Neni 18: A duhet të ratifikohet në Kuvend marrëveshja me Serbinë? - NACIONALE

Neni 18: A duhet të ratifikohet në Kuvend marrëveshja me Serbinë?

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Marrëveshja e cila u arrit më 27 shkurt në Bruksel, e plotësuar me Ankesin e zbatimit, të dakorduar më 18 mars në Ohër, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tashmë ka krijuar obligime konkrete për palët. Por, a duhet të ratifikohet ajo në Kuvend?

Propozimi franko-gjerman, që tashmë është bërë publik dhe përmban 11 nene, së bashku me aneksin e zbatimit që nga publikimi vazhdon të jetë subjekt i debatit.

Cilat nene e favorizojnë Kosovën, cilat e dëmtojnë, çka u pranua e çka jo? Këto janë vetëm disa nga pyetjet të për të cilat dhanë qendrime e opinione, partia në pushtet ato opozitare, analistë e gazetarë.

Por, kur jemi te partitë opozitare, mbase qendrimi i tyre mund të formalizohet edhe substancialisht.

Si?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se vulën përfundimtare të kësaj marrëveshje do ta ketë Kuvendi i Kosovës.

Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,” - u tha nga Presidenca.

Pra, nga kjo del se për të marrë formë, kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend me 2/3 e votave të deputetëve. Pra, dokumenti nuk do të bëhej marrëveshje e obligueshme, sipas Kushtetutës së Kosovës pa votat e opozitës.

Çka thotë neni 18 i Kushtetues?

Neni 18 i Kushtetutës së Kosovës rregullon mënyrën se si dhe kur marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në parlament.

Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: 1. territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake, 2. Të drejtat dhe liritë themelore, 3. Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare. 4 marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.”

Nga ajo që kemi parë, në tekstin e dakorduar ndërmjet Kosovës e Serbisë, del se janë rregulluar çështje territoriale, që kanë të bëjnë me respektimin e sovraniteteve të palëve, të drejtat dhe liritë themelore gjithashtu, me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë, e anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkobëtare, që kanë të bëjnë me papengueshmërinë e të dyja palëve në këtë drejtim.

Pra, kjo marrëveshje sipas Presidentes, por edhe nga leximi i Kushtetutës duhet të ratifikohet në Kuvend, e ku do të kërkoheshin së paku 80 vota, çka nënkupton se duhen edhe votat e opozitës.

Kurti i paqartë

Mbrëmë në Ohër gazetarët e pyeten Kurtin nëse marrëveshja do të shkoj ose jo në Kuvend për ratifikim.

Kryeministri nuk kishte përgjigjje të prerë në lidhje me këtë çështje, duke thënë se i mbetet BE-së, që ta gjejë modalitetin se si kjo marrëveshje të bëhet ligjërisht e obligueshme.

Çka thanë opozita?

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të ditës së 18 marsit në Ohër.

Sipas tyre, në Ohër Kurti bëri mashtrim dhe humbje të një mundësie historike. Me Asociacionin për serbët e pa njohje reciproke, sipas Abdixhikut kjo gjendje e re, është e pariparueshme më.

“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike - ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë - që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë - përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë.

Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më.”

Nga ky reagim i Abdixhikut, duket se personalisht ai ka pak shpresë që marrëveshja do të duhet t’i nënshtrohet ratifikimit në Kuvend, ani pse Kushtetuta është e qartë në këto raste.

PDK-ja?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar gjithashtu ashpër pas marrëveshjes së Ohrit, duke e quajtur, dështim të madh politik e kombëtar.

Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë.”- ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.

Tutje i pari i PDK-së, ka përmendur pasojat e kësaj marrëveshje. Pa përmendur mundësinë e rrëzimit të saj në Kuvend.

“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.”- ka thënë Krasniqi.

Duhet thënë se brenda PDK-së ekzistojnë një numër deputetësh që e përkrahin marrëveshjen.

AAK-ja?

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka përkrahur marrëveshjen.

Lajme të ngjashme