Shtyrja e reciprocitetit me Serbinë çan vartësit e Kurtit, Bislimi demanton Gërvallën - NACIONALE

Shtyrja e reciprocitetit me Serbinë çan vartësit e Kurtit, Bislimi demanton Gërvallën

1 javë më parë

nga Mirlind Behluli

Dy deklarata krejt të ndryshme për një çështje të njëjtë, kanë dhënë dy zëvendësit e kryeministrit Albin Kurti. Besnik Bislimi, që është zëvendëskryeministër i parë i Kosovës, ka një qëndrim tjetër nga Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre e ministre e Punëve të Jashtme, për çështjën e propozuesit të parë për shtyrjen e reciprocitetit.

Në fakt, krahu i djathtë i Kurtit e demantoi njeriun e afërt të presidentes Vjosa Osmani rreth temës se kush e propozoi i pari idenë e prolongimit për 30 ditë të reciprocitetit për targa e dokumente me Serbinë.

Kundërthëniet e pushtetarëve

A ishin amerikanë të parët, apo ishte Josep Borrell, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, njeriu i parë që propozoi shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit?

Përgjigje të ndryshme mund të marrësh, varësisht se cilin funksionar e pyet në Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga Albin Kurti.

Duket se dy vartësit e Kurtit, Bislimi e Gërvalla, zor se mund të pajtohen se kush ishte “mëkatari fillestar”.

Besnik Bislimi, dyshi i Qeverisë, e shefi i grupit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, mendon se ishte z. Borrell ideator i idesë së shtyrjes për 30 ditë të reciprocitetit.

Në RTK, Bislimi tha se Borrell e kërkoi më 31 korrik që masa të shtyhet, ndonëse e cilësoi si kërkesë fort të argumentueshme mirë.

“Më 31 korrik na ka ardhë një kërkesë nga Brukseli, ku Borrell ka kërkuar që masa të shtyhet, që personalisht mendoj që nuk ka qenë fort kërkesë qëllimmirë, nuk ka qenë e argumentueshme. Ka qenë brenga se do të ketë tensione, dhe që ka shumë dezinformim në veri dhe se ka nevojë edhe për një fushatë më të gjatë të argumentimit. Edhe pse aty shprehet që shtyrja jodomosdoshmërisht do të ndihmojë në shmangien e këtij argumenti të mosinformimit", tha ai.

Tutje, Bislimi deklaroi se Brukseli e ka të qartë ku qëndron burimi i tensionit rreth reciprocitetit.

"Brukseli e ka të vetëdijshëm që tensioni nuk është krijuar brenda qytetarëve, por është i importuar nga qendra e Serbisë. Në fakt shtyrja prej 30 ditësh do të përdoret më shumë që politikisht t'i bëhet presion Vuçiqit që të mos krijojë organzime apo inskenime të skenarëve të tillë”, tha Bislimi në RTK.

Por, ndryshe mendon shefja e diplomacisë kosovare, zonja Donika Gërvalla.

Në një cicërimë në Twitter, ajo i ishte kundërpërgjigjur Miroslav Lajçakut, të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, në çështjen e propozuesit të parë të idesë për prolongimin 30-ditor të reciprocitetit.

“Faktet mbeten fakte: Kosova ra dakord për një propozim të SHBA-së në përputhje me BE-në. Ne ramë dakord për një pauzë deri më 1 shtator 2022 - por vetëm nëse bllokadat hiqen deri më 1 gusht. Reciprociteti do të mbetet realitet. Kosova nuk ka “shtyrë” asgjë, rregullorja e kartës së identitetit ka hyrë në fuqi nga mesnata”, shkroi në kundërpërgjigjen e saj Gërvalla.

Gërvalla iu përgjigj Lajçakut, i cili kishte theksuar se e mirëpret vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e Borrellit për të shtyrë për një muaj reciprocitetin.

Çfarë do të ndodhë më 1 shtator?

Analistë të ndryshëm, të cilët u deklaruan për gazetën Nacionale, theksojnë se pas tensioneve në veri, Kosovës i është rikonfirmuar e drejta e saj për të vendosur reciprocitetin.

Por, analisti Imer Mushkolaj beson se Serbia megjithatë do të hezitojë të zbatojë një marrëveshje që vendos dy palët në parametra të barazisë.

“Konsideroj se mund të ketë një takim urgjent gjatë këtij muaji, në mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, në mënyrë që të harmonizohen proceset e mëtejshme, por nuk besoj që Serbia të jetë e gatshme që të ndërtojë një raport reciprociteti me Kosovën, duke ditur që reciprociteti paraqet parimin fundamental në mes të të barabartëve. Duke qenë se Serbia nuk e sheh si të barabartë Kosovën, mendoj se do të hezitojë edhe pas një muaji për zbatimin e një marrëveshjeje të tillë”, deklaroi Mushkolaj.

Në anën tjetër, analistja Zana Avdiu, vlerëson se ajo çfarë ndodhi më 31 korrik, duhet të jetë një mësim për Kosovën.

“Rasti i së dielës duhet të jetë mësim për qeverinë. Vendimet e tilla, për implementimin e të cilave duhet Njësia Speciale, çdoherë duhet të jenë fillimisht në koordinim me Shtetet aleate të Kosovës. Sepse, veriu është pika më e nxehtë, dhe lehtësisht mund të përshkallëzohet situata atje, dhe të na çojë krejtësisht në ndonjë realitet tjetër, prej të cilit Kosova do të mund të humbte shumë”, theksoi Avdiu për Nacionale.

Ndryshe, më 18 gusht, Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, pas tensioneve të krijuara në veri për reciprocitetin.

Lajme të ngjashme