Reduktimet: Deputetët e opozitës akuzojnë qeverinë për refuzim të projekteve e keqmenaxhim të situatës - NACIONALE

Reduktimet: Deputetët e opozitës akuzojnë qeverinë për refuzim të projekteve e keqmenaxhim të situatës

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Të dielën KEDS-i përmes një komunikate për media njoftoi se ka marrë urdhër nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të hënën të fillojë vendosjen e kufizimeve të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të KEDS-it, këto kufizime do të zgjasnin deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët. Këta të fundit do të kenë 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime të hënën si rezultat.

“Prej nesër, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mos mbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi.” - thuhej në njoftimin e KEDS-it të dielën.

Më pak se një ditë pas njoftimit për reduktime, duket se është gjetur zgjidhja, të paktën përkohësisht.

Përmes një komunikate, KEK-u ka thënë se bashkëpunimi i ndërsjell mes institucioneve simotra po tregon rezultate pozitive në tejkalimin e krizës energjetike.

“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.” – thuhet në njoftim.

Poashtu ministrja Rizvanolli njoftoi me statistika për raportet e mira në sektorin e energjisë, duke kujtuar edhe një marrëveshje nga njëra prej mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive.

Kujtojmë se reduktimet, gjithnjë sipas institucioneve gjegjëse erdhën si përgjigje ndaj çmimeve të larta të tregut, që do të thotë se Kosova nuk mund të përballojë të importojë energji elektrike.

Lidhur me krizën, pushtetarët po drejtojnë gishtin në ‘keqmenaxhimin’ e 20 viteve të fundit, që kur Kosova doli nga lufta. Të tjerë pretendojnë se nuk kishte strategji dhe projekte të mjaftueshme.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në një prononcim për Nacionalen, tha se vendimi i Qeverisë në seancën e 4 gushtit i mundësoj KEDS-it të na kthej një një dekadë prapa, në kohën e reduktimeve.

“Në seancën e 4 gushtit, mazhoranca miratoj vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës në furnizimin me energji, duke i mundësuar kështu KEDSit/KESCOs që të na kthej një dekadë mbrapa – në dekadën e reduktimeve. Ajo çfarë ne kemi parë deri me tani është marrja e vendimit nga ana e Qeverise për masat e emergjencës në furnizimin me energji dhe miratimin e të njëjtit në Kuvend.” – tha Bajrami.

Me tej, ish-ministrja e Financave tha se blloqet janë mbyllur për mirëmbajtje apo të ndonjë kontrate të Qeverisë që do të siguronte energji me ndonjë nga vendet.

"Ne nuk kemi informata që blloqet kanë shku me kohë në remont, nuk ka asnjë informatë që Qeveria ka arritur të siguroj një kontratë për furnizim me energji me ndonjë nga vendet e rajonit, nuk është disbursuar as subvencioni prej 90 milionëve eurove, vendim ky i Qeverisë dhe nuk ka asnjë veprim konkret." - tha ajo.

Në fund, deputetja e LDK-së kritikoi Qeverinë e vendit për keqmenaxhim me krizën energjetike.

Në vitin 2021 kur kishte një pasqyrë të qartë se çfarë krize po na kanoset Qeveria refuzoj projektin e gazit dhe mori atë të baterive akumuluese. Jo Qeveria nuk po bën mjaft, në fakt nuk po bën asgjë për menaxhimin e krizës energjetike.

E deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i tha Nacionales se reduktimet janë rezultat i neglizhencës së qeverisë. Ai paralajmëroi për situatën e vështirë gjatë përiudhës së dimrit kur pritet të rritet konsumi i energjisë elektrike.

“Fatkeqësisht po ndodh ajo që kemi paralajmëruar që sa kohë. Neglizhenca e qeverisë në këtë temë e ka sjellur vendin në një situatë ku duhet të përballemi me reduktime qysh në muajt e verës kur konsumi nuk është i lartë. Paramendojeni se me çfarë situatë do të përballemi gjatë dimrit kur edhe rritet konsumi.” – tha Lekaj.

Me tej, ish-kryetari i Gjakovës, tha përballë krizës kemi të bëjmë me një qeveri që është në rolin e spektatores duke përmendur refuzimin e kryeministrit Kurti për ndërtimin e termocentralit Kosova C dhe kundërshtimin e gazsjellësit.

“Qeveria tani ka mbetur spektatore, pa ndonjë strategji të qartë që do të ndikonte në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë. Kur po përballemi me reduktime, qytetarët nuk ia falin kësaj qeverie kundërshtimet e vazhdueshme të investimeve në sektorin e energjisë. Kurti ishte kundër ndërtimit të termocentralit Kosova C e ishte edhe kundër gazsjellësit. Po dëshmohet që këta njerëz janë të dështuar në qeverisje. Kjo po vërtetohet edhe në mënyrën se si e kanë menaxhuar çështjen e energjisë.” – u shpreh Lekaj.

Lajme të ngjashme