Prej “njohja në themel” në “eventualisht njohje”: Si u ‘zbehën’ thirrjet amerikane ndaj Serbisë në këto pesë vite? - NACIONALE

Prej “njohja në themel” në “eventualisht njohje”: Si u ‘zbehën’ thirrjet amerikane ndaj Serbisë në këto pesë vite?

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Nëse dëshiron të bisedosh me mua”, thotë filozofi i madh francez Voltaire, “defino termat”.

Kosova ka qenë në bisedime me Serbinë që nga viti 2011; proces ky i cili ka qenë i plaguar në një padefinicion të madh dhe përplot “ambiguitete konstruktive” – do të thotë, të hapura në më shumë se një interpretim; dhe atë kënaqëse për palën interpretuese – të cilat i linin hapësirë të dyja palëve të proklamonin fitore në ujditë që arriheshin.

I tërë procesi shkonte – dhe vazhdon të shkojë – nën emrin: “normalizim i raporteve”; deri në arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse për po këtë “normalizim të raporteve”.

Bashkimi Evropian që udhëheq dhe fascilition këtë proces Kosovën e njeh pashkëputshëm nga asteriski që ia vendos mbi emër duke “mos ia paragjykuar statusin”; që në fusnotë ia shënon, paradoksalisht, edhe validitetin e opinionin të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë dhe përkueshmërisë me të drejtën ndërkombëtare të Shpalljes së Pavarësisë më 2008 edhe “validitetin” e Rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 1999.

Kjo edhe/edhe vazhdon të jetë katrori i rrumbullakët – deri në rrumbullakësimin e plotë të shtetësisë së Kosovës brenda unionit njëzet e shtatë shtetësh, pesë prej të cilëve ende s’ia njohin mëvetësinë Kosovës.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – shtylla ndërkombëtare e shtetësisë së Kosovës – janë ata që i kanë “definuar termat” kaherë: pa ekuivoke, pa ambivalencë, pa ambiguitet. Si?

Në letrat që dalin nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit në drejtim të Serbisë – qoftë për Ditën e Shtetësisë së Serbisë ose çfarëdo okazioni tjetër – Kosova kaherë i ka kushtuar vëmendje të hollë frazimeve amerikane; si mesazhet e drejtpërdrejta dërguara Beogradit.

Kjo vëmendje vazhdon të jetë të madhe; ngase askund më shumë se në letrën amerikane kosovarët s’i kanë gjetur termat më të definuara, termin kyç: njohjen e ndërsjellë.

Kjo kërkesë e prerë dhe e çiltër për nga mesazhi shtetarëve kosovarë u kishte dhënë “boost”-in e madh që nga evropianët (me përjashtime) s’e kishin të ofruar.

Madje Kryeminisri i Kosovës, Albin Kurti, thirrej në konfidencën më të plotë në frazimin amerikan nga administrata Trump që meqënëse amerikanët po kërkojnë “njohje të ndërsjellë” kjo si konsekuencë do të thotë që “me Serbinë kemi mosnjohje të ndërsjellë”.

I armatosur me këtë qëndrim amerikan, edhe diskursi ishte i qendërzuar në të.

Por, sot, me një marrëveshje gjysmake për normalizim të marrëdhënieve të pranuar vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër; dhe amerikanët e kanë kthyer frazimin në “njohje të ndërsjellë eventuale”. Si? Pse? Kur? Ta shohim në retrospektivë dhe retroaktivisht.

Michael R. Pomepo, ish-Sekretar amerikan i Shtetit, më 15 shkurt 2019 në urim të Ditës së Shtetësisë Serbe, shkruante që ky proces normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet jo vetëm ta ketë njohjen e ndërsjellë në qendër, por “në themel të saj”.

Me një frazim kaq të fuqishëm: “në themel”, pra në bazë, normalizimi i raporteve mbindërtohet në këtë terren ndërsjelltazi njohës; Kosovës i jepej konfidenca amerikane.

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur synimin e Serbisë për integrim të mëtejshëm perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, me njohjen reciproke si themel, është thelbësor për arritjen e këtij qëllimi”, shkruante Pompeo.

Administrata Trump shkoi, erdhi ajo e Joe Biden – në të cilën edhe Kurti kishte vendosur bast duke e mbështetur publikisht dhe duke bërë thirrje shqiptaro-amerikanëve ta votojnë.

Sekretari i ri amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, kishte kaluar prej “njohjes në themel” në “njohjen në qendër” në letrën uruese dërguar Serbisë më 15 shkurt 2021. S’përbënte ndofarë thyerje të ndjeshme në semantikë; themel/qendër tingëllonin thjesht sinonime.

Ne përshëndesim hapat e Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me në qendër njohjen reciproke do të kërkojë fleksibilitet dhe vullnet nga të gjitha palët për kompromis”, shkruante Sekretari Blinken asokohe.

Edhe 2022’a ishte krejtësisht njëjtë në thirrjen e Blinken: njohja reciproke është qendrore. Veçse tash, me invazionin e shkallës së gjerë rus në Ukrainë, vihej theksi te “siguria dhe stabiliteti në rajon”.

Ne jemi të përkushtuar të mbështesim qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, shkruante Blinken.

Por, pas kësaj do të ndërronin hesapet; me 2022’ën e cila kishte reduktuar normalizimin e marrëdhënieve përmes një marrëveshje gjermano-gjermane të modeluar simbas Traktatit Bazë të 1972 të Dy-Gjermanive. Gjë që edhe në germë do të merrte formë dhe pranim në shkurt të 2023’ës.

Këtu, thirrja e Blinken-it ishte uniformizuar me kontentin e këtij teksti. Njohja e ndërsjellë, si frazim, në letrën e çdovjetshme dërguar Serbisë, ishte hequr. Flitej veç për “normalizim të marrëdhënieve” dhe “kompromise të vështira” në shtegun e atij “normalizimi”.

Këtë marrëveshje – Kosova e udhëhequr nga Kurti – e kishte përqafuar fort si “të shkëlqyeshme në potencë”; e cila për më tepër s’e kishte as në themel e as në qendër njohjen; por autonomi të gjerë për serbët e Kosovës.

Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t'i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, shkruante Blinken më 2023.

Amerikanët, në pyetjet kosovare se a është hequr dorë nga kërkesa drejtuar Serbisë për njohje të Kosovës, shpreheshin se njohja tash është “eventuale” e jo kërkesë imediate.

Në letrat dërguar Kosovës ishte kështu, në ato Serbisë, që më 2019 ishte “njohje në themel” tash ishte bukur më e zbehtë.

Në letrën e fundit, tash më 15 shkurt 2024, sërish Blinken shkroi vetëm për “marrëveshje gjithëpërshirëse normalizimi me Kosovën”.

Lajme të ngjashme