Intervistë | Profesori amerikan: Të shmangen tensionet, reciprociteti të zgjidhet në Bruksel - NACIONALE

Intervistë | Profesori amerikan: Të shmangen tensionet, reciprociteti të zgjidhet në Bruksel

1 vit më parë

nga Besian Beha

Profesori amerikan në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben – Meir e ka vlerësuar si të duhur vendimin e kryeministrit Albin Kurti, që të shtyhet zbatimi i reciprocitetit me Serbinë. Sipas profesorit amerikan, në këtë mënyrë duhet të shmangen tensionet, e zgjidhja për reciprocitetin të bëhet në Bruksel.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Ben – Meir ka theksuar se duket që marrëveshja finale ndërmjet Kosovë dhe Serbisë është me vite larg. Por që sipas tij, nëpërmjet përkrahjes së BE-së, duhet të zgjidhen problemet e vogla të cilat mund të nxisin tensionet.

Profesori amerikan pretendon se është presidenti i Rusisë, Putin, ai që po e pamundëson njohjen e Kosovës nga Serbia.

INTERVISTA:

Nacionale: Si i komentoni zhvillimet e fundit në veri të Kosovës?

Alon Ben – Meir: Ajo që ka ndodhur në veri të Kosovës nuk është befasuese. Gjithmonë ka pasur një tendencë në mesin e serbëve të Kosovës për të sfiduar qeverinë. Megjithatë, tani që bllokadat e rrugëve janë hequr dhe kryeministri Kurti ka pezulluar kërkesën e tij për reciprocitet për një muaj, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të negociojnë një zgjidhje më të përhershme përmes dialogut, të sponsorizuar nga BE-ja.

Nacionale: A kishte rrezik për përshkallëzimin e situatës, bazuar në këndvështrimin tuaj?

Alon Ben – Meir: Ekziston gjithmonë një rrezik përshkallëzimi, por jo i dhunshëm. Deri më tani të dyja palët kanë përdorur narrativa sfiduese, duke akuzuar njëra-tjetrën, por asnjëra palë nuk dëshiron të përfshihet në ndonjë aktivitet të dhunshëm. Në fakt, përdorimi i dhunës do të jetë jashtëzakonisht i dëmshëm për të dyja palët.

Nacionale: A mendoni se Kosova është në të drejtën e saj, për vendosjen e reciprocitetit?

Alon Ben – Meir: Kosova në fakt ka të drejtën e reciprocitetit, por duke pasur parasysh rrethanat në këtë moment, do të jetë e mençur nga ana e kryeministrit Kurti që të fokusohet në negocimin e një procesi pajtimi, i cili me kalimin e kohës sigurisht që mund të çojë në reciprocitet, edhe pse kjo mund të marrë pak kohë.

Nacionale: Si duhet të zgjidhet kjo situatë tani? Në Bruksel?

Alon Ben – Meir: Mund të jetë e dyshimtë se negociatat në Bruksel nën kujdesin e BE-së do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare. Fokusi duhet të jetë në zbutjen e dallimeve aktuale si një hap i përkohshëm drejt një zgjidhjeje më të përhershme.

Nacionale: Si e vlerësoni kërkesën e Amerikës që vendimi të shtyhet për 30 ditë?

Alon Ben – Meir: Mendoj se ishte veprim i mençur nga ana e kryeministrit Kurti që të shtyhej ky vendim në lidhje me reciprocitetin për të lënë hapësirë për negociata të sponsorizuara nga BE-ja, gjë që do të çonte në një tension dukshëm më të vogël mes dy palëve.

Nacionale: Në bazë të këtyre zhvillimeve, kur mund të arrihet një marrëveshje finale Kosovë – Serbi?

Alon Ben – Meir: Bazuar në këto zhvillime, besoj se zgjidhja e konfliktit serbo-kosovar në kuptimin e njohjes reciproke do të zgjasë ndoshta me vite, përderisa presidenti rus Putin kundërshton njohjen e Kosovës nga Serbia. Putini ka frikë se një njohje e tillë e ndërsjellë do të çojë në integrimin e tyre në BE, diçka që ai dëshiron ta shmangë me çdo kusht. Në të vërtetë, qëllimi i tij është të dobësojë BE-në, jo ta forcojë atë duke i bashkuar më shumë vende në këtë organizatë, veçanërisht Serbia.

Nacionale: Si e shihni zhvillimin e dialogut pas këtyre tensioneve?

Alon Ben – Meir: Eshtë e panevojshme të thuhet se dialogu mes dy palëve nën sponsorizimin e BE-së është e vetmja mënyrë për të zgjidhur konfliktin mes dy vendeve, sado që mund të zgjasë. Çdo dhunë midis dy palëve vetëm sa do t'i përkeqësojë ndjeshëm gjërat për të dyja palët dhe nuk do të çojë përpara objektivin kombëtar të asnjërit vend.

Lajme të ngjashme