Frika nga neni 7 i propozimit të BE-së për Kosovën dhe Serbinë
Tashmë është zyrtare. Kosova dhe Serbia janë pajtuar me propozimin e BE-së për normalizimin e marrdhënieve mes dy vendeve. Pikat në këtë plan apo nenet po komentohen e po kundërshtohen me të madhe, por neni 7 i propozimit të BE-së, ka ngjallur edhe frikë në Kosovë. Çka thuhet dhe pse?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën në Bruksel janë pajtuar me propozimin e BE-së anipse nuk e nënshkruajtën.
Menjëherë pas pranimit nga Kurti e Vuçiq, Bashkimi Evropian publikoi të plotë propozimin e tyre për Kosovën dhe Serbinë.
Ky propozim ka gjithsej 10 nene dhe dy preambula. Krejt këto nene dhe i tërë propozimi i BE-së i njohur si plani franko-gjerman, po diskutohet e shpejgohet në Kosovë.
Neni 7
Mirëpo në këtë shkrimi do të ndalemi vetëm të pika 7 që duket se është problematike për Kosovën, e me të cilin është pajtuar kryeministrit Kurti.
Pika 7 e propozimit të BE-së, parasheh që Kosova të sigurojë një nivel të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë në disa fusha.
Ky nen parasheh edhe mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Po ashtu, ky nen parasheh edhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.” – thuhet në këtë nen.
Pse frikë?
Ndërkaq, ky nen ka shqetësuar qytetarët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, ndërsa analistët serbë e kanë parë nenin 7 "fitore" të Serbisë
Për profesorin së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Robert Muharremi, ky nen parasheh autonomi për serbët në Kosovë.
Ai thotë se ky nen jep shumë më tepër se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
“Asociacioni ka për bazë komunat si njësi administrative të Kosovës ku jetojnë përveç serbëve edhe komunitete të tjera, ndërsa propozimi franko-gjerman flet vetëm për komunitetin serb dhe vetëqeverisjen e tyre.” – ka shpejguar profesori Muharremi.
Më tej, ai shpreson që Qeveria e ka të njohur atë se çfarë ka nënshkruar në Bruksel.
Analisti i politikës, Fitim Salihu ka thënë se pika 7 është një hap përtej marrëveshjeve të arritura deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë.
Salihu ka shkruar në Facebook se kjo pikë parasheh autonomi për serbët dhe status special për Kishen Ortodokse Serbe.
“Pika 7, per sa kohe permendet me vete prej marreveshjeve te gjertanishme te pikes 10, eshte nje hap pertej marreveshjeve te gjertanishme – (1) autonomi per serbet (me ndonje eufemizem, si psh "vetemenaxhim") dhe (2) status special per Kishen Ortodokse Serbe (hera e pare pas 2008-s qe Kosova negocion me Serbine per statusin e Kishes).” – ka shkruar ai.
Edhe analisti i politikës, Ilir Mirena, ka komentuar pikën 7 të propozimit të BE-së më të cilën u pajtua kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mirena ka thënë se statusi special për Kishën Ortodokse Serbe është një portë e vogël e ferrit për Kosovën, e cila është hapur nga dora e kryeministrit Kurti të hënë në Bruksel.
Ai ka pyetur se çfarë do të bëhet nëse bashkësitë tjera fetare kërkojnë të njejtën gjë.
Ndërkaq, ish-zëvendësministri në Qeverinë Kurti, Edison Jakurti e ka parë si problematike pikën 7 të propozimit të BE-së.
“E pika 7 është edhe më problematike për shkak se i specifikon disa nga elementet më problematike që janë paraparë në ato marrëveshje. Nocionet 'vetë-menaxhim', 'mundësi e mbështetetjes financiare nga Serbia', 'kanal i drejtpërdrejt i komunikimit me Qeverinë e Kosovë', 'zyrtarizim i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë' janë pikërisht arsyet pse disa nga marrëveshjet që obligohemi t’i zbatojmë nga pika 10 nuk janë zbatuar deri tani.” – ka shkruar ndër të tjera Jakurit në Facebook.
Në anë tjetër, analisti serb Dushan Janjiq ka thënë se Serbia mundi të marrë edhe më shumë se që kërkoi.
Në një prononcim për Kosovo-Online, e që e transmeton Nacionalja, z. Janjiq është shprehur se Serbia ka fituar më shumë hapësirë për manovrim në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sa i përket jurisdiksionit dhe autonomisë rajonale të veri të Kosovës.
Ai ka thënë se Neni 7 “është më i mirë se Asociacioni”
“Neni 7 i marrëveshjes për Asociacionin parashikon që Asocaicioni, siç është rënë dakord më 2013 dhe 2015, mund të përmirësohet me autonomi serioze, së bashku me pavarësinë dhe statutin e Asociacionit.” – u shpreh Janjiq.
Në anën tjetër, këto ditë pritet të publikohet plani për zbatimin e marrëveshjes apo propozimit të BE-së. Në këtë plan mund të shohim se si pritet të zbatohet neni 7 dhe cili do të jetë interpretimi i qeverisë.
Duke klikuar KËTU mund t’i lexoni të gjitha nenet nga planin i BE-së.







