Plagosja e të rinjve në Shtërpcë – gjithçka që dihet për rastin
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në komunën e Shtërpcës, e cila është e banuar kryesisht me serbë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur dy persona. Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për dy të rinj, një fëmijë 11-vjeçar dhe një 31-vjeçar.
Pas plagosjes, atyre iu është dhënë ndihma mjekësore në Shtëpinë e afërt shëndetësore, dhe më pas janë dërguar në repartin e kirurgjisë në Graçanicë.
“Djali i vogël është goditur në pjesën e sipërme të krahut, shpresojmë që lëndimi të mos jetë i rëndë, prandaj po i dërgojmë në Graçanicë, sepse plumbi ka mbetur në dorë, tjetri është qëlluar në krah, po ashtu edhe ai. i kishte mbetur një plumb, po i dërgojmë në Kirurgji, Fëmijët janë nën stres, të shohim çfarë do të ndodhë”, tha mjeku në ambulancën ku po trajtoheshin fëmijët.” - thuhet në njoftimin e mjekut për mediumin serb "Kosovaonline" në ambulancën ku po trajtoheshin fëmijët.
Arrestohet i dyshuari
I dyshuari 33-vjeçar A.K (M/K) është arrestuar nga Policia Rajonale e Ferizajt pas hetimeve të shumta dhe mbledhjes së informacioneve në terren.
“Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intenzive hetimore , grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K (M/K) i moshës 33 vjeçar. I dyshuari është duke u shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht Sektorin Rajonal të Hetimeve, për veprime tjera hetimore.” – thuhet në njoftimin e PK-së.
Gjendja shëndetësore
Të plagosurit janë dërguar për trajtim në qytetin e Graçanicës dhe janë jashtë rrezikut për jetë, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshme mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në Graçanicë. Të dy të plagosurit, nga informacionet që kemi, janë jashtë rrezikut për jetë.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Reagimet
Sipas informacioneve të pranuara nga disa qytetarë, rruga për në Shtërpcë është ende e bllokuar.
“Në rrugën për Shtërpcë në fshatin Gotovushë është policia e s’po i lejojnë me shku prej rrugës kryesore në magjistralen për Ferizaj Shterpcë” – tha një nga qytetarët me të cilët foli Nacionale.
Në përgjigje të këtij incidenti, drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Pektoviq, ka reaguar në Twitter duke e quajtur rastin një "përpjekje për të dhuruar Krishtlindje të përgjakshme”.
“Tentativë për vrasje të dy djemve serbë në Gotovushë afër Shtërpcës. Fëmijët janë qëlluar nga një shqiptar, sipas vendasve, nga një mjet në lëvizje. Millosh dhe Stefan kanë marrë plagë me armë zjarri. Ata u qëlluan teksa kishin veshur rroba Krishtlindjesh. Dikush donte të na dhuronte një Krishtlindje të përgjakshme!” – thuhet në reagimin e tij në Twitter.
Po ashtu bëhet e ditur se qytetarët serb të komunës së Shtërpcës, kanë bllokuar rrugët në Gutovushë, duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të personit i cili ka plagosur dy persona sot gjatë ditës.
Kurti dënon ashpër sulmin në Shtërpcë: Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar ashpër sulmin ndaj dy serbëve në komunën e Shtërpcës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe i njëjti ju ka dëshiruar shërim të shpejtë.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës se Policia e Kosovës është angazhuar maksimalisht.
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”, ka përfunduar Kurti.
Brnabiq kërkon reagimin e bashkësisë ndërkombëtare për sulmin në Gotovushë
Pas sulmit ndaj të rinjve serb në Gotovushë, ka reaguar edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiq, e cila ka kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të sulmit.
"Edhe në Natën e Shenjtë Ortodokse, serbët në Kosovë nuk janë të sigurt. Unë e dënoj fuqishëm këtë krim të tmerrshëm dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë menjëherë dhe të nxjerrë fajtorët para drejtësisë. Ky është një tjetër në një seri incidentesh të tmerrshme që tregojnë ashpërsinë e kushteve në të cilat jetojnë serbët në Kosovë çdo ditë”, ka shkruar Brnabiq në Twitter.
Më tej, kryeministrja e Serbisë ka thënë se kur dhuna sistematike nënvlerësohet vazhdimisht, ekstremizmi përhapet shpejt nga lidershipi i zhgënjyer në shoqërinë e gjerë dhe krimet bëhen fakt i zakonshëm i jetës së përditshme të të shtypurve.
When regularized and systematic violence is continously underplayed, then extremism quickly spreads from the disillusioned leadership into the wider society, and crimes become ordinary fact of everyday’s live for the oppressed. #Kosovo* #LastEuropeanGhetto
— Ana Brnabic (@anabrnabic) January 6, 2023
