Presioni ndaj shërbyesve civilë, dhjetëra zyrtarë japin dorëheqje nga Zyra e Kryeministrit - NACIONALE

Presioni ndaj shërbyesve civilë, dhjetëra zyrtarë japin dorëheqje nga Zyra e Kryeministrit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti kanë filluar edhe shkarkimet dhe presioni ndaj shërbyesve civil, të cilët janë të mbrojtur me ligj. Shumë prej shkarkimeve të zyrtarëve të lartë janë konsideruar si të kundërligjshme nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ndërsa, dhjetëra zyrtarë tjerë kanë vendosur të largohen vullnetarisht nga puna prej institucioneve publike.

Një presion i tillë ka ndodhur edhe në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Kjo zyre ka konfirmuar për gazetën Nacionale se gjatë këtij vitit dhe vitit të kaluar 27 zyrtarë kanë dhënë dorëheqja nga Zyra e Kryeministrit.

Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se nga Zyra e Kryeministrit e kanë përfunduar marrëdhënien në shërbimin civil si në vijim: Në vitin 2022 janë 7 dorëheqje, në vitin 2021 janë 4 dorëheqje. Ndërkaq, në Departamentin për Integrim Evropian, (ish-MIE) në kuadër të ZKM-së, në vitin 2021 kanë dhëne dorëheqje 6 zyrtarë. Në vitin 2022 kanë dhënë dorëheqjen 11 zyrtarë”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për gazetën Nacionale.

Burimet e gazetës Nacionale kanë bërë me dije se këto dorëheqje kanë ndodhur si rezultat i presionit politik ndaj shërbyesve civile.

Njëri nga të larguarit, në kushte anonimiteti, i ka thënë gazetës se nuk ka mundur ta durojë presionin, prandaj ka vendosur të lerë punën.

Me ardhjen e qeverisë së re ka filluar edhe presioni ndaj shërbyesve civil. Presioni është bërë në mënyra të ndryshme, të cilat unë nuk kam mundur me i duru dhe kam vendosur të dorëhiqem”, ka thëne burimi.

Sallahu kërkoi auditim veç për zyrtarin me tre vëllezër dëshmorë

Kohë më parë, gazeta Nacionale ka raportuar se edhe në ministri të caktuara ka pasur presione politike ndaj shërbyesve civil. Një nga rastet me ekstreme është Ministria e Drejtësisë.

Në këtë institucion, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kërkuar auditim veç për zyrtar në këtë ministri, i cili ka tre vëllezër dëshmorë.

Por, Elbasan Dervishaj, udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira në MD, është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikqyrës dhe e ka fituar rastin.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil ka gjetur se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka tejkaluar kompetencat e veta. Kjo, pasi Sallahu kishte kërkuar nga Auditimi i Brendshëm ta auditojë vetëm këtë zyrtar.

Vërejtjen si masë disiplinore që ia kishin shqiptuar Elbasan Dervishajt në Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli Civil e ka rrëzuar si vendim.

Në kuptim të këtyre dispozitave ligjore konstatoi se udhëheqës i subjektit të sektorit publik në sistemin ministror është Ministri, kështu që bazuar në këtë konstatim si dhe duke iu referuar nenit 21 paragrafi 1 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Kolegji për shqyrtimin e ankesave vlerëson se kërkesa për auditim të veçantë nuk është në autoritetin e zv/ministrit. Këshilli konstaton se kërkesa e datës 31 maj 2022 për auditim të veçantë është bërë përmes tejkalimit të autorizimeve të përcaktuara nën nenin 11 të Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive”, është thënë në vendimin e KPMSCK-së që e ka parë gazeta Nacionale.

Elbasan Dervishaj për vite të tëra është punonjës në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2014 ai udhëheq me Divizionin për Funksione të Lira. Dervishaj ka tre vëllezër dëshmorë të cilët ranë në luftën e fundit.

Vendimet e kundërligjshme në MPJD

Presione edhe më të mëdha ndaj stafit jo politik ka pasur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.

Kryediplomatja Donika Gërvalla prej ditës së parë të punës ka filluar me shkarkime të ambasadorëve, konsujve, diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë të ministrisë.

Javën e kaluar, Shoqata Sindikale e MPJD-së ka organizuar edhe protestë para objektit të ministrisë, duke kërkuar ndaljen e presionit ndaj zyrtarëve publikë.

Ambasadori Albert Prenkaj, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka treguar kërkesat e kësaj shoqate.

Të shfuqizohet menjëherë nga Qeveria e Republikës së Kosovës Rregullorja 1/2022 mbi riorganizimin dhe sistematizimin e MPJD-së. Kërkojmë që fillimisht të nxirret Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm, e më pastaj të rregullohen dhe funksionalizohen aktet nënligjore; 3. Të ndërpritet menjëherë sulmi kundër aktivistëve dhe aktivitetit sindikal, gjegjësisht ndaj kryetarit të Shoqatës, z. Agron Maloku, të shfuqizohet vendimi për largimin e tij dhe të kolegëve të tjerë dhe kthimi i menjëhershëm i tyre në MPJD, në bazë të aktemërimeve”, kanë mbasadori Albert Prenkaj.

Pas largimit të rreth 30 diplomatëve në grupe të ndryshme, MPJD ka shpallur një konkurs për rekrutimin e 32 punonjësve të rinj, por javën e kaluar ky konkurs iu shpall i kundërligjshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës .

Po ashtu, gjatë javës se kaluar një aktvendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme që t’i paguajë mbi 20 mijë euro dëme një diplomati të shkarkuar në mënyrë arbitrare nga një mision diplomatik dhe për më tepër edhe ta kthejë në punë.

Diplomati Viskont Jakupi ishte kthyer arbitrarisht nga misioni diplomatik në Mbretërinë e Bashkuar. Ai nuk ishte pajtuar me vendimin dhe kishte vazhduar betejën ligjore me akterët vendim-marrës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lajme të ngjashme