Përplasja ishte gati: Katër deputetë të paftuar të VV-së shkuan në Komision, të gatshëm për 'luftë' me besnikët e Kurtit - NACIONALE

Përplasja ishte gati: Katër deputetë të paftuar të VV-së shkuan në Komision, të gatshëm për 'luftë' me besnikët e Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në Komisionin e Arsimit sot u mbajt një mbledhje e rëndësishme, por ndarja mes sindikatave dhe Qeverisë u la nën hije nga një ndarje tjetër që po duket gjithnjë e më fort në horizont.

Mbrëmë, deputeti Eman Rrahmani në një intervistë për transmetuesin publik shprehu mbështetjen e tij për kërkesat e sindikatave të cilat i quajti "të drejta". Edhe pse nuk ishte anëtar i Komisionit për Arsim, deputet Emani u pa mëngjesin e sotëm i pranishëm në sