Reagon Franca pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë: Të zbatohet edhe ajo e Asociacionit - NACIONALE

Reagon Franca pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë: Të zbatohet edhe ajo e Asociacionit

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Shteti francez e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka bërë thirrje që të respektohen edhe dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Në një komunikatë për media, Franca e ka përmendur edhe propozimin franko-gjerman.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës, ka thënë se Kosova dhe Serbia pas marrëveshjes të së mërkurës, janë pajtuar që pa vonesë, t’i vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Këtu, është përmendur edhe propozimi i përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell që ka mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë, i njohur edhe si “plani franko-gjerman”.

“Nëpërmjet marrëveshjes, të dyja palët u zotuan të marrin masa të menjëhershme për targat për të shmangur përshkallëzimin. Ata ranë dakord gjithashtu që të vazhdojnë pa vonesë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, në bazë të propozimit të bërë nga Përfaqësuesi i Lartë, me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Franca ka rikonfirmuar mbështetjen për Bashkimin Evropian, për të cilin, thotë se duhet të mundësojë përparim drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes dy vendeve.

Në fund, është përmendur edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, dispozitat e të cilit, Franca bën thirrje që të zbatohen.

“Franca u bën thirrje palëve që të vazhdojnë diskutimet në frymën e kompromisit dhe të zbatojnë marrëveshjet tashmë të arritura, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe”, thuhet në komunikatë.

Kurti e Vuçiq ftohen për takim

Ndërkaq, palët shumë shpejt pritet që të ulen edhe një herë në tavolinën e bisedimeve.

Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një takim tjetër të radhës.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se ftesa u është dërguar për ditët në vijim.

Është e rëndësishme që t’i kemi ata në Bruksel, që të kemi konfirmimin e tyre për ardhjen në Bruksel në të njëjtën ditë dhe për të njëjtën axhendë, duke shpresuar që të ketë rezulate. Por përfaqësuesi i lartë i BE-së ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në ditët që vijnë. Shpresoj, që ata do të mund të vijnë, kështu që të mund të vazhdojmë në frymën pozitive që u arrit këtë javë dhe të shfrytëzojnë këtë momentum për të ecur përpara. Kjo nuk bëhet për Bashkimin Evropian, por për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, për fillimin e ndalimit të përshkallëzimit të situatës dhe përfitimin nga perspektiva evropiane”, tha ai për “ABC”.

Arritja e marrëveshjes për targat

Në mbrëmjen e së mërkurës, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targa.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave, kurse Kosova do t'i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", shtoi tutje ai.

Siç paralajmëroi edhe shefi i diplomacisë evropiane, ditëve të ardhme do të ketë edhe diskutime të tjera.

Megjithatë, detaje interesante janë parë në marrëveshjen e plotë të publikuar tashmë në media. Nga komunikata zyrtare e Brukselit bëhet e ditur se palët do t'i respektojnë në tërësi marrëveshjet e mëparshme.

Paragrafi i dytë i pikës së tretë thotë qartë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen.

"Palët pranojnë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen",
shkruan ndër të tjerash.

Lajme të ngjashme