Qytetarët "ultimatum" Qeverisë Kurti: Do të protestojmë, nëse s’largohet vendimi për rritjen e tatimit në pronë - NACIONALE

Qytetarët "ultimatum" Qeverisë Kurti: Do të protestojmë, nëse s’largohet vendimi për rritjen e tatimit në pronë

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Tatimi në pronë, disi nga temë krejtësisht e padiskutuar, u kthye në çështjen më të diskutuar gjatë kësaj jave. I gjithë debati lindi pas shtrenjtimit të tatimit në pronë, pas rivlerësimit që bëri Ministria e Financave, që udhëhiqet nga Hekuran Murati. Përtej reagimit opozitar, qytetarët tashmë kanë hapur një grup që ka për synim kundërshtimin e ngritjes së çmimit. Madje, në një prononcim për Nacionalen, udhëheqësi i këtij grupi nuk ka përjashtuar mundësinë e protestës kundër tatimit të fryrë në pronë.

“As edhe një cent më shumë për tatim në pronë!” është grupi që deri tani ma mbledhur 1 mijë e 200 persona, që janë të gjithë kundërshtarë të rritjes së pagesës për tatim në pronë. Argjend Bejtullahu, krijues i këtij grupi, në një prononcim për Nacionalen, tregoi arsyen se pse e themeluan atë.

“Duke i parë shqetësimet e qytetarëve në publik, me rastin e rritjes së pagesës për tatim në pronë, vendosa ta hap grupin AS EDHE NJË CENT MË SHUMË PËR TATIM NË PRONË. Kjo rritje e pagesës për tatim në pronë e vështirëson edhe më shumë jetën e qytetarëve, duke pasë parasysh që gjendemi edhe një krizë globale e në një inflacion të thellë.” – tha ai.

Z. Bejtullahu frikësohet nga ndikimet zinxhirore të rritjes së tatimit në pronë, duke përmendur edhe shqetësimin se mund të ketë rritje të qirave.

“Kjo rritje ndikon në mënyrë zingjirore, do të rriten çmimet e qirave për biznese, e pastaj edhe qytetarëve ka mundësi se ju shtrenjtohen çmimet e produkteve.” – vlerësoi ai.

Pasi “piktoroi” këtë mozaik, z. Bejtullahu dha një sqarim interesant. I pyetur nëse do të protestohet kundër shtrenjtimit të tatimit në pronë, ai nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.

“Në grup kanë filluar qytetarët të i shprehin reagimet e tyre dhe ka shumë prej tyre që shprehen që e vetmja mënyrë që të anulohet vendimi për rritje të pagesës është të dalim të protestojmë sepse kjo qeveri nuk po kupton vetëm me reagime në rrjete sociale. Prandaj nuk e përjashtoj mundësinë e një mobilizimi në grup për protestë nëse ministria nuk e anulon vendimin për rritje të pagesës së tatimit në pronë ditëve në vijim.” – përfundoi Bejtullahu.

Ndryshe, tema e shtrenjtimit në pronë ka përplasur pushtetin me opozitën. Gjatë ditës së shtunë, Avdullah Hoti, ish-kryeminsitër i Kosovës e tash deputet i LDK-së, shkroi se Ministria e Financave e rriti vlerën e pronave pa e analizuar situatën aktuale të shoqërisë.

“Në kohën e dyfishimit të çmimeve, dyfishohet edhe tatimi në pronë për shkak se Ministria e Financave e rrit vlerën e pronave pa i marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike në vend.” – shkroi ai, duke dhënë edhe ca rekomandime në emër të LDK-së.

Ndaj këtij postimi të z. Hotit, reagoi Hekuran Murati, ministër i Financave, duke e kritikuar LDK-në. Në postimin e tij, Murati ripërsërit një premtim të dhënë edhe dje gjatë ditës për lirimin na prona të qytetarëve në vlerën deri 100 euro.

“Mirëpo opozita e kundërshton këtë propozim që do të lironte 95% të tatimpaguesve, dhe kërkon që të kthehet vlerësimi i vjetër.” – shkroi ai.

Tutje, Murati goditi edhe biznesmenët e tregtarët, duke treguar se pse sipas tij LDK po e kundërshton këtë nismë të Ministrisë së Financave.

“Sepse janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa.

Pra, me propozimin e opozitës/LDK-së:

❌ 95% e tatimpaguesve nuk do të përfitonin nga falja e tatimit në pronë.” – shkroi ai, duke paralajmëruar edhe ndryshim të ligjit, i cili sipas Muratit do të fillojë me tatim progresiv.

Lajme të ngjashme