Intervistë | Prenkaj: MPJD-ja ka instaluar frymë diferencimi, po udhëheqin amatorët dhe diletantët - NACIONALE

Intervistë | Prenkaj: MPJD-ja ka instaluar frymë diferencimi, po udhëheqin amatorët dhe diletantët

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ambasadori Albert Prenkaj ka kritikuar drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për veprime antiligjore në këtë dikaster.

Ai ka bërë me dije se vendimet e jashtëligjshme të MPJD-së po dëmtohet rëndë shërbimin e jashtëm dhe politika e jashtme e Republikës së Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Prenkaj ka thënë se në këtë ministri është instaluar një sistem i mosbesimit dhe fryma e diferencimit në baza administrativo-politike.

Sipas tij, kjo dëmton thellësisht profesionalizmin dhe interesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Prenkaj, ka kërkuar nga Qeveria që të shfuqizohet Rregullorja 1/2022 mbi riorganizimin dhe sistematizimin e MPJD-së. Ai ka vlerësua se vetëm në këtë mënyrë kthehet ligjshmëria në këtë ministri.

Ambasadori ka treguar se reformat në shërbimin e jashtëm bëhen me miratimin e ligjeve të reja dhe jo me rregullore që janë në kundërshtim me ligjin aktual.

Sipas tij, komisioni që po pretendon ta bëj reformën në këtë institucion përbëhet nga njerëz pa përvojë dhe amator.

Nacionale: Para disa dite Shoqata Sindikale e MPJD-së ka organizuar një protestë para objektit të ministrisë. Përse ndodhi kjo protestë?
Prenkaj: E drejta për të protestuar është e drejtë e garantuar me ligj, ashtu siç është e normuar e drejta e organizimit sindikal. Shoqata Sindikale e MPJD-së është themeluar për mbrojtjen e të drejtave të zyrtarëve dhe diplomatëve të kësaj ministrie, dhe këtë veprimtari e zhvillon që nga viti 2017. Që atëherë janë përcjell shkresa ministrave, kabineteve e sekretarëve të përgjithshëm, për të ju përmbajtur ligjshmërisë dhe sistemit normativ në fuqi. Ka pasur dhe ka zëra mospajtues edhe me sindikatën, gjë që është pjesë e debatit demokratik. Ankesa kanë ngritur edhe zyrtarë e diplomat në mënyrë të pavarur.
Kësaj radhe jemi detyruar të dalim në protestë sepse janë prekur fundamentet kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës: liria, rendi dhe ligji, demokracia, të drejtat e njeriut. Është instaluar një, të quaj, sistem i mosbesimit dhe fryma e diferencimit në baza administrativo-politike. Kjo e dëmton thellësisht profesionalizmin, ambientin e sigurt dhe të përshtatshëm të punës. Kjo ndërhyrje e jashtëligjshme në politikën kadrovike, duke i përvetësuar edhe përgjegjësitë e gjyqësorit në mënyrë arbitrare, dëmton thellësisht politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Nacionale: Cilat janë kërkesat konkrete të sindikatës?
Prenkaj: Kërkesat e Shoqatës Sindikale janë shtruar qartë në protestat e datës 22 shtator në 14 pika: 1. Menjëherë të kthehet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës; 2. Të shfuqizohet menjëherë nga Qeveria e Republikës së Kosovës Rregullorja 1/2022 mbi riorganizimin dhe sistematizimin e MPJD-së. Kërkojmë që fillimisht të nxirret Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm, e më pastaj të rregullohen dhe funksionalizohen aktet nënligjore; 3. Të ndërpritet menjëherë sulmi kundër aktivistëve dhe aktivitetit sindikal, gjegjësisht ndaj kryetarit të Shoqatës, z. Agron Maloku, të shfuqizohet vendimi për largimin e tij dhe të kolegëve të tjerë dhe kthimi i menjëhershëm i tyre në MPJD, në bazë të aktemërimeve;
4. Të aplikohen rekomandimet e Komisionit për Rrotacion, dhe gradimi sipas ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi. Të ndërpriten gradimet selektive, privilegjuese dhe diskriminuese. 5. Të vendosen në pozita udhëheqëse të Sekretarit të Përgjithshëm dhe në pozitat tjera udhëheqëse, bazuar në ligjet në fuqi dhe sipas hierarkisë së administratës dhe gradave diplomatike. Të largohen menjëherë nga detyrat jo-profesionistët dhe grupi i ngushtë menaxhues i vendosur me vendime të jashtligjshme: Behar Isma me koeficientin e ulët (9) e që ushtron detyrën e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm, me koeficientin më të lartë administrativ -18) me diktate dhe arbitraritet të paligjshëm; Vigan Berisha, Ragip Zejnullahu, Besim Berisha dhe Hamdi Berbatovci, bashkëpjesëmarrës në paligjshmëri, si dhe bashkëpunëtorët e tyre të tjerë dhe kërkojmë që institucionet, si: KPMSHCK, hetuesia, prokuroria, të ndërmarrin hapat ligjorë, për shkeljet e vazhdueshme që janë duke u bërë; 6. Të shfuqizohen të gjitha vendimet arbitrare që kanë shkaktuar largimin e kolegëve nga puna, të kthehen në vendet e punës sipas akt-emërimeve dhe vendimeve paraprake, dhe të mos merren vendime për largim nga puna pa verdikt përfundimtarë gjyqësorë; 7. Të aplikohet sistemimi në përputhje me përvojën dhe gradat diplomatike të kolegëve; 8. Të ndërpritet përndjekja dhe segregacioni i diplomatëve mbi baza administrative, gjinore dhe etnike, e që e tëra ka prapavijë të diferencimit administrativo-politik; 9. Të ndërpriten shpalljet e konkurseve (ai i jashtëm dhe lëvizje paralele) në mënyrë të kundërligjshme; 10. Të ndërpritet përndjekja dhe diskriminimi i diplomatëve nëpër komisione të kurdisura; 11. Të ketë trajtim meritorë në Ligjin për Pagat, sipas praktikave të mira ndërkombëtare të zyrtarëve diplomatik në MPJD; 12. Të përmirësohen kushtet e punës në hapësirat e MPJD-së dhe të drejtat tjera të zyrtarëve dhe diplomatëve në MPJD; 13. Të ndërpritet dhënia e aktemërimeve në mënyrë selektive, si dhe përjashtimi për një pjesë të nëpunësve civil; 14. Të ndërpritet, menjëherë, praktike e kthimit arbitrarë nga misionet diplomatike të diplomatëve të akredituar pranë shteteve të huaja, dhe sistemimi në Ministri sipas ligjit dhe praktilave të mira të shërbimit diplomatik që është së paku gjashtë (6) muaj para kthimit.

Nacionale: A keni tentuar që këto shqetësime të ia tregoni ministres Gërvalla-Schwarz?
Prenkaj: Shoqata Sindikale dhe të gjithë zyrtarët e diplomatët gjithmonë i adresojnë pakënaqësitë sipas hierarkisë administrativo-juridike. Pra, zëvendëskryeministrja është takuar me anëtarët e kryesisë së Shoqatës Sindikale me premtimin se do të ketë takime të këtij formati një herë në muaj. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më, edhe pse i jemi drejtuar dhjetëra herë, tashmë.



Nacionale:
Në emër të disa reformave në shërbim të jashtëm kjo ministri ka shkarkuar dhe emëruar shumë ambasadorë e zyrtarë të lartë në shërbimin e jashtëm. Si e keni parë këtë reformë?
Prenkaj: Reforma si nocion dhe veprim është proces kompleks dhe i ndjeshëm. Reformimi fillon me nxjerrjen e ligjit të ri në Kuvend dhe jo përmes akteve nënligjore (rregullores për sistematizim). Rregullorja nuk mund të shfuqizoi ligjin, as ligji-ligjin, e as rregullorja-rregulloren, siç ka pretenduar një Komision i udhëhequr nga disa amator pa përvojë në këtë drejtim dhe menagjmenti diletant. Për të qenë mëkati edhe më i madh është se menaxhmenti dhe niveli politik e ka pranuar dhe pretendon t’a implementoi verbërisht në shpërputhje me ligjet në fuqi. Ky reformim është veprim i vet-përmbysur.

Mesazhi më i mirë i përcjellët vendit pritës kur ambasadori qëndron në mandat të plotë katër vjeçar, me përjashtime të parapara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Para tërheqjes së ambasadorit/es, duke qenë ende në mision, sipas procedurës së paraparë me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike (1961)- sepse relacionet në mes shteteve rregullohen me konventa që janë akte ligjore ndërkombëtare (vis maior) mbi ato vendore - kërkesa për agreman me emrin e ambasadorit/es të ri/re, dërgohet në diskrecion të plotë, pa zhurma publike-mediale. Sepse publikimi i emrave të ambasadorëve të rinj është presion publik mbi shtetin mik tek i cili kërkohet agremani/pajtimi për pranim të emrit. Tërheqja e parakohshme e ambasadorit mund të jep mesazh të papërshtatshëm diplomatik tek shteti pritës. Pra, dëmtohet imazhi i shtetit me këto veprime arbitrare dhe të pa menduara, apo që kanë qëllime hakmarrëse në politikën e brendshme. Mos të harrojmë se politika e brendshme është pasqyrim i asaj të jashtme. Kjo flet shumë për mangësinë e njohurive të menaxhmentit dhe nivelit politik të konventave që rregullojnë komunikimin normal dhe marrëdhëniet me shtetin pritës. Apo nuk i përfillin sepse nuk e marrin mundin t’i përfillin.

Përpos kësaj, trajtimi i diplomatëve me vendimet e pamatura për kthim të shpejtë, për të mos thënë instant, ka reperkusione financiare, etike, morale, e psiqike si të shtetit, ashtu edhe të diplomatëve. Diplomatët dhe familjet e tyre traumatizohen skajshmërisht me mënyrën e trajtimit në procesin instant të kthimit. Për kthim normal në ministri, diplomati duhet të lajmërohet 6 muaj para në mënyrë që të bëhen të gjitha përgatitjet paraprake protokollare, shtetërore, e po ashtu ato familjare për largim nga misioni diplomatik. Kështu siç po ndodhë tani, është dëmtuar skajshmërisht përfaqësimi dhe trajtimi ndaj kolegëve diplomat.

Nacionale: Deri më tani shumë vendime të kësaj ministrie janë rrëzuar nga KPMSHCK. Çka do të thotë kjo për ministrinë?
Prenkaj: Janë nxjerr mjaft vendime nga ana e KPMSHCK në të mirë të zyrtarëve dhe diplomatëve. Kemi rastin e diplomatit Viskont Jakupi, i cili fitoj dy herë me vendime meritore në KPMSHCK me vendim për kthim në mision diplomatik në vendin pritës ku ishte emëruar fillimisht. Mos zbatimi i këtij vendimi me një vendim përmbarues të gjykatës do t’i kushtoi Ministrisë dhjetëra mijëra euro, madje mund të ketë kosto në të hyrat personale të sunjaturës të dokumentit përndjekës. Po ashtu KPMSHCK ka shpallur konkursin për rekrutimin e 32 diplomatëve, si të paligjshëm. Numër i madh i zyrtarëve e diplomatëve kanë dërguar ankesa, gjë që flet për situatën jo të mirë dhe të dhunimit të pandërprerë dhe të qëllimshëm të ligjshmërisë në ministri.

Nacionale: Ministria ka miratuar Rregulloren mbi Riorganizimim dhe Sistematizimin e MPJD-së ku ka shuar Drejtorinë e Përgjithshme. Sa ndikon kjo në punën e Shërbimit të Jashtëm?
Prenkaj: Ashtu siç theksova në fillim, Rregullorja1/2022 mbi Riorganizimim dhe Sistematizimin e MPJD-së shkel Ligjin për Shërbimin e Jashtëm në fuqi. Bartja e jashtëligjshme e kompetencave të Drejtorit të Përgjithshëm tek Sekretari i Përgjithshëm është gabim krucial në të ashtuquajturin sistematizim. Sipas përshkrimit të punës së Drejtorit të Përgjithshëm, ai/ajo udhëheqë me departamentet politike që krijojnë politika tematike dhe gjeogradike, si dhe në bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me kabinetin, koordinon me ambasadat e Kosovës në vendet e huaja, si dhe me ato të huaja në Prishtinë. Derisa përshkrimi i punëve të Sekretarit të Përgjithshëm është kryekëput i natyrës tekniko-logjistike. Kjo bartje e kompetencave në mënyrë të jashtëligjshme shkakton amulli, mungesë kapaciteti për nxjerrje të informacioneve që shndërrohen në politika vepruese, e me këtë ka ngulfatje dhe mungesë të veprimeve të nevojshme sipas Planit Operativ dhe nevojave të ambasadave karshi temave të rëndësishme shtetërore.

Nacionale: Këto sjellje të ministrisë ndaj shërbimit të jashtëm sa mund të ndikoj në dobësimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare?
Prenkaj: Më lejoni të bëjë një përmirësim tek pyetja e juaj. Nuk bëhet fjalë për “këto sjellje të ministrisë ndaj shërbimit të jashtëm”. Ne jemi ministria, ne zyrtarët dhe diplomatët e Republikës së Kosovës dhe jo menaxhmentet që ndërrohen, ashtu siç ndryshon moti. Sjelljet e jashtëligjshme vinë nga menaxhmenti politik i MPJD-së dhe nga ata që me vetëdije, kërcënime e joshje për ndonjë post, a mision të radhës, implementojnë paligjshmërinë.

Politika kadrovike medoemos ndikon në politikën e jashtme dhe në mënyrë të drejtpërdrejt në imazhin e shtetit. Subjektiviteti i Republikës së Kosovës është çimentuar tashmë me Deklaratën e Pavarësisë Kushtetutën e saj, me verdiktin e GjND-së, nga njohjet kualitative nga ana e shteteve sovrane si dhe me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe nisma rajonale. Subjektiviteti i Kosovës me sjelljet e përshkruara më lartë natyrisht që ndikon negativisht në imazhin e shtetit dhe ta quajmë mërzitje të miqve dhe të tjerëve nga pasqyrimi i papjekurisë tonë në komunikim dhe veprime.

Nacional: Z. Prenkaj, ju jeni diplomat me përvojë. A mund të na jepni një vlerësim për qasjen e ministres Gërvalla-Schwarz në politikën e jashtme?
Prenkaj: Politika e jashtme është ndërmarrje dinamike dhe strategji shtetërore për pozicionimin e shtetit në arenën ndërkombëtare, në relacion me shtetet dhe me organizata ndërkombëtare. Fuqizimi i shtetësisë, rritja e njohjeve, anëtarësimi në organizata dhe agjensione ndërkombëtare janë pikësynim i shtetit, por momentalisht të gjitha janë kushtëzuar me temën kujdestare, e që është përfundimi i dialogut me Serbinë dhe arritja e Marrëveshjes Ligjërisht Obligative. Një marrëveshje e paqes e cila mundëson pacifikimin e relacioneve dhe ruajtjen e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajonin tonë.

Për qasjen e zëvendës-kryeministres Gërvalla-Schwarz ndaj temave të Politikës së Jashtme duhet ta pyesni atë, sepse ajo udhëheqë këtë dikaster. Në bashkëpunim me Kryeministrin dhe Presidenten. Nuk dëshiroj të ofroj vlerësime të cilat mund të kuptohen si subjektive, apo të interpretohen sipas kuteve politike ditore. Vlerësimin do ta jep koha. Thënia e vjetër: Historia magistra vitae (historia është mësuese e jetës), është një maksimë e cila tashmë është dashur të kuptohet me seriozitetin më të madh jo vetëm të thirrur ndërgjegje, por edhe për të marrë përgjegjësitë shtetërore të cilat udhëhiqen nga Kushtetuta dhe korniza ligjore në fuqi e shtetit.

Lajme të ngjashme