Hekuran Murati reagon përsëri për tatimin në pronë, 'godet' LDK-në e bizneset - NACIONALE

Hekuran Murati reagon përsëri për tatimin në pronë, 'godet' LDK-në e bizneset

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka dalë me një tjetër reagim rreth situatës së krijuar pas rritjes së pagesës për tatimin në pronë. Ai ka akuzuar opozitën, më konkretisht Lidhjen Demokratike të Kosovës pasi s’e pranoi propozimin e tij, derisa përmendi edhe disa biznese ndërtimore.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai sërish ka përmendur “faljen” e 100 eurove për tatim paguesit, e që sipas tij, kjo po kundërshtohet nga opozita.

“Mirëpo opozita e kundërshton këtë propozim që do të lironte 95% të tatimpaguesve, dhe kërkon që të kthehet vlerësimi i vjetër.” – ka shkruar ai.

Tutje, Murati ka pyetu “A e dini pse?”, dhe vetë është përgjigjur.

“Sepse janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa.” – ka shkruar tutje ai.

Postimi i plotë:

Është shumë e thjeshtë, me propozimin tim, që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë:

85% e tatimpaguesve nuk do të paguanin ASGJË për vitin 2023 (ata që tashmë kanë paguar, u llogaritet si parapagim për vitin vijues)

10% të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro për vitin 2023

Pra vetëm Top 5% e tatimpaguesve (që përfshin edhe bizneset) do tu binte të paguanin më tepër se 100 euro për tërë vitin 2023.

Mirëpo opozita e kundërshton këtë propozim që do të lironte 95% të tatimpaguesve, dhe kërkon që të kthehet vlerësimi i vjetër.

A e dini pse?

Sepse janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa.

Pra, me propozimin e opozitës/LDK-së:

95% e tatimpaguesve nuk do të përfitonin nga falja e tatimit në pronë

Nëse e marrim vetëm një rast të një biznesmeni ndërtimtar, me vlerësimin e vjetër do të paguante 27 mijë euro më pak tatim sesa me vlerësimin e ri - raste të tilla ka shumë

Një tjetër pronar marketesh, me vlerësimin e vjetër që po e kërkon LDK, do t’i binte të paguajë rreth 70 mijë euro më pak

Pra, qytetarë të dashur, kushdo që me të vërtetë ka hallin e qytetarëve, e mbështetë propozimin që secilit t’i falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë.

E ata që kanë hallin e biznesmenëve e ndërtimtarëve, e mbështesin propozimin e opozitës që të MOS u lehtësohet barra 95%-shit, por të mbrohen ndërtimtarët e tregtarët.

—-

Ndërsa sa i përket ligjit të ri, këtë e thash edhe dje, në konferencë dhe para komisionit parlamentar, që si Qeveri shumë shpejt do ta dërgojmë ligjin në Kuvend.

Në ligjin e ri do të përfshijmë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023, si dhe do të rrisim fleksibilitetin e komunave dhe do të bëjmë tatimin progresiv për vitin 2024 e tutje, ashtu që, ata që kanë më pak të paguajnë më pak, ndërsa ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë.

Lajme të ngjashme