Endrit Thaçi: Kjo betejë nuk ka mbaruar - NACIONALE

Endrit Thaçi: Kjo betejë nuk ka mbaruar

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë babanë e tij, i cili u dënua me 25 vjet burgim.

Në reagimin e tij, Endrit Thaçi ka falënderuar mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se do t’u bashkohet atyre sapo të kthehet në Kosovë.

“Falënderoj të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin. Në veçanti ata që nuk e ndalën zërin edhe pas vendimit”, ka shkruar ai.

“Mirënjohja ime shkon për secilin prej jush që na u bëtë krah ndër vite, në këtë rrugëtim të padrejtë të babit dhe shokëve të tij”, ka vijuar Thaçi.

Ai ka thënë se do t’i bashkohet zërit të mbështetësve, duke theksuar se, sipas tij, beteja nuk ka përfunduar.

“Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitem edhe unë zërit tuaj, sepse kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet e maturi”, ka shkruar Endrit Thaçi.

Në fund të reagimit, ai është shprehur se historia e UÇK-së, sipas tij, nuk mund të ndryshohet nga një vendim gjyqësor.

“Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre. Këtë histori nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim”, ka përfunduar ai.

Lajme të ngjashme