Tri partitë opozitare zbulojnë ‘sekretin’ e VV-së: Shpeshtohen fluturimet drejt diasporës
Fluturon, fluturon... LDK-ja. Fluturon, fluturon... PDK-ja. Dhe, fluturon e fluturon... AAK-ja. Pse po fluturojnë drejt diasporës gjithnjë e më shumë këto parti politike?
Ndoshta ju ka rënë në sy që këtyre ditëve, partitë opozitare i kanë kthyer sytë kah mërgimatarët. A po i shohin si votues apo po dëshirojnë që të arrijnë nivelin e njëjtë të përkrahjes si partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosjes [LVV], nuk dihet saktë, por angazhimi është shtuar ndjeshëm.
Partia Demokratike të Kosovës [PDK], Lidhja Demokratike të Kosovës [LDK] dhe Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], kanë filluar me përforcime dhe ‘rikthim’ të diasporës si votues potencialë për ta.
E një ndër arsyet për ‘ndezjen e motorave’ mund të jenë votat e shumta të diasporës për Vetëvendosjen por ndoshta më shumë se kaq, edhe për mënyrën se si aktivistët nga diaspora bëjnë aktivizëm politikë.
Ata duken më pasionantë në debate, më bindës në qëndrime dhe nuk ngurrojnë të përhapin të vërtetën e tyre në debatet publike online.
P D K
PDK-ja është partia e parë opozitare që është angazhuar në zgjedhjen e kryetarëve të ri në qendrat e tyre në Dipasorë, në Zvicër, Gjermani, Suedi e shtete të tjera ku jetojnë mërgimtarë.
Udhëheqësi i Departamentit të Diasporës në PDK, Elmi Reçica, ka zhvilluar dhjetëra takime me degët e kësaj partie në Diasporë, në të cilat janë bërë riorganizme në strukturat udhëheqëse duke zgjedhur kryetarët e rinj.
Nga kjo parti thonë se ata po rikthehen ‘fuqishëm’ në Diasporë, duke pretenduar që do të kenë rezultat më të mirë në zgjedhjet e ardhshme.
PDK po ashtu ka premtuar se nuk do të ndalet dhe se ata “do të vazhdojnë me themelimin e Degëve të reja dhe fuqizimin e saj në Diasporë, me qëllim të krijimit të mundësive që Diaspora të jetë sa më prezente në jetën politike, për të kontribuar me potencialin e saj në zhvillimin e vendit përmes resurseve humane apo edhe të kapitalit”.

L D K
Pas angazhimit të PDK-së, reagim të mënjëherëshëm pati edhe LDK-ja për angazhimin e strukturave në Diasporë.
Të martën kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi degët e partisë së tij në mërgatë se ka themeluar një ekip të cilin e quajti ‘Ekipi Politik për mërgatë”.
Ekip i ri por me emra të vjetër pasi pjesë përbërëse e këtij grupi do të jetë Anton Quni, nënkryetar i LDK, Sokol Haliti, anëtar i Kryesisë, Armend Zemaj, deputet dhe anëtar i Kryesisë dhe Shkumbin Gashi, koordinator teknik.
Sipas LDK-së, ky ekip do të jetë “përgjegjës për organizimet e përbashkëta mobilizuese e të vizitave të LDK-së në mërgatë”.
Edhe LDK po ashtu ka thënë disa fjalë për rëndësinë e Diasporës në përfshirjen e tyre në Kosovë.
“Mërgata ka qenë dhe është jetike për zhvillimin dhe prosperimin ekonomik të vendit. LDK është duke punuar intensivisht në bashkërendimin e aktiviteteve në degët tona në mërgatë, me synim rritjen dhe hapjen e dyerve për kuadro të reja, gra e të rinj profesionit në qendrat më të mëdha botërore”, u tha në njoftimin e tyre.

A A K
Edhe AAK ka filluar me angazhime në Diasporë. Kryetari i kësaj partie para një muaji bashkë me koordinatoren për çështjet e Diasporës, deputeten Time Kadrijaj, bëri dy vizita.
Haradinaj vizitoi aktivistët e AAK-së në Gjermani dhe Francë me të cilët bisedoi për procesin zgjedhor brenda partisë duke thënë se partia e tij është adresa më e sigurt për Diasporën.
“I sigurova për mbështetjen time të plotë në procesin zgjedhor brenda partisë, duke uruar sukses për të gjithë ata që marrin pjesë në garën zgjedhore. Aleanca është adresa e sigurt për diasporën shqiptare”, kishte shkruar Haradinaj.
Përveç këtij njoftimi deri më tani AAK nuk ka bërë ndonjë lëvizje tjetër.

Sa votoi Diaspora dhe nga sa vota morën VV, PDK, LDK e AAK?
Në zgjedhjet e fundit në Kosovës, nga Diaspora erdhën 175,273 aplikacione, 99% prej të cilave nëpërmjet email adresave të hapura nga KQZ. Mirëpo, pas verifikimit të aplikacioneve, sipas të dhënave të KQZ-së, 45 mijë aplikacione janë larguar si dublikate, duke e sjellë numrin përfundimtar në 130,168 aplikacione ndërsa janë refuzuar krejtësisht 28,068.
Në zgjedhjet e vitit 2019, nga të dhënat e KQZ-së, për regjistrim jashtë Kosovës kishin aplikuar 40,313 persona, apo 19,959 më shumë se në zgjedhjet e 2017.
Nga 102,467 votues të regjistruar suksesshëm, pakot me fletëvotime kanë arritur t’i dërgojnë 56,368 votues.
Prej 56,368 votave nga Diaspora, ishte VV-ja ajo që mori shumicën dërmuese të tyre.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi hiç më pak se 44,252 vota nga mërgimtarët.
Pas saj, me shumë më pak vota u radhitë PDK-ja e cila mori 5,032 vota. LDK-ja ishte e treat me 4,287 dhe në fund AAK-ja me 1,112 vota.
Kujtojmë që në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje morë mbi 400 mijë vota apo 50.2%, e dyta doli PDK-ja mori 148 mijë vota apo 17,9% ndërsa LDK-ja 110 mijë vota apo 12,7% dhe AAK-ja 62 mijë apo 7,12%.