Qysh u trondita nga shkrimi i babait gazetar për masakrën ndaj familjes Jashari më 1998?
Në mbrëmjen e 6 marsit, teksa po shfletoja në arkivën e familjes, rastisa në një gazetë të vjetër. Titulli i ballinës, në çast, më terhjeku vëmendjen. “Toka dridhej, fëmijët qanin, Prekazi digjej” – ishte titulli i lajmit, që për autor e kishte Ymer Avdiun, babain tim, që atëbotë punonte si gazetar i Bujkut e Rilindjes.
E befasuar nga titulli dhe autori, vendosa ta lexoja, disi krenare dhe e lumtur për babain, që tash po e shijon pensionimin. Që në hyrje, menjëherë e kuptova se babai im po raportonte për masakrën e Prekazit, që kishte ngjarë më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, e që tash njihet si “Epopeja e UÇK”-së. Dhe fjalitë pasuese, më lanë pa fjalë. Madje, edhe qava derisa po lexoja fjalitë e babait e rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës në familjen Jashari.
Artikulli, i shkruar një javë pas sulmit mbi familjen Jashari, saktësisht më 12 mars 1998, hidhte dritë mbi Prekazin e pas rezistencës së Jasharajve e për gjendjen e banorëve të traumatizuar. Jeta, sipas artikullit, kishte filluar t’i kthehej normalitetit (nëse mund të ketë normalitet në kohë lufte), ndonëse atmosfera e rëndë “ndjehej në çdo hap”.
“Mitrovica me rrethinë është nën ethet e tragjedisë që po ndodhë tash e sakohë në fshatrat e Drenicës. Dje, paska kishte filluar të ngjallet jeta pasi shkollat e këtij qyteti dhe te fshatrave rreth tij kishin filluar të punonin. Megjithatë, atmosfera e rëndë ndjehej në çdo hap, në fytyrat e njerëzve. Dyqanet kishin filluar të hapëshin aty-këtu, por me orar të shkurtuar për shkak të gjendjes. Temë bisede e njerëzve ishte fjendja e tendosur në Drenicë, informatate pakta nga atje dhe varrimi i djëshëm që u bë në Prekaz, ku ishin nisur mijëra mitrovicas, por, që nuk kishin arritur të dëpërtonin as qindar sish. Dëshmitarë që pardje kanë qenë në Prekazin e Poshtëm, tregojnë drmoca rrëqethëse që kanq parë atje.” – shkruante gazetari Avdiu.
Tutje, në artikull tregohej se banorët kishin ikur nga Prekazi e Drenica për shkak të terrorit të ushtrisë e policisë së Serbisë.
“Në Mitrovicë dhe në fshatrat përreth janë shumë familje nga Drenica, të cilat u strehuan përkohësisht këtu, të ikur nga krimet e ekspeditave policore e ushtarake serbe. Janë kryesisht gra, fëmijë e pleq. Dhembja më e madhe e tyre është se nuk kanë informata se çka ka ndodhur dhe se çka po ndodh tash e sa kohë atje. Janë familje të ndara që nuk e dinë ku i kanë anëtarët tjerë të familjes të cilët mbetën nëpër shtëpi dhe nëpër fshatrat e rrethuara.” – vazhdonte raportimi.
Pas përshkrimit të gazetarit, erdhi radha për të lexuar rrëfimet tronditëse të të mbijetuarëve të masakrës së Prekazit. Bahtije Jashari, një zonjë e moshuar që atëbotë ishte 70-vjeçare, tregonte saktësisht se si filloi ngjarja.
Pjesa më e dhimbshme për mua, ishte përshkrimi i frikës së fëmijëve, të cilët të tronditur me ndodhitë në lagje e të frikësuar nga policia serbe, nuk qëndronin në rresht siç u jepej komanda, por grumbulloheshin në mënyrë kaotike. Si fëmijë i mbijetuar i luftës, ishte një moment rrëqethës teksa përfytyroja fëmijët që dridheshin nga frika e hyrë në palcë nga terrori mbi familjen Jashari.
Disi arrita t’i dal në fund shkrimit, por ndihesha krejtësisht e pafuqishme të tranksriptoj rrëfimet e fëmijve e të mbijetuarve të tjerë, andaj i kërkova ndihmë vëllait tim, Shpendit, në këtë drejtim. Përshkrimi i dhimbshëm sa vinte e rritej, kur e lexoja rrëfimin e zonjës Bahtie, e cila e përshkruante vrasjen e të djalit.

