Intervistë | Kandidati për kryetar të VV-së në Mitrovicë konfirmon përçarjet në parti, zbulon prapaskena të frikshme - NACIONALE

Intervistë | Kandidati për kryetar të VV-së në Mitrovicë konfirmon përçarjet në parti, zbulon prapaskena të frikshme

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Gjatë ditës së djeshme, disa shkëndija të reja fërkimesh u shfaqën në degën e Vetëvendosjes në qytetin e Mitrovicës. Erden Atiq – ish kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut – i doli hapur kundër deputetes Fjolla Ujkani. Por, kjo del të jetë veç “maja e ajsbergut” pasi sherret e fërkat janë dukshëm më të thella. Nacionale foli me një nga ‘të fortët’ e VV-së në Mitrovicë.

Ramadan Beshiri është një aktivist i dalluar i Lëvizjes Vetëvendosje në lagjen më të madhe të Mitrovicës, Iliridë.

Ai është aktualisht kandidat për kryetar të Vetëvendosjes në Mitrovicë, dhe para disa ditësh organizoi një takim në të cilin e pranishme ishte deputetja Fjolla Ujkani.

Beshiri duke i dhënë shallin e Torcidave kryeministrit Kurti

Në atë tubim politik të pranishëm ishin mbi 100 njerëz, e kjo si duket ishte ‘halë në sy’ për aktivistin dhe ish kandidatin për kryetar, Erden Atiq.

“Porosi për deputeten: F.U. udha e mbarë në theqafje!” – shkroi z. Atiq.

Statusi i z. Atiq që më vonë është fshirë.

Beshiri i ka thënë Nacionales se në tubimet e tjera të qendrave dhe pikave të VV-së po marrin pjesë vetëm nga 4 persona. E gjithë kjo, po bëhet në kohën e zgjedhjeve të brendshme në këtë parti që pritet të nxjerr edhe një kryetar të ri.

E kur jemi te kryetari, Agim Bahtiri del se ka mbetur si anëtar i thjeshtë – të paktën tash për tash – por lojërat politike janë të mëdha.

Beshiri ka treguar edhe për prapaskenat e kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, përpjekjet për ta hequr qafe Agim Bahtirin dhe për humbjen dërmuese pa balotazh nga Bedri Hamza.

Nacionale:

Çka ndodhi me sulmin e Atiq ndaj Fjolla Ujkanit?

Ramadan Beshiri:

Ka qenë tubimi në kuadër të mobilizimit të zgjedhjeve të brenshme në Mitrovicë, i organizum prej pikës së VV-së në Iliridë, në lagjen më të madhe në Mitrovicë. E na ja kena dërgu ftesat edhe ish-kordinatorit Armend Muja dhe ish-garniturës, kryetarit, nënkryetarit, që janë shkarku pas zgjedhjeve, por kanë refuzu me ardhë. E kanë gjyku këtë tubim si jo-legal nga qendra në Mitrovicë.

Dega e ka vendos një shkrim që na nuk qëndrojmë prapa atij tubimi, por aktivistë kanë ardhur , u kanë bash tubim aktivistësh ku është folur për halle të qytatarëve, për rrjedhen e zgjedhjeve të brendshme të VV. Po problem u kanë se aty janë kanë mbi 120-130 vetë e nëpër takime që po krijohen nga qendra e pika po janë ka 4 persona, 5 persona. E ju ka dok si një lloj tubimi paralel që po e sfidon grupin punues.

Deputete Fjolla Ujkani në tubim

Fjolla veç u ardhë, na ka jep mbështetje, i kemi pëlqy si djem, ajo nuk ka ditë për këto rrethana. Nuk e di cka mundet me pas Erdeni me të.

Nacionale:

Qysh është tu funksionu qendra atje, ju e keni përmend Agim Bahtirin, Armend Mujen…?

Ramadan Beshiri:

Kryetari i VV-së në Mitrovicë u kanë Faruk Mujka, ai ka jep dorëheqje pak para shkuarjes në zgjedhje të brendshme si rezultat që e kanë pasë bashkë me Agim Bahtirin, këta kanë bashkëpunu 1 vit para zgjedhjeve lokale të 2017-s, 2016-s kanë bashkëpunu. Aktivistët këtu i kanë kritiku vazhdimisht, kanë çu kritika edhe në Prishtinë por këta kanë kandidu prapë në tetor 2021 dhe e kanë bo një humbje pa balotazh – katastrofale dhe ata janë shku në shkarkim – çelësin e zyrës e kanë dorëzu.

Por ne si aktivista e kena një lider të ri që po kandidon dhe një kryetar të ri të Mitrovicës e kena identifiku Armend Mujën, por ai nuk e ka pas guximin me kandidu, edhe pas disa tentativash që ia kanë mundësu në qendër në Prishtinë dhe 48 orë e kanë pritur që ky me dorëzu formularin por nuk ka pasë vullnet dhe i ka jep hapësirë një analfabeti si Agim Bahtiri, dhe ne si aktivista duhet me mirëmbajtë konceptin politik edhe mos me lanë çiftin e tij me dalë prapë me udhëheq.

Nacionale:

Pse nuk ka pasë gatishmëri Armendi me kandidu? A ka qenë për shkak se qendra e ka përkrah Agim Bahtirit, apo është imponu vetë Agimi?

Ramadan Beshiri:

Nuk po mundem me ditë shumë qartë, por ka hezitu. Nashta ka pasë edhe frikë nga Bahtiri që po i kundërvihet apo po kandidon me një listë të pavarur. Por e ka pasë përkrahjen tonë Armendi, sidomos lagja jonë; e kena përgatitur atë me kandidu, po ai një muaj para kohës që ishin me u shpallë kandidaturat, e ndërprejti kontaktin me ne.

