50.8% e qytetarëve janë të pakënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës - NACIONALE

50.8% e qytetarëve janë të pakënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

UNDP ka publikuar raportin e kënaqshmërisë së qytetarëve të Kosovës (Pulsi Publik) me institucionet e vendit dhe liderët e tyre. Ajo që habit është kënaqshmëria me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, përkundër mos-shënimit të ndonjë arritjeje gjatë një viti e dy tre muajsh mandat.

Kënaqshmëria kishte rënë fare pak për kryeministrin Albin Kurti, derisa përqindje të larta gëzonin edhe të tjerë liderë institucionalë.

Sidoqoftë, në këtë raport evidentohet një rënie e ndjeshme e kënaqshmërisë me drejtimin politik të Kosovës. Nga 30.7 për qind sa kishin qenë të kënaqur në vjeshtën e vitit 2021, vetëm 23.2 për qind ishin të kënaqur në vitin 2022.

Ndërkohë, sipas UNDP-së numri i atyre që ishin të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës ishte rritur me 42.6 për qind.

“Kjo është një rënie prej 9.4 për qind të shkallës së pakënaqësisë krahasuar me vjeshtën e vitit 2021 (33.2%) kur ishte arritur pika më e ulët e pakënaqësisë e regjistruar ndonjëherë në anketat e Pulsit Publik,” – shkruan kjo organizatë.

Sa janë të gatshëm qytetarët për të protestuar?

Numri i njerëzve që janë të gatshëm të protestojnë sipas UNDP-së është rritur për dy për qind që nga vjeshta e vitit 2021.

37.6% e respoendentëve ishin të gatshëm që të merrnin pjesë në protesta politike në prillin e vitit 2022 krahasuar me 35.6% në vjeshtën e 2021-s.

Ky numër është më i lartë madje edhe në kohën kur vendi qeverisej nga ish kryeminsitri Avdullah Hoti.

Sa i përket ndarjes etnike, dallimi ishte shumë i theksuar. 39.4% e shqiptarëve të Kosovës ishin të gatshëm për të protestuar krahasuar me vetëm 6.7 për qind të serbëve të Kosovës.

Drejtimi ekonomik

Ka pasur një rënie në pozitivitet sa i përket perceptimit të drejtimit ekonomik të vendit, përkundër që kryeministri Kurti flet për zhvillimin ekonomik dyshifror (10.52%) dhe për rritjen e punësimit pesëshifrore (25 000).

Numri i të pakënaqurve është rritur nga 44.6% sa ishte në vjeshtën e vitit 2021 në 50.8% në prillin e këtij viti.

32 për qind e qytetarëve nuk ishin as të kënaqur as të pakënaqur me drejtimin ekonomik të vendit.

“Për dallim nga vjeshta e vitit 2021 kur gratë ishin më të kënaqura me drejtimin ekonomik se sa burrat, në prillin e vitit 2022 burrat duken më të kënaqur se gratë.”

Numri i grave të kënaqura ra nga 18.8 për qind në 15.5 për qind.

Tri problemet më të mëdha të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia (36.4%), varfëria (21.1%) dhe çmimet (7.7%.

Në këtë anketë po ashtu u evidentua edhe rënia e besimit se punësimi në sektorin publik ndodhte në baza meritore. 3.8% e popullësisë tashmë kishte humbur besimin, si duket si pasojë e skandaleve të njëpasnjëshme me nepotizmin dhe punësimet familjare.

Respondentët kishin identifikuar këta faktorë jo-meritorë në marrjen e punësimit në sektorin privat: lidhjet familjare (30%), shoqëria (13.8), ryshfeti (6.3), aleanca partiake (3.7), dukja (1%).

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme