Dy dekada nga vrasja e tre vëllezërve që e lanë Amerikën për UÇK-në, rrëfim emocionues nga Ilir Bytyqi
Kontaktin e fundit me tre vëllezërit e tij, e kishte pas përfundimit të luftës. Ilir Bytyqi, shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), e mban mirë në mend kur vëllezërit e tij që kishin ardhur në Kosovë për t’u bërë pjesë e UÇK-së, ia kishin komunikuar lajmin se janë shëndoshë e mirë. Por, kështu nuk shkoi gjithçka deri në fund.
8 korriku shënon 23 vjetorin e vrasjes së vëllezërve që lanë Amerikën, për të luftuar në Kosovë. Yll, Agron e Mehmet Bytyqi fillimisht u arrestuan menjëherë pas përfundimit të luftës, për kalim ilegal të kufirit në Serbi. Tre vëllezërit që kishin ardhur nga Amerika për të luftuar në Kosovë u dënuan me 15 ditë burgim. Por, pas lirimit, asgjë nuk dihej më për ta.
“Ata e kanë bërë një sakrificë të madhe, për të cilën babai, nëna dhe e gjithë familja, janë të pikëlluar vazhdimisht në dy dekadat e fundit”, thotë Ilir Bytyqi, vëllau i Agronit, Yllit e Mehmetit në një intervistë për gazetën Nacionale.
Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Petrovo Selo të Serbisë. Pra, tre vëllezërit Bytyqi, me nënshtetësi amerikane, u vranë nga pushteti serb menjëherë pasi e kishin fituar betejën për çlirimin e Kosovës.
Ilir Bytyqi, vëllau i Yllit, Agronit e Mehmetit, në një intervistë për gazetën Nacionale ka shprehur zhgënjimin e tij që kriminelët asnjëherë nuk e morën dënimin e merituar.

“Qeveria e Serbisë vazhdon të shkaktojë kaq shumë dhimbje te familja jonë. Sa herë që e shoh Goran Radosavleviqin në publik, apo kriminelët e tjerë të luftës që trajtohen si heronj, vendosmëria jonë vetëm sa rritet. Lufta nuk është vetëm për familjen tonë, por për të gjitha familjet që humbën më të dashurit e tyre gjatë luftës dhe ende nuk kanë parë drejtësi. Fatkeqësisht ne nuk jemi vetëm në këtë përvojë. Por, edhe ne nuk jemi vetëm në luftën tonë, e as ata si ne”, shprehet Ilir Bytyqi.
Mesazhi i familjes Bytyqi është i qartë dhe i shkurtër për shtetin e Serbisë. Kërkojnë përgjegjësi.
“Nëse Serbia dëshiron të largohet nga e kaluara e saj, ajo duhet të ndalojë mbrojtjen e kriminelëve të luftës. President Vuçiq, ti e di kush i vrau vëllezërit e mi. Ka kaluar kohë për të bërë diçka për këtë”, është shprehur vëllau i Yll, Agron e Mehmet Bytyqit.
Si e lanë Amerikën për UÇK-në?
Vitet 1998-1999 ishin të kobshme për popullin e Kosovës. Megjithatë, nuk mungoi as mobilizimi për luftën rreth çlirimit të Kosovës. Thirrjet shkuan edhe në Amerikë, nga ku një numër ushtarësh erdhën në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së.
Në mesin e atyre që u bashkuan ishin edhe Yll, Agron e Mehmet Bytyqi. Vëllau i tre pjesëtarëve të Batalionit Atlantiku që u vranë nga Serbia, tregon si erdhi deri te kthimi i tyre në Kosovë për të luftuar.
“Më kujtohet mirë si sot, kur forcat serbe po i dhunonin gratë, burrat, fëmijët, po i plaçkitnin, po ua mohonin të drejtat, po i dëbonin me forcë nga mëmëdheu i tyre. Ne, si familje, nuk mund të qëndronim pa bërë gjë për këtë”, nis rrëfimin Ilir Bytyqi.
“Më pas, dëgjuam se komunitetet amerikano-shqiptare po grumbulloheshin për të shkuar në luftë dhe për t’iu bashkuar UÇK-së, prandaj të gjithë morëm pjesë. Fatkeqësisht, poshtë e lart te udhëheqësit e komunitetit, ata vendosën që vetëm tre nga ne të shkojmë. Vendimi u mor mes nesh, vëllezërve. Ylli, Agroni dhe Mehmeti shkuan”, tregon ai.

“Pas përfundimit të luftës, ata vendosën që të bënin punë humanitare. Disa ditë më vonë, përderisa ishin duke bërë punë humanitare, pa dijeni për kufijtë në atë kohë, futen në Serbi dhe dënohen me dy javë burgim për kalim të paligjshëm. Më pas, ata iu dërguan policisë sekrete serbe dhe kurrë më nuk dëgjuam prej tyre. Dy vjet më vonë, ata u gjetën në një varr masiv me mbetjet e 72 shqiptarëve në Petrovo Selo, 300 kilometra në veri”, thekson Iliri.
Por, cili ka qenë kontakti i fundit që e ka pasur Ilir Bytyqi me tre vëllezërit e tij?
“Kontakti i fundit që e kam pasur me vëllezërit ka qenë pas përfundimit të luftës, kur ata ishin në Shqipëri, duke më bërë të ditur se janë të gjithë shëndoshë e mirë dhe se do të kthehen në Kosovë”, u shpreh Ilir Bytyqi.
Zhgënjimi i familjes dhe Amerikës me drejtësinë
Duart e tre vëllezërve ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.
Familja Bytyqi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tash e 23 vjet është në kërkim të drejtësisë. Një gjë të tillë madje, e ka kërkuar edhe vet shteti amerikan e kongresistë të ndryshëm në takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Është shkatërruese. Por, unë jam ende me shpresë dhe besoj se me gjithë qenien time do ta shohim drejtësinë. Se vëllezërit e mi do ta gjejnë drejtësinë. Faktet dihen. Rasti është i qartë. Të gjithë, edhe presidenti i Serbisë, e di se kush është përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të tmi. E vetmja gjë që mungon është vullneti për t’u përballur me të vërtetën, me këtë të kaluar”, deklaron Ilir Bytyqi për Nacionalen.

Familja Bytyqi ka shpresë në presidentin Biden, për zgjidhjen e këtij rasti.
“Kjo është një pyetje që ata duhet të përgjigjen. Por ne jemi të inkuruajuar nga emërimet e fundit brenda qeverisë dhe mbajmë shpresën që presidenti Biden kishte kërkuar zgjidhje për rastin tonë”, ka përfunduar Ilir Bytyqi.
Historia e vëllezërve Bytyqi nga Amerika
Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.
Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.
Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç’rast edhe u arrestuan menjëherë.
Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.
Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo.