Deputet Armend Muja, deputete Vasfije Krasniqi dhe aktivist Ramadan Beshiri

Nacionale:

Jo frikë nga gara, por nga Bahtiri, a po?

Ramadan Beshiri:

Frikë edhe nga Agim Bahtiri në dy aspekte; edhe nga aspekti personal po besoj edhe frikë nga kandidimi i tij (Agimit) nga një listë fantome qysh u kanë ajo lista “Forca e Diasporës”, ajo u kanë e tina.

Nacionale:

Çka do të thotë frika nga aspekti personal?

Ramadan Beshiri:

Po mos po i kundërvihet me votë.

Nacionale:

Krejt origjina e problemit është qeverisja e Bahtirit, a po iu kuptoj drejt?

Ramadan Beshiri:

Qeverisja e Agim Bahtirit është problem i politikave lokale, dmth VV-ja nuk na ka përfaqësu më në pushtetin lokal. Nuk i ka qëndru parimit të VV-së. Janë marrë me një njeri që vjen prej një partie private e Behxhet Pacollit, ai e ka bo Mitrovicën si fabrikë të kërpurdhave. Qitu u kanë çarje, dmth ka nisë çarja prej degës, pakënaqësia e qytetarëve kundrejt Agim Bahtirit e tashmë edhe gatishmëria e Armend Mujës me u ndi mirë në Komison për Buxhet dhe Transfere – jeta në Prishtinë e rroga e mirë si deputet, e jo me ia kushtu një periudhë kohore qytetit të vetë të lindjes.

Na jena kanë përkrahës të Armend Mujës në grupin e tij punues, pasi ne e dimë që e ka aferën me akreditim e disa çështje, por atë nuk ia shikumë pasi Albin Kurti vendosi me shti nën umbrellë edhe ke një momentum i caktum për me i marr VV-ja 50% edhe ja kena jep një përkrahje shumë të madhe Armend Mujës. Armendi është edhe prej lagjes ILIRIDË. Po ai pas 14 shkurtit e keqpërdori besimin tonë.

Tash asnjë nga anëtarët e kësaj lagjeje nuk është pjesë e Grupit Punues, edhe pse këtu janë 40% e krejt votës së Mitrovicës. Nuk është grupi punues gjithë-përfshirës.

Nacionale:

A keni kërku direkt sqarim prej Armendit?

Ramadan Beshiri:

Po u ardhë na ka taku, ka kërku mbështetje për Bahtirin, ka thanë nuk e kam përkrahjen këtu prej dëgës së Mitrovicës, më sabotojnë, nuk është kanë momenti jem, duheni me më kuptu, e qisi sqarime. Ka këqyr edhe neve me na përafru me Agim Bahtirin.

Nacionale:

Pse s’jeni afru?

Ramadan Beshiri:

Po ka dëmtu nëpër konkurse; i ka privatizu pasuritë e qytetit, u dal prej programit socialdemokrat, ka pasë tradhti ideologjike dhe raportet tona kanë qenë ato, dhe IMPAKTI jonë ka bo që Agimi me humbë pa balotazh.

Armend Muja e ka pa një frikë nga ne dhe nuk na ka futë asnjë prej neve në grup punues. Pra nuk e ka futë asnjë aktivist nga lagja ILIRIDA në grup punues, e që kjo lagje ka mbi 7mijë vota që nënkupton afër 40% të votës totale.

Nacionale:

Qysh po shkojnë zgjedhjet në degë?

Ramadan Beshiri:

Mbledhen pikat, por nuk po arrijnë me pasë kuorumin e caktumë me u formu si pika, sepse është në statut 7 deri në 100 antarë duhet me i pasë pika. E ka pikë që s’i ka 7 anëtarë dhe nuk mundet me u formu, është një proces që nuk ka ndodhë në histori të VV-së, që mos me pasë aktivista që e formojnë pikën, është një proces tejet I dobët.

Nacionale:

E kush potencialisht mundet me qenë kryetar dege?

Ramadan Beshiri:

Po nuk i ka shprehë askush ambiciet, përveç kandidatit të ILIRIDËS që jam unë, Ramadan Beshiri – DONI. E kena pasë një mbledhje të përbashkët të gjithë dhe iu kam kërku mbështetjen. Dhe me anë të qatij tubimi, unë kam dhënë indikacione që mundem me kanë potencial.

Nacionale:

Për fund, tregove pakënaqësitë e juaja me Agim Bahtirin; a po i bjen që jeni angazhu me fitu Bedri Hamza?

Ramadan Beshiri:

Jo nuk jemi angazhu. E kena pasë një bisedë me Agimin rreth 3 orë e gjysmë, ja kena tregu arsyet tona. Bahtiri si individ nuk u kanë problemi kryesor, se ai ka ardhë prej një subjekti politik AKR, dhe është njeri oligark, ka firma e kompani. Problemi jonë ka qenë se pse u pritë nga VV-ja, si iu ka mundësu me ardhë këtu. Na veç jena pasivizu prej tij edhe i kena tregu arsyet që për neve është i padëshiruar.

Nacionale:

Cili është roli i Bahtirit në VV atje?

Ramadan Beshiri:

Anëtar i thjeshtë, nuk merr pjesë në asnjë mbledhje as sen, por me pasë naj hapësirë ai vjen e shtrinë ndikimin e tij.

Lajme të ngjashme