Raportohet se zëvendës-ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka dhënë dorëheqje
Zëvendës-Ministri i Arsimit, Dukagjin Popuvci raportohet të ketë dhënë dorëheqje.
Të paktën kështu ka shkruar RTV Dukagjini duke u thirrur në burimet e veta.
Nacionale ka tentuar të flasë direkt me të dhe zëdhënësët gjegjës të ministrisë, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.
Kujtojmë faktin se dorëheqja e tij është përfolur tash e një kohë të gjatë. Pupovci u angazhua si zëvendës-ministër në qeverinë Kurti II.
Në fakt, dorëheqja e tij është nuhatur tash e sa kohë. Kjo për shkak se, konferencat që i mbante në të kaluarën, çdo të dytën të premte, nuk i mbajti së fundi.
Kur u pyet për këtë çështje ministrja Nagavci, pat thënë se ndalimi i konferencave ka ndodhur shkaku i grevës në arsim.
“Konferencat në ministri të Arsimit si tejet të rëndësishme për informimin e punës që po bëhet në ministri, i kemi planifikuar dhe i kemi mbajtur çdo të dytën të premte për shkak të zhvillimeve në kohën e grevës dhe prishjes së dinamikës të këtyre konferencave, ku nganjëherë duhej të organizohej në ditët e javës, por edhe për shkak të prononcimeve në javët e ndryshme, e kanë çrregulluar”.
Kush është Dukagjin Pupovci?
Dukagjin Pupovci (lindi më 5 qershor 1964 në Prizren) është ekspert i arsimit dhe profesor universitar nga Kosova.
Shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaroi në Prishtinë. Studimet e matematikës i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës (1985).
Studimet pasuniversitare të magjistraturës në fushën e matematikës aplikative i përfundoi në Universitetin e Zagrebit (1989), duke mbrojtur temën e magjistraturës me titull “Konvergjenca e metodave paralele për reduktimin e normës”.
Disertacionin e doktoratës me titull “Paralelizimi i disa metodave të tipit të Jakobit për zgjidhjen e problemit të vlerave vetjake” e mbrojti në FSHMN të Universitetit të Prishtinës (1998).
Në vitin 1985 punësohet si asistent në Universitetin e Prishtinës, ku më vonë u zgjodh ligjërues, docent dhe profesor. Ka kontribuar në mësimdhënie të lëndëve të ndryshme nga fusha e matematikës dhe shkencës kompjuterike deri në vitin 2010, ndërsa në periudhën 2010-2016 është angazhuar si mësimdhënës në programet e fushës së edukimit.
Ka ushtruar detyrën e anëtarit të Pleqësisë së FSHMN-së (1987-1989), të anëtarit të Kuvendit të Universitetit (1989-1993), të prodekanit të FSHMN-së (1997-2000), të koordinatorit për rindërtim të UP-së (1999-2000) dhe të anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së (2005-2007).



