“Arritje e madhe” apo “mundësi e humbur” – Si e ndau plani evropian sërish opozitën - NACIONALE

“Arritje e madhe” apo “mundësi e humbur” – Si e ndau plani evropian sërish opozitën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Takimi i djeshëm ndërmjet Kurtit e Vuçiqit dhe në përgjethsi pranimi apo jo i planit të propozuar nga BE-ja, ka vënë në pah sërish dallimet ndërmjet opozitës në temat kryesore. Përderisa PDK-ja e LDK-ja kanë pasur kritika të ashpra për mungesën e njohjes nga Serbia dhe Asociacionin, AAK-ja e ka vlerësuar këtë plan si një arritje e madhe.

Qëndrimet e partive në opozitë lidhur me këtë plan janë shfaqur edhe në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, gjuha e tyre ka qenë dukshëm më e qartë mbrëmë. Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku drejtuan kritika të mëdha pasi Kurti konfirmoi pranimin e planit në parim, përderisa Ramush Haradinaj pati lëvdata.

Në një postim në rrjete sociale menjëherë pas përfundimit të takimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se Kurti e humbi mundësinë për të siguruar njohje nga Serbia.

“Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër. Krahas rritjes enorme të emigrimit si pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë. Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë”, shkroi kryetari i PDK-së.

Me qëndrim të përfarët u paraqit edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai deklaroi se me planin e pranuar në parim mbrëmë, u pranua edhe Asociacioni, përderisa nuk ka njohje reciproke.

“Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes - ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët. Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake - përfshirë dhe Asociacionin - si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, ka shkruar Abdixhiku.

E një qëndrim krejt tjetër e prezantoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se pajtimi për ta pranuar planin evropian, është arritje e madhe.

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe. Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja. Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes 'de jure' midis Kosovës dhe Serbisë!”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale.

Kjo temë duket se ka ndarë sërish opozitën. Kritika të shumta ka pasur për partitë opozitare lidhur me dështimin që të jenë unik në tema të ndryshme, përballë pushtetit. Kjo vërehej edhe në iniciativa të ndryshme kur dërgonin ligje në Gjykatën Kushtetuese, duke u ankuar edhe ndaras.

Çfarë thanë Kurti, Vuçiq, Borrell e Escobar?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ka qenë pala serbe që nuk ka pranuar ta nënshkruajë qysh mbrëmë marrëveshjen lidhur me planin evropian, raporton Nacionale.

"Unë nuk nënshkrova, sepse Serbia nuk ishte e gatshme të nënshkruante", tha ndër tjerash.

Gjithashtu, shefi i ekzekutivit foli edhe për rrjedhën e takimit, duke thënë se ishte pozitiv.

"Sot patëm një takim pozitiv, konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara. Tash, ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit, por do të ketë edhe takim të radhës të nivelit të lartë, diku kah mesi i muajit mars, sërish me lehtësimin e Borrell dhe Lajçak.", - tha Kurti.

Kurti kur u pyet për Asociacionin, tha se këtë përgjigje e ka dhënë edhe më herët. “Është fjalia e fundit në nenin e fundit”, deklaroi Kurti.

E pikërisht marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin, krijoi pakënaqësi tek pala serbe. Presidenti i Serbisë deklaroi se kryeministri i Kosovës nuk ka pranuar zbatimin e kësaj marrëveshje.

"Do të takohemi prapë me datën 18. Ka qenë një takim i vështirë. Kurti ka refuzuar të flasë për Asociacionin", tha ndër tjerash Vuçiq.

"Deri tani po flasim për gjërat dhe situatën. Mendoj se është e rëndësishme dhe ajo që do të bëjë është njoftimi i Bashkimit Evropian. Nëse është kështu, është deklaratë e tyre. Sigurisht që do të flitet për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme. Unë insistova në Bashkësinë e Komunave Serbe, kurse ai nuk ishte i gatshëm", deklaroi presidenti serb.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që nuk ka nevojë për diskutime të tjera lidhur me propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

“Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime tjera për propozimin e BE-së që e ka titullin: marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi të dy liderët u pajtuan se nuk ka nevojë për më shumë diskutime, teksti i marrëveshjes do të publikohet”, tha Borrell pas takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Sipas Bashkimit Evropian, palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të vazhduar me procesin e zbatimit të marrëveshjes.

Emisari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur pas takimit në Bruksel.

Në një prononcim për Kanal10, ai ka deklaruar se palët janë larg marrëveshjes dhe se duhet punë për t'i bindur që të nënshkruajnë.

“Ka ende punë për të bërë. Do të jap më shumë detaje nesër, por tani për tani gjithçka që mund të them është se kemi ende punë për të bërë” - tha ai.

Takimi i radhës do të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme