A ia huqi keq Kurti? Njohësit thonë se nënshkrimi s'është i domosdoshëm për marrëveshje ndërkombëtare - NACIONALE

A ia huqi keq Kurti? Njohësit thonë se nënshkrimi s'është i domosdoshëm për marrëveshje ndërkombëtare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

E vetmja pikë që duket se po i ofron mbrojtje Kurtit dhe të tijëve pas arritjes së marrëveshjes në Ohër është... mungesa e nënshkrimit nga presidenti serb. Por, a po ia huqin rëndë në këtë pikë?

Natyrisht, nënshkrimi është e vërtetë se mungon. Dhe natyrisht, Kurti ka insistuar që të hidhet nënshkrim mbi këtë marrëveshje.

Por, sipas analistit Robert Muharremi, marrëveshjet juridike ndërkombëtare “nuk duhet të jenë të nënshkruara për të krijuar detyrimet juridike ndërkombëtare.”

Ai shton se “këtë (gjë) do të duhej ta dinin juristët e Qeverisë”.

Sipas tij, Marrëveshja e arritur mbrëmë tashmë është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme, ani pse nuk është nënshkruar.

Të njëjtën bindje e ndan edhe Besfort Rrecaj, profesor i Marrëdhënieve dhe të Drejtës Ndërkombëtare.

“... gjykatat ndërkombëtare kanë pranuar marrëveshje ndërkomëbtare si të obligueshme në rastet kur ato kanë dalë si rezultat i negocimit dhe ajo është regjistruar në një procesverbal zyrtar...”shkruante z. Rrecaj.

“Andaj, Kryeministri duhet të ketë kujdes në negociata dhe atë se si po deklarohet publikisht apo brenda në takime gjatë ndërmjetësimit duke shpresuar se do të ketë këshillim të mirë në këtë drejtim.” – kishte vazhduar ai.

Por, megjithatë Kurti vazhdoi me të veten duke e përmendur edhe dje mungesën e nënshkrimit nga pala serbe. Në anën tjetër, mungesën e nënshkrimit po e përmendin edhe simpatizantët e tij për t’i ikur përballjes me detyrimet që ka marrë Kosova dhe me qëndrimet e shkelura nga Kurti.

Çka tha Borrelli?

Për fat të mirë, në deklarimin e djeshëm të Borrellit përmendet mungesa e nënshkrimit por për fat të keq përmendet edhe “jofleksibiliteti i Kosovës për substancën”.

“Më duhet të pranoj se fillimisht propozuam një propozim më ambicioz e më të detajuar për Aneksin. Fatkeqësisht, palët nuk mund të arrinin një marrëveshje mbi këtë propozim të detajuar. Mendoj se kjo ndodhi sepse njëra palë, Kosova, nuk kishte fleksibilitet mbi substancën, dhe sepse Serbia në anën tjetër ishte zotuar të mos nënshkruante pavarësisht që janë plotësisht të gatshëm që ta zbatojnë.” – u shpreh z. Borrell.

Kurti në fjalën e tij mbrëmë u shpreh se BE-së tash i mbetej të gjente mekanizmin për ta bërë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme. Megjithatë, hapat e tjerë – nëse do të vijë në Kuvend ose jo Marrëveshja – janë ende të paqartë.

Lajme të ngjashme