edhe me një letër presidentit të Amerikës, Joe Biden. Aty kishin kërkuar drejtësi për këtë rast.
“Ne qëndrojmë me solidaritet bashkë me familjen, që ka jetuar për dy dekada pa drejtësi. Ne kërkojmë nga ju ta përmbushni zotimin tuaj për të kërkuar përgjigje nga presidenti Vuçiq, dhe për të kërkuar hetim të plotë në këtë rast, duke përfshirë edhe ata brenda zinxhirit komandues. Më në fund, pas më shumë se dy dekadave, familjes duhet t’i jepet ajo që e meriton”, thuhej në letrën që daton më 8 dhjetor 2021.
Gazeta Nacionale pak ditë më parë, kishte sjellur rrëfimin e Ilir Bytyqit, vëllaut të Yllit, Agronit dhe Mehmetit.
Ai kishte treguar në detaje për kthimin e tre vëllezërve të tij nga Amerika në Kosovë për të luftuar, deri te vrasja që ndodhi pasi tre vëllezërit Bytyqi u arrestuan për kalim ilegal të kufirit.
I dyshuari kryesor - ‘Guri’
Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.
Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.
Megjithatë, njëri nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit, është komandanti serb Goran Radosavleviq me nofkën Guri. Radosavljeviq ka mohuar përgjegjësinë për vdekjen e vëllezërve Bytyqi.

Shtetet e Bashkuara e kishin vendosur në listë të sanksioneve atë që nga dhjetori i vitit 2018, për shkak të siç ishte thënë: “Radosavleviq besohet se është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi më 1999". Ai ka thënë se vendimi i Departamentit të Shtetit për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara "as nuk i intereson dhe as që i ndikon atij".
Por, shteti serb asnjëherë nuk mori ndonjë veprim ligjor ndaj tij. Madje në disa raste, e nderuan edhe me mirënjohje.
Historia e vëllezërve Bytyqi nga Amerika
Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.
Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.

Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç’rast edhe u arrestuan menjëherë.
Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.
Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo.

