Pse Shpejtim Bulliqit po i largohen drejtorët? VV-ja në Llap po dridhet me dorëheqje, shkarkime e akuza - NACIONALE

Pse Shpejtim Bulliqit po i largohen drejtorët? VV-ja në Llap po dridhet me dorëheqje, shkarkime e akuza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pasi edhe drejtori i tretë i Inspektoriatit në Podujevë u shkarkua nga kjo pozitë, tashmë në komunën e drejtuar nga Shpejtim Bulliqi dha dorëheqje edhe një drejtor tjetër, ai i Shëndetësisë. Çka saktësisht po ndodh me VV-në e Llapit?

Vetëvendosje po mban zgjedhjet e brendshme që pritet të rizgjedhin strukturat e reja partiake. Pakënaqësi e përplasje janë raportuar edhe në komunën e Mitrovicës, por duket se ato janë shpërndarë edhe në komunën e Podujevës që drejtohet nga z. Shpejtim Bulliqi.

Çka po ndodh?

Përveç komunës, z. Bulliqi drejton edhe qendrën e Vetëvendosjes së Kurtit në këtë komunë.

Ndërkohë që për shkarkimin e z. Besnik Mulliqit u përmend ndërhyrja në punë nga kryetari në lidhje me ndërtime përreth Batllavës, dorëheqja e sotme i jep një dimension shtesë problemit.

I pyetur nga Nacionalja për arsyet e dorëheqjes që e dha sot, tashmë ish drejtori i Shëndetësisë Driton Veliu u shpreh si vijon:

“Po, kam dhënë dorëheqje. Për arsye personale, por edhe për disa zhvillime të fundit që kanë ndodhë aty, kam dhënë dorëheqje.”

Ai nuk tregoi se cilat ishin këto zhvillime të fundit.

I dorëhequri Veliu kishte postuar një fotografi në profilin e tij në Facebook - ende pa u dorëhequr - me të shkarkuarin Mulliqi.

Mbështetje Mulliqit në përplasjen e tij me kryetarin Shpejtim Bulliqi që rezultoi në dorëheqje, i kishte dhënë edhe asambleisti i Vetëvendosjes, Florent Hasani.

Nacionalja kontaktoi z. Hasani për të mësuar më shumë mbi këto përplasje, dhe i cili e pranoi se ishte në dijeni për to.

“Jam shumë i hapur me fol drejtë, si asambleist i VV-së i kam mbështetë dhe e kam mbrojtë parimin e VV-së për të cilin jemi thirrur dhe i kemi fituar votat. E kam mbështetë drejtorin dhe realizimin e misionit të vet për mbrojtjen dhe implementimin e ligjeve. Jam në dijeni për përplasjet por duhet të jem i rezervuar, ma shumë s’mundem. Nuk kanë mujt me kanë zgjedhjet e brendshme që ka aq shumë dallime, thjeshtë secili njeri i shprehë ato të vetat. Nuk e di nësë drejtori i Inspekcionit është shkarku për shkak të rrënimit të një objekti para komunës,” - na tha asambleisti Hasani.

Edhe asambleisti tjetër me emrin Ragip Fetahu ka shprehur pakënaqësi të thella duke pretenduar se qeverisja e Bulliqit është korruptuar.

Kush tjetër?

Zëdhënësi i komunës, Fatri Zhitia, i kontaktuar nga Nacionalja u shpreh se nuk do të jepte dorëheqje.

“Unë e nënkryetarja as nuk japim dorëheqje e as nuk kemi me u shkarku. Drejtori i Shëndetësisë i ka jep arsyet e veta në letrën e dorëheqjes pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhë në komunë, të tjera çështje s’ka. Përderisa po largohen njerëzit ka mospajtime, secili i ka arsyet e veta,” – u shpeh zëdhënës Zhitia.

Drejtori i Kulturës dhe aktivisti i moçëm i partisë, Pajtim Balaj, po ashtu nuk ishte “në ngjarje” se çka po ndodhte derisa mohoi se kishte dhënë dorëheqje.

“Unë jam në pushim vjetor, se kam me u martu për dy-tre ditë. Nuk jam në ngjarje se çka është duke ndodhur, dhe iu kisha lutë që të mos më ngarkoni me qito. Ju ashtu kështu përditë boni lajme kundër meje, nuk i përcjellni asnjë prej punë që ne i bojmë, kemi nënshkru projektin 1.1 milion euro me Ministrinë e Kulturës, të cilën nuk e keni raportu. Ju jeni të interesuar me i raportu veç do që na qesine neve keq. Nuk kam dhanë dorëheqje. Unë jam në pushime vjetor,”

Duhet thënë se Nacionale nuk ka bërë lajme kundër z. Balaj apo shefit të tij “përditë”. Lajmet e botuara në lidhje me pianon e pakthyer dhe me një avancim të dyshimtë, kanë qenë në interes të lartë publik.

Në lidhje me atë që po ndodh në Podujevë, u kontaktua edhe deputeti i VV-së nga Podujeva, Fitim Haziri, por i cili po ashtu ishte në terr informativ.

Gazeta Nacionale ka mësuar me anë të burimeve ka mësuar që si pretekst për largimet, kryetari Shpejtim Bulliqi ka përmendur “mungesën e performancës” nga zyrtarët në fjalë. Por, pakënaqësitë besohet të jenë të lidhura me zgjedhjet e brendshme dhe me garën për kryetar të ri të qendrës.

Komuna e Podujevës në anën tjetër, përmes një deklarimi në Facebook është shprehur se vetëm Driton Veliu ka ofruar dorëheqjen dhe se lajmet për “shkarkimin apo dorëheqjet e zyrtarëve të tjerë janë spekulime dhe të pavërteta.”

Nacionale do t’iu mbajë të informuar me zhvillimet e reja në komunën e Podujevës.

Lajme të ngjashme