Politikanja serbe që synon të bëhet deputete e Kosovës: U kërcënova edhe nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë
Rada Trajkoviq, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve, ka konfirmuar se dje është kërcënuar nga ministri i Mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por ka thënë se nuk do ta citojë dhe nuk do të tregojë se çfarë i tha ai.
Trajkoviq, e cila ditë më parë bëri të ditur se po kërcënohet për shkak të dëshmisë së saj për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka thënë se situatë e njëjtë ka vazhduar edhe sot.
Në një intervistë për “RTK Prime”, mbrëmjen e së martës ajo deklaroi se po atë ditë u kërcënua nga ministri serb i Mbrojtjes, ndërsa konfirmoi sërish se kjo nuk është hera e parë që i ndodhë diçka e tillë.
“Ju e dini që në nuk jam për nga natyra e ndjeshme shumë. Munden ata që të më kërcënojnë sa të duan...nuk do të jetë as hera e parë. Kemi pasë vrasjen e Oliver Ivanoviq, nuk do të thotë kjo që mund të më frikësojnë, dhe mos të them...shtypja është e madhe, sot pata kërcënime edhe nga ministri i Mbrojtjes të Serbisë, i cili ndoshta është përzgjedhur që të respektojë dhe bashkëpunojë në nivel rajonal, luftës, kundër asaj që është rreziku më i madh, kriminaliteti dhe mafias”, ka deklaruar Trajkoviq.
Pyetur se çfarë kërcënimesh mori nga ministri serb, ajo u përgjigj se nuk do ta citojë, derisa tha se për Serbinë, Milan Radojçiq, nënkryetari i Listës Serbe që është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një “qytetar i zellshëm”.
“Mendoj që është një demonizim total...mos ta citoj prap, nuk dua ta citoj prap. Në anën tjetër, humanizimi i Radojçiq sikurse ai është më i miri, një qytetar i zellshëm, që është i rëndësishëm për shtetin serb. Nuk do të ia kishte pranuar as kryetari, dhe nuk do të ishte as pjesë e mbledhje të rregullta të Kuvendit”, ka deklaruar ajo.
Trajkoviq për Sheshelin: Ky burrë nxitë vrasje
“Ky burrë nxitë vrasje dhe krime”, kjo ishte deklarata e para disa ditësh e Trajkoviq, për Vojislav Shesehl, i dënuar për krime lufte në ish-Jugosllavi nga Gjykata e Tribunalit të Hagës.
Reagimin e saj, e nxiti një deklaratë e tij, i cili deklaroi se “Trajkoviq po përballet me një rrezik të njëjtë, si që kërcënoi Oliver Ivanoviqin”,
“Ai (Oliver Ivanoviq) ishte i preferuari i fuqive perëndimore. Ai u arrestua nga autoritetet e Schiphol-it, ndonëse nuk kreu asnjë krim - për këtë jam i bindur. Në këtë mënyrë ai duhej të krijonte një aureolë dëshmori për të tërhequr serbët që ta votojnë. Pasi dështoi ai projekt, kur u pa se nuk mund ta gjykonin, as se serbët kishin ndonjë simpati për të, se partia e tij dështoi, atëherë e vranë për t'ia atribuar vrasjen Beogradit zyrtar”, pretendoi Sheshel.
Kështu, sipas tij, “gjënë e njëjtë mund t’ia bëjnë edhe Rada Trajkoviqit”.
“Për ta bërë ministre, për ta likuiduar, dhe ta akuzojnë Beogradin. Ky është një rrezik që e kërcënon atë. Ajo nuk e shqetëson askënd, as në Serbi, as në qeverinë serbe. Ajo është e ngatërruar, e kompremtentuar sa nuk paraqet absolutisht vlerë publike dhe pse do të duhej të punonte dikush në kokën e saj. Por jam i sigurt, që ajo do të pajtohej me ofertën e Kurtit”, tha ai.
Deklaratat e Trajkoviq për kërcënimet ndaj saj, duket se e kanë nervozuar edhe drejtorin e të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.
Sipas tij, ajo po tenton që të fitojë rastin “që të luftojë për një Kosovë të pavarur”.
“Situata në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e vështirë dhe Rada Trajkoviq, për të cilën nuk votoi asnjë nga serbët e Kosovës, me përulësi po i ofrohet Albin Kurtit dhe insiston që ta kriminalizojë Listën Serbe dhe popullin serb në Kosovë, me qëllim që, siç ka bërë dikur, të fitojë rastin që të luftojë për një Kosovë të pavarur”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i ka dalë në mbrojtje politikanet serbe, duke thënë se asaj duhet t’i sigurohet mborjtje për shkak të kërcënimeve që po i merr vazhdimisht.
“Është e frikshme ajo që tha Shesheli në Pink. Në vend se t’i sigurohet mbrojtje për shkak të kërcënimeve ndaj të cilave është ekspozuar, Shesheli i thotë në frekuencë kombëtare se do të vritet si Oliveri. Për këtë nuk duhet të heshtim!” , u shpreh ai në një postim në veri
Zgjedhjet në veri
Trajkoviq vlerëson se nuk do të ketë dalje në zgjedhjet në veri, të cilat presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar se do të mbahen më 18 dhjetor.
Trajkoviq në “RTK Prime” deklaroi se po atë ditë, është një festë e rëndësishme, dhe se kjo po përdoret edhe si arsyetim kundër zgjedhjeve, duke shtuar se veçse ka nisur kampanja.
“Jo, zgjedhje nuk do të ketë, sigurisht. Ndoshta, fatkeqsisht, edhe serbët, edhe shqiptarët, ne nganjëherë harrojmë edhe për festat tona, kështu që nuk mendoj që qëllimi i kryetares së Kosovës është që të organizojë zgjedhje, kur është edhe festa e rëndësishme, e Shën Nikollës. Ne ndonjëherë harrojmë edhe kur janë festat e shqiptarëve të fesë islame. Kjo veç ka filluar që të jetë kampanjë kundër zgjedhjeve”, ka thënë ajo.
Në fund, siç tha Trajkoviq, “ata serbë që do të donin që të dilnin në zgjedhje, nuk do të kenë guxim që ta bëjnë këtë”.
Vlen të theksohet se zgjedhjet në veri vijnë pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe kryetarëve të komunave atje, deputetëve dhe ministrit që bënte pjesë në Qeveri.



