Reagon Universiteti i Prishtinës: Plakolli-Kasumi nuk aplikon në konkursin për rektor
Pasi u bë e ditur se ushtruesja e detyrës së rektores në UP, Luljeta Plakolli-Kasumi është kushërira e presidentes Osmani, ka reaguar Universiteti i Prishtinës.
Universiteti i Prishtinës ka njoftuar do të sigurojë “ligjshmëri në konkurrencë përgjatë procedures së zgjedhjes së rektorit”.
Ata kanë bërë të ditur se familjarja e presidentes, nuk do të kandidojë në konkurs për rector.
“Prof. Ass. Dr. Plakolli-Kasumi ka marrë përsipër këtë detyrë që të ndihmojë mbarëvajtjen e punës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të sigurojë ligjshmëri në konkurrencë gjatë procedurës së zgjedhjes së rektorit të UP-së. E njëjta, nuk pretendon të marrë pjesë në konkursin për rektor dhe pas përmbylljes së procesit do t’i kthehet angazhimeve të saj në Fakultetin Juridik”, thuhet në komunikatë.
“Konkursi do të hapet të hënën, me datë 24 tetor 2022, dhe shpresojmë të përfundojë me sukses sipas përcaktimit të saktë dhe të qartë të ligjit, Statutit në fuqi dhe parimit të meritës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Sqarimi i UP-së vjen pas deklarimeve se Plakolli-Kasumi është kushërira e presidentes së Kosovës.