Ambasada gjermane injoron ministren Gërvalla - NACIONALE

Ambasada gjermane injoron ministren Gërvalla

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka falënderuar Kosovën për pritjen që ia kanë bërë kryediplomates gjermane, Annalena Baerbock, e cila ka qëndruar për dy ditë në Kosovë.

Përmes një njoftimi për medie, ambasada ka treguar për takimet me liderët institucionalë dhe aktivitetin që e ka pasur ajo gjatë kësaj vizite.

Madje, çdo takim dhe aktivitet i saj është ilustruar edhe me foto.

Ajo që bije në sy në këtë njoftimin, është mungesa e fotove të Annalena Baerbock me homologen e saj kosovare Donika Gërvalla-Schwarz.

Në njoftimin e ambasadës, i cili përmban dhjetëra foto, në asnjërën prej tyre nuk është ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schëarz.

“Gjatë ditës së djeshme, ministrja e Jashtme Annalena Baerbock është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e jashtme Donika Gërvalla, ka folur me kryeministrin Albin Kurti, ka takuar ekipin Këshilltar të NATO-s dhe Liason dhe KFOR-in gjerman kontigjent. Sot, ministri i Jashtëm Baerbock vizitoi urën e Mitrovicës dhe foli me kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Sot, në temperatura ngrica dhe erëra të akullta, ministrja e jashtme Baerbock iu bashkua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në inaugurimin e parkut të erës Selac në Bajgorë afër Mitrovicës”, është thënë në njoftimin e ambasadës gjermane.

Nuk dihet nëse kjo ka qenë rastësi, apo e qëllimshme.

Ajo që dihet është pritja skandaloze që Gërvalla ia ka bërë homologes së saj gjermane, në momentin e aderimit në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jasahri”.

Pas përshëndetjes me kryediplomaten gjermane, Gërvalla kishte injoruar disa rregulla të protokollit, çka bëri që pastaj të shpërthejnë shakat me të.

Në tepihun që ishte shtruar për të nderuar mysafiren, shefja e diplomacisë kosovare zinte pjesën kryesore të tij, ndërsa mysafirja ecte skajeve të tepihut të kuq.

Gjatë vizitës në Kosovës, kryediplomatja gjermane ka konfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën.

Në konferencën për medie me kryeministrin e Kosovës, Baerbock ka thënë se Kosova i ka kryer obligimet për liberalizim të vizave.

“Për ne nuk është më në pikëpyetje dhe na duhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë jemi duke punuar me tërë forcën tonë”, ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, ajo ka vlerësuar se BE-ja është duke i ndihmuar vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit.

Ajo ka përmendur dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se duhet përparim në këtë proces. “Një ndër çështjet më të rëndësishme është forcimi i besimit në rajon. Para se gjithash nevojiten përparime në procesin e dialogut për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dy shtete duhet të gjejnë një zgjidhje edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë, më 3 prill”, ka deklaruar Baerbock.

Pas vizitës në Kosovës, kryediplomatja gjermane e ka vizituar edhe Serbinë.

Lajme të ngjashme