Sot u zgjidh çështja e reduktimeve, po nesër? - NACIONALE

Sot u zgjidh çështja e reduktimeve, po nesër?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një njoftim nga Ministria e Ekonomisë për çështjen e rrymës gëzoi qytetarët kosovarë. Të paktën përkohësisht.

Sipas njoftimit gjegjës, reduktimet u ndalën, pasi autoritetet kosovare energjetike kishin arritur marrëveshje me autoritetet simotra në Shqipëri.

Paqartësia

Megjithatë, diku mes rreshtave të fundit në këtë njoftim shkruan: Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim.

Kjo lë hapësirë për interpretime. Pse gjithë ajo bujë mediatike për zgjidhje të problemit kur reduktimet mund të vijojnë, për të mos shprehur siguri se do të bëhet realitet një gjë e tillë.

“Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike-Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi”, shkroi ME.

Në anën tjetër, pak më e paqartë ka qenë Qeveria. Kjo e fundit, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, përmendi faktin se reduktimet janë ndalur, por pa specifikuar kohën se për sa.

“Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike-Falë bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) dhe Korportatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhej në komunikatën e ekzekutivit.

Çka nesër?

Deri më tani nuk dihet asgjë. Kjo gjithmonë duke u thirrur në ato që kanë shkruar palët respektive.

Një njoftim i para pak çasteve nga ministrja Rizvanolli në rrjetin social “Twitter” përmban statistika, por asnjë paralajmërim.

“KEK deri sot i ka dhënë KESH-it 121.7 mijë MWh. Sot po marrim më pak se 1 mijë MWh për të evituar reduktimet.Këto janë rezultatet e prekshme për qytetarët kur ne bashkëpunojmë!”.

"Korritja"

Një deputet i VV-së ndërkaq, saktësisht Arbër Rexhaj u "korrit" për pak. Kjo pasi, jo shumë kohë para publikimit të arritjes së marrëveshjes, kritioi KEDS-in për mostransparencë, duke shtuar se ky institucion duhet të njoftojë se sa % e energjisë që prodhon Kosova dhe që duhet të importojë shkon për humbjet e KEDS, pra për vjedhjet, mosfaturimin dhe mosinvestimet në rrjet.

"KEDS ka njoftuar për ndalje të rrymës për shkak të çmimit të lartë në bursë thotë. Dhe ashtu është. Veçse KEDS duhet të njoftojë po ashtu sa % e energjisë që prodhon Kosova dhe që duhet të importojë shkon për humbjet e KEDS, pra për vjedhjet, mosfaturimin dhe mosinvestimet në rrjet.Qeveria po punon për ta stabilizuar këtë situatë por vjedhjet dhe humbjet nuk duhet më t'i paguajmë të gjithë. Le të paguajë KEDS. Në fund të fundit për këtë dhe e ka kontratën e edhe fitimin", shkroi deputeti nga Prizreni.

Gjithsesi, mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat, teksa kujtojmë faktin se pati shumë reagime gjatë ditës, për atë se çka na pret në dimër, kur kemi reduktime në pikë të stinës së verës.

Lajme të ngjashme