Rezoluta në KE, a do t’i kushtojë Edi Ramës arroganca në “luftën” kundër raportit të Dick Martyt? - NACIONALE

Rezoluta në KE, a do t’i kushtojë Edi Ramës arroganca në “luftën” kundër raportit të Dick Martyt?

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Një fjalim të gjatë, shumë të gjatë, e mbajti Edi Rama dy ditë më parë në Asamblenë e Këshillit të Evropës, ku foli kundër raportit të Dick Martyt. Krahas përmbajtjes, kryeministri shqiptar u kritikua edhe për mënyrën se si iu drejtua deputetëve të pranishëm. Nga disa u kritikua si paraqitje arrogante dhe ofenduese, duke bërë që një pjesë e anëtarëve të Asamblesë të refuzojnë pjesëmarrjen në darkën e shtruar nga Rama në Strasburg.

Ky fjalim erdhi pasi Shqipëria deponoi një rezolutë të re në Këshill të Evropës, nëpërmjet të së cilës kërkon “korrigjimin” e raportit të Martyt, që flet, ndër të tjerash, edhe për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë.

Njohësit e politikës ndërkombëtare e diplomacisë, ndonëse e vlerësojnë si fjalim të duhur, janë të ndarë rreth ndikimeve që mund të ketë diskursi i ashpër, që në disa raste përshkallëzoi në përplasje direkte mes Ramës e deputetëve të KE-së, në shanset që rezoluta e Shqipërisë të marrë bekimin e këtij institucioni panevropian.

Ndoshta…

Ibrahim Gashi, profesor universitar i diplomacisë, e vlerëson fjalimin e z.Ramës si përmbajtësor. Gashi, që dikur ishte zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës, vlerëson se pavarësisht që grupe të caktuar mund të kenë pasur vërejtjet e tyre, të tjerët ndien një “një përgjegjësi objektive”.

“Tani, sipas mendimit tim, Rama tha atë qe duhej thënë. Edhe mënyra se si e elaboroi çështjen mendoj se ishte shumë përmbajtësore. Ai foli si lider i një shteti anëtar i KE, shtet anëtar i NATO-s. Nuk mendoj se fjalimi do të duhej të ishte ndryshe. Sa i përket se si është pritur tek grupet politike nuk mund ta them, sepse perveç Serbisë nuk pati ndonjë kundërshtim të hapur. Sigurisht se grupe të caktuara politike të spektrit popullor mund të kenë pasur vërejtjet e tyre, por konsideroj se edhe ata, përkatësisht paraardhësit e tyre që kanë votuar Raportin e D. Martit për ta bërë Rezolutë, mendoj se dje nuk u ndjen mirë gjatë fjalimin, në sensin e një përgjegjësie objektive që kanë ndaj akteve themeluese dhe frymës së Keshillit të Evropës, si trupi më i vjetër që mbron dhe promovon të drejtat e njeriut dhe demokracinë!”, tha profesori i UP-së, Ibrahim Gashi për Nacionalen.

Por, një profesor tjetër i Universitetit të Prishtinës ka një interpretim më ndryshe nga ai i Gashit. Bekim Baliqi, ligjërues në Departamentin e Shkencës Politikë në UP, i shpjegoi Nacionales ndikimet e mundshme që mund të ketë fjalimi i Ramës në gjasat që rezoluta e Shqipërisë të votohet në KE.

“Sigurisht që fjalimi i z. Rama mund të jetë i drejtë dhe tingëlloj i duhur, por në anën tjetër mund të interpretohet edhe si njëlloj akuze ndaj KE dhe deputetëve, të cilët mund të mos e pëlqejnë aspak këtë. Në rrafshin diplomatik kjo edhe mund të penalizohet, dhe ka gjasa të mëdha që disa nga deputetët edhe për këtë arsye nuk do të votojnë për aprovim të Rezolutes kundër Dick Martyt. Gjithashtu, kjo të len përshtypje që z.Rama më shumë e ka bërë këtë fjalim të flaktë për konsum të brendshëm sesa që për ç parimore.”, deklaroi z.Baliqi për gazetën Nacionale.

Megjithatë, Baliqi nuk beson që “fjalimi arrogant” i Ramës do të ndikojë në shanset e Kosovës për anëtarësim në KE.

“Ndërsa, sa i përket anëtarësimit të Kosovës, mendoj që deputetët do të ndikohen më shumë nga qëndrimet e partive dhe vendeve prej nga vijnë sesa nga ky apo ndonjë fjalim i caktuar. Prandaj, nuk mund të themi se ndikon në pëkrahje ose mospërkrahje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.”, theksoi Baliqi.

Kujtojmë që Nacionale sqaroi se përkundër zellit e spektaklit të Ramës në Asamblenë e Këshillit të Evropës, fjalimi i tij nuk do të ketë asnjë ndikim në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku po mbahen të paraburgosur ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerët.

Lajme të ngjashme