Politikanët i ‘turren’ diasporës për vota, Kurti madje i pret si ‘stjuardesë’ në aeroport - NACIONALE

Politikanët i ‘turren’ diasporës për vota, Kurti madje i pret si ‘stjuardesë’ në aeroport

4 vjet më parë

nga Gazeta Nacionale

Diaspora e madhe kosovare është një basen i madh votash për partitë politike. Fuqia e asaj elektorale u pa qartësisht në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Në zgjedhjet parlamentare votuan hiç më pak se mbi 56 mijë persona nga diaspora, e shumica prej tyre zgjodhën të përkrahin Lëvizjen Vetëvendosje.

Një gjë e tillë, u ka hapur sytë partive opozitare, të cilat tashmë kanë filluar riorganizimin e tyre në diasporë, gjersa Albin Kurti, në cilësinë e kryeministrit, sot doli në aeroport, duke i mirëpritur bashkëatdhetarët nga diaspora.

Një gjë dihet sigurt, të gjitha partitë në Kosovë po lakmojnë votat e mërgimtarëve.

Kurti i buzëqeshur në mesin e mërgimtarëve

Në zgjedhjet parlamantere të 14 shkurtit 2021, nga diaspora kishin votuar 56 mijë e 610 qytetarë.

E shumicën e tyre e kishte marrë një parti politike.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga kryeministri aktual Albin Kurti kishte marrë mbi 44 mijë vota, duke u bërë partia absolutisht më e votuara në diasporë.

Këto vota e kanë shtyrë VV-në vazhdimisht të tentojë të mbajë afër këtë basen të rëndësishëm elektoral.

Një ndër vendimet e para ishte ai për mbulimin e polisës së gjelbër nga ana e Qeverisë së Kosovës, duke mos anashkaluar vizitat e deputetëve të VV-së nëpër diasporë.

Po ashtu, Qeveria Kurti u mundësoi të kryejnë praktikën të rinjve nga diaspora në Ministrinë e Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga ministrja Donika Gërvalla.

“Lufta” për votat e diasporë e shtyri Kurtin të luaj edhe rolin e mikëpritësit për diasporën në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës.

Ai doli sot në aeroportin “Adem Jashari” për të mirëpritur mërgimtarët që vinin nga vende të ndryshme.

Kryeministrit Kurti u pa buzëqeshur, shumë i afërt me ta, e krejt pa protokoll gjatë qëndrimit në aeroport.

Madje, ai nuk ngurroi t’ua shpjegonte edhe ofertat e Valës për mërgimtarët.

Natyrisht, nuk munguan kërkesat e shumta, gati të pafundme, nga mërgimarët për një fotografi me Kurtin, i cili nuk refuzonte asnjë person.

Ngjallen edhe partitë opozitare

Pas tronditjes në zgjedhjet e fundit, të gjitha partitë opozitare (PDK, LDK, AAK) kanë kthyer sytë kah votat e diasporës. Liderët e tyre i kanë shpeshtuar vizitat nëpër degë të ndryshe në qytetet evropiane, të cilat pastaj pasohen me takime të deputetëve e figurave të tjera partiake.

Partia Demokratike e Kosovës tashmë ka filluar riorganizimin e saj në mërgatën kosovare.

Madje, për ta bërë një gjë të tillë, ata kanë formuar edhe një Departament të Diasporës, nëpërmjet të cilës ata synojnë të fuqizojnë partinë e tyrë tek shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës. Udhëheqës i saj është deputeti Elmi Reçica, që tashmë ka udhëtuar disa herë në drejtim të Evropës, për të ringjalluar degët e PDK-së në diasporë.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjës Demokratike të Kosovës, tashmë ka vizituar Zvicrën, në përpjekjet për të ridhënë jetë LDK-së në diasporë.

Ai ishte ndarë i kënaqur me organizimin partiak.

Janë 32 vite të kontributit të jashtëzakonshëm të veprimtarëve e veprimtareve të këtyre degëve që i dhanë Kosovës mbështetje fundamentale në të gjitha etapat historike. Mos të harrojmë se, dikur LDK kishte degët e saja të fuqishme në gjithë Evropën, SHBA, dhe në Australi të cilat kanë luajtur rol të fuqishëm në bërjen e shtetit të Kosovës, ndërsa shumica prej tyre janë shuar falë mosinteresimit të qendrës dhe humbjes së kontakteve me këto degë”, thotë Latifi.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka kthyer shikimin drejt diasporës. Madje, kryetari i saj, Ramush Haradinaj, qëndroi ditë të tëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një përpjekje për të riorganizuar partinë e tij tek shqiptaro-amerikanët.

Lajme të ngjashme