Kurti dënon ashpër sulmin në Shtërpcë: Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar ashpër sulmin ndaj dy serbëve në komunën e Shtërpcës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe i njëjti ju ka dëshiruar shërim të shpejtë.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës se Policia e Kosovës është angazhuar maksimalisht.
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”, ka përfunduar Kurti.
