Qysh na shpëtuan prej 'luftës', Kurti e Vuçiqi? - NACIONALE

Qysh na shpëtuan prej 'luftës', Kurti e Vuçiqi?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Mbi përdhosjen e përjetimit më të rëndë e më të rëndësishëm të jetëve tona.

Nëse do t’i besonim Borrellit, Kurtit e Vuçiqit, nuk ishim edhe fort larg masakrave, përdhunimeve, shkatërrimeve. S’ishim fort larg luftës. Nëse do t’i besonim Borrellit, Kurtit e Vuçiqit sot do të dilnim në shesh e do të festonim që na shpëtuan. Por, natyrisht se nuk i besojmë. Dhe natyrisht se nuk do t’i besojmë.

Pak para se të mbahej takimi në Ohër, kryediplomati i BE-së u shpreh se e kishte shmangur konfliktin e plotë në Kosovë. Kryeministri ynë, do të ‘vallëzonte’ sipas kësaj muzike gjatë gjithë vitit 2022. Gati në çdo paraqitje publike do të përmendte luftën nga Serbia, bile kur kur kërkonte investime të huaja direkte. Presidenti serb do të ‘vallëzonte’ edhe më me ritëm. Do të bënte zyrtarisht kërkesë te KFOR-i për rikthimin e trupave serbe në Kosovë, edhe pse do ta pranonte haptas se e dinte që do t’i refuzohej. Pastaj, do t’i nxiste bandat e kriminelëve të vegjël që kontrollon për të bërë ndonjë ‘tension’. Kosova do t’i falte, e Kurti do të bëhej sikur “s’dinte asgjë”.

Mësymja e tyre ishte e qartë: donin të na frikësonin, e përmes frikës, ta bënin më të rëndësishëm veten e tyre. Vuçiq është president dhe jo mbret i Serbisë. Kurti është thjesht kryeministër, i mbrojtur veç nga profile të rreme Facebook-u apo të ngjashëm me ta. Por, askush s’u frikësua. Shqiptarët dhe serbët vazhduan punët e tyre si zakonisht derisa Kosova dhe Serbia bënin përpjekje të ulnin e të ngrisnin tensione për të marrë vëmendjen e tyre. S’ia rraste kush Kurtit. S’ia rraste kush Vuçiqit. S’ia rras kush Borrellit. E s’do t’ia rras kush marrëveshjes.

Por, ama, dëmi që shkaktuan është i madh. Propozimi Evropian u shtri nën urgjencën e rreme të këtyre luftërave që mund të ndodhnin e ‘tensioneve’ që gjoja po ndodhnin. Mos-transparenca e tij e turpshme po ashtu. E bashkë me këtë ‘urgjencë’ e këtë mos-transparencë, e patëm luksin të mos ofronin asgjë.

Propozimi Evropian s’është tjetër veçse një marrëveshje për të mos u marrë vesh edhe për të paktën një dekadë tjetër. Pra, për ta zgjatuar edhe për një brez tjetër status quo-në e neveritshme që po zgjat qe 15 vjet. Sepse natyrisht, kur vepron në mënyrë arrogante e jokompetente rezultatet përmbajtësore s’kanë mundësi të vijnë.

Shumica prej nesh e mbajnë mend marsin e vitit 1999 kur ndodhnin bisdimet e Rambouillet-së. Ishte goxha më ndryshe se rrethana aktuale. Kishte përnjëmend luftë. Përnjëmend vrasje, përdhunime e shkatërrim. Ne nuk bëheshim sikur po vdesim e ata sikur po na vrasim. S’i kisha më shumë se gjashtë vjet, por e kuptoja se ajo që po ndodhte, po ndodhte përnjëmend.

Ju lus të gjithëve që ta shihni pak Kosovën e tanishme nga ajo perspektivë. E kishim pranuar atë marrëveshje nën rrethana okupimi, të rrezikuar seriozisht nga zullumet e luftës. Qysh ka mundësi që e pranuam këtë marrëveshje tash, nën këto rrethana?

Nuk ka asnjë dyshim se Kurti po abuzon në mënyrë foshnjarake ndaj secilit prej jush. Abuzimi i tij me fjalë është me sa duket kompulsiv. Dhe s'do të ndalet as në vazhdim. Do të na thotë se si është shmangur lufta me Serbinë, se si është arritur në fakt "njohja de fakto", se si të tjerët e kanë ndarë Kosovën etnikisht. E kështu me radhë. Por, mos vallë edhe ju jeni aktorë të këtij cirku?

Lajme të ngjashme