Rrënimet e vilave në Ujman, BE-ja dhe Gjermania kundërshtojnë aksionin: Të ndërpritet çdo rrënimi - NACIONALE

Rrënimet e vilave në Ujman, BE-ja dhe Gjermania kundërshtojnë aksionin: Të ndërpritet çdo rrënimi

1 orë më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian dhe Gjermania e kanë dënuar aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës për rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit. Në reagimet e tyre, Zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasada gjermane kanë kontestuar bazën ligjore të këtij aksioni.

Në reagimet e tyre kanë bërë thirrje që të ndërpriten të gjitha rrënimet.

Përmes një reagim, BE ka vlerësuar se është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera.

BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës. BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”, është thënë në reagimin e BE-së, duke dhënë detaje tjera.

Ajo bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur. Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme”, ka vlerësuar BE.

Më tej, BE-ja ka vlerësuar se Policia e Kosovës duhet të sillet konform ligjeve në fuqi.

Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur. Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit. Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, është thënë në reagim.

Me reagimin e BE-së është pajtuar edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Derisa kjo ambasada ka shpërndarë qëndrimin e BE-së, ka vlerësuar se Gjermania është thellësisht me këto veprime.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ndan shqetësimet e shprehura nga BE-ja. Jemi thellësisht të shqetësuar për rrënimin e shtëpive pranë liqenit të Ujmanit. Respektimi i procedurave të rregullta ligjore dhe zbatimi i parimeve të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, janë thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës”, është thënë në reagimin e ambasadës gjermane.

Lajme të ngjashme