"S'e nënshkroi Vuçiqi": Qysh po e arsyeton VV-ja marrëveshjen e Ohrit?
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes më 18 mars në Ohër të Maqedonisë Veriore. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të BE-së, u pajtuan që marrëveshja të fillojë të zbatohet “menjëherë”. Ndërkohë, pushtetarët po tregojnë që Kosova ka fituar nga kjo marrëveshje, pasi ajo nuk është nënshkruar nga Serbia.
Me të kuptuar lajmin nga Ohri se Kosova dhe Serba u pajtuan që të zbatojnë marrëveshjen e arritur më 27 shkurt në Bruksel, vartësit e pushtetit dhe përkrahës të VV-së dolën me interpretimet se marrëveshja është e mirë për Kosovën, nuk ka Asociacionin e të tjera qëndrime.
Qëndrimi kryesor i tyre mund të themi se ishte që, marrëveshja është e mirë sepse Serbia nuk ka pranuar që të nënshkruajë.
Qëndrimi i pushtetit
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Maxhuka ishte i pari që tregoi se qysh Kosova ka fituar nga marrëveshja pasi Serbia nuk ka pranuar që ta nënshkruajë.
“Nëse qenka pranuar 'Zajednica' pse Serbia ikën nga nënshkrimi?!” – shkroi ai pak çaste pas përfundimit të takimit.
Pas tij u lëshuan edhe anëtarë e deputetë të tjerë të këtij subjekti politik që udhëheq tash e dy vite me shtetin.
Zyrtarja e Kryesisë së VV-së, Dejona Mihali, pyetu se pse nuk “nënshkroi Vuçiqi”, duke nënkuptuar se ai nuk u pajtua pasi marrëveshja ishte jo e mirë për Serbinë.
“Pse vallë nuk nënshkroi Vuçiç? Kryeministri Albin Kurti:"Unë nuk e kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme ta nënshkruaj. "Vuçiç: "Nuk ka dakordim, Asociacioni duhet të jetë në rend të parë."” – ka shkruar ajo në Facebook.
Po ashtu, anëtari i VV-së, Hysamedin Feraj, pa si fitore të Kosovës mosnënshkrimin e marrëveshjes nga Serbia.
“Përmbledhtas, anti-albinët po thonë: Albini ia ofroi Vuçiqit Zajednicën, prandaj Vuçiqi nuk e nënshkroi marrëveshjen që i siguronte serbëve krijimin e Zajednicës në Kosovë!” – ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, deputeti Mefail Bajqinovci, përveç që tha se nuk ka Asociacioni, ai theksoi diçka më shumë.
Bajqinovci pretendon që marrëveshja e arritur e “shkrinë fusnotën”.
“Marrëveshja më në fund e shkrinë fusnotën. E zhbën Zajednicën e 2013 dhe 2015 në vetëmenaxhim kushtetues. E ngritë në çështje urgjente temën e të zhdukurve. I hap rrugë Kosovës për njohjet e reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Siguron njohjen e pasaportave dhe simboleve. Dhe nuk ia plotëson dëshirën opozitës dhe opozitarëve”- ka shkruar Bajqinovci të dielën.
Edhe deputetja më e zëshme e VV-së, Fitore Pacolli, pati disa fjalë për marrëveshjen e mbrëmshme.
Ajo kryesisht u fokusa tek çështja e “vetëmenaxhimt të serbëve” që u cek në aneksin e zbatimit të marrëveshjes, duke thënë se nuk ka Asociacion e as autonomi.
“Vetmenaxhimi nuk është zajednicë as asociacion plus as vetëqeverisje e as autonomi. Edhe sonte u pa se Kosova është në rrugë të mirë dhe e gatshme të ecën përpara pa frikë e me vendosshmëri.” – ka shkruar Pacolli në Twitter.
Mirëpo, për çudi dikush nga VV-ja e kuptoi që Serbia edhe pse nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, obligohet ligjërisht ta zbatojë atë, pra fare pak ka rëndësi nënshkrimi.
Ishe deputeti, Armend Muja që tha se se edhe pa nënshkrim të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, dakordimi nënkupton se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për dy palët.
“Kosova ishte e gatshme të nënshkruaj, Serbia jo. Megjithatë, edhe dakordimi me procesverbal është marrëveshje ligjërisht e obligueshme sipas praktikës së të drejtës ndërkombëtare.” – ka thënë Muja i cili ndoshta do të pendohet pasi e ka thënë të vërtetën.
E krejt kjo qasje dhe këto qëndrime, që Kosova ka fituar pasi Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, zanafillën e ka tek lideri i kësaj partie, Albin Kurti.
Ai disa ditë pas pranimit të propozimit të BE-së, në Kuvendin e Kosovës gjatë raportimit për pranimin e planit të BE-së, ndër të tjera tha se refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtje.
“Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dyja palëve. Refuzimi për ta nënshkruar është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen” – ka thënë Kurti më 2 mars në Kuvend.
Ndryshe, zbatimi i marrëveshjes siç u tha nga kryediplomati i BE-së, Josep Borell, do të fillojë se zbatuari “menjëherë” pasi palët janë pajtuar dhe që nënkupton se nënshkrimi s’ka shumë rëndësi siç po tentohet të bëhet nga ana e pushtetarëve.