"Bahtie Jashari, 70 vjeçare rrëfen: Në orët e para të mëngjesit të së entjes së kaluar u zgjuam nga krismat e shumta të armëve. Toka dridhej. Së pari kanë sulmuar në shtëpinë e Shabn Jasharit. Krismat kanë gjumuar në të gjitha anët. Pesë familje me rreth 36 anëtarë jemi bërë bashkë në katin e parë të një shtëpie. Kemi dëgjuar vetëm krisma, kemi parë flakë që dilte nga shtëpitë dhe kashtet e djegura. Aty qëndruam deri në orën 14 e 30 pa e qitur kokën në dritare. Gjysëm ore na e kanë sulmuar shtëpinë ku qendruam. Nuk denim me çfarë armësh gjuanin, por ishin armë të rënda. Fëmijët nisën të bërtasin. Sigurisht kur kanë dëgjuar britmat e fëmijëve, na thirrën të dalim jashtë. Kurse nëpër dritare të banjos hodhën gaz lotsjellës. Dolëm jashtë. Na urdhëruan të ecim rresht për një, por fëmijët nga frika bëheshin grumbull. Me vete kishim edhe meshkuj. Djali im Nazmiu, së pari i përcolli jashtë fëmijët jashtë oborrit e pastaj u kthye të më merrte mua, ngaseisha e palëvizshme. Ata flisnin shqip dhe serbisht. Kishin rroba të larme, me ngjyrë të zezë, të verdhë dhe të gjelbër. Vërejtëm se ata po kërkonin meshkuj për të vrarë. Viktimë e parë ra djaloshi i shtëpisë ku ishim strehuar, pastaj e vranë mësuesin Qazim Jashari. Djali im Nazmiu, rrëfen Bahtie Jashari, më rroku për krahu, mirëpo, ata ma ndanë nga krahu dhe e urdhëruan të shtrihet përmbys. E kontrolluan dhe natyrisht nuk i gjetën asgjë. E urdhëruan të ngrihet me duar lart. Parpë i thanë të shtihej përmbys dhe të dy ata policë a ushtarë para syve të mi i mbushën pushkët dhe e vranë ne vend. Djali nuk bëri zë fare. Unë u mbështeta per një shtylle. E luta të madhin zot të ma shtojë qën- dresën. Pas pak u nisa ta ktheja mbarë dhe t'ia qes një peshqir mbi fytyrë, por nuk më lanë. Të tjerët nuk i pashë më. U nisa vetëm arave me dy shtaga... – shkruhej aty.
Rrëfime të tjera, në të cilat mund të përjetoje secilin moment të luftës, ishin ato të dy zonjave na Drenica që tregonin për ditët e tmerrit të 5, 6 e 7 marsit të 1998.
“Plaka Vahide Halimi, 67- vjeçare, për ditën e sulmit rrëfen se nga frika se do të ndodhë ndonje tragjedi edhe më e madhe me familjet tona, dolëm në mal me gra e femijë dhe ia mësymë Lubovecit, ku qendruam një natë, ndërsa natën tjetër e bëmë në Oshlan. Në Prekaz mbetën djali dhe nipi. U tërhoqëm nëpër mal dhe grupe-grupe kërkuam strehim për të shpëtuar nga e keqja. Kemi dëgjuar se disa kanë arritur në fshatin Baincë… Ndërkaq, Mirishahe Halimi në shtëpi i kanë mbetur tre djemtë dhe burri, djali më i vogël 16-vjeçar. Plumbat vinin edhe mbi dyert tona dhe gjatë ikjes hasnim edhe në kufoma të njerëzve të vrarë. Rrugës pamë të vrare gruan e Hamzës me një fëmijë. Nuk na paralajmëruan fare policia që të teriqeshin gratë e fëmijët dhe për një çast mali u mbush plot të strehuar, të cilët grupe- grupe kërkonin shpëtim. Në Mitrovicë pas peripecive të shumta arriti edhe gruaja Kade Halimi me tri vajza dhe një djalë, ndërsa në shtëpi ka lënë burrin dhe djalin tjetër. Për djalin e motrës sime, Ilaz Kadriun nga Prekazi i Ulët nuk dihet asgje sikurse edhe për Rexhep Kadriun”.
Teksa po lexoja rrëfimet e banorëve, të cilat i solli në gazetë babai, e kuptova se gazetari duhet të ketë vullnet, guxim e përkushtim për të arritur tek e vërteta, ndonëse ajo e vërtetë nganjëherë edhe të shtangë.

