Zyrtare: BE ia konfirmon Nacionales datën e takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel - NACIONALE

Zyrtare: BE ia konfirmon Nacionales datën e takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel

1 vit më parë

nga Trina Zuka

18 gushti është data kur kryeministri Albin Kurti do ta ketë përballë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimi do të mbahet në Bruksel, pasi ftesës së përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, të dy i janë përgjigjur pozitivisht.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se me 18 gusht Kurti e Vuçiq priten të takohen në Bruksel.

Takimin e dy liderëve, që vjen pas tensioneve në veri, do ta lehtësojë Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Por, BE nuk ka treguar se për çka do të mbahet ky takim.

“Mund të konfirmoj se pasi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën e tij dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajčák për të diskutuar rrugën përpara në Dialogu i Beogradit Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Nacionale.

Çfarë ndodhi në veri?

Ftesa për takim, erdhi pas tensioneve në veri, për shkak të reciprocitetit për targa dhe dokumente.

Në 11 raste, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla deklaroi se mërgimtarët kosovarë janë sulmuar nga strukturat paralele, pas bllokadave të rrugëve.

Gjithë kjo në kundërshtim të reciprocitetit të targave dhe dokumenteve të identifikimit.

Vendosja e masës së reciprocitet, solli të dielën tensione dhe dhunë në rrugët e veriut të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës mori vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimi. Reciprociteti u shtye për 30 shtator pas kërkesës së ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili takoi në mënyrë urgjente krerët e shteti.

Pas paralajmërimit të masë së reciprociteti serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në këto dy pika pati edhe tensione mes policisë së Kosovës dhe serbëeve që bllokuan rrugë. Bile sipas policisë, pati edhe të shtëna me armë.

Pas kësaj këto dy pika u mbyllën, dhe u kërkua nga mërgimtarët që të përdorën rrugë tjera alternative.

Në anën tjetër, pasi qeveria vendosi ta shtyjë zbatimin e vendimit, dje gjatë ditës u hoqën barrikadat, dhe vendimi u pezullua zyrtarisht. Deri në atë kohë, mbi 1 mijë dokumente u lëshuan për serbët që kishin pasaporta e letërnjoftime të Serbisë.

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës ka pranuar kërkesën e ambasadorit të SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit deri më 1 shtator.

Ndryshe, SHBA i ka ofruar mbështetje Qeverisë Kurti rrethe reciprocitetit, duke thënë se ato janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

Lajme të ngjashme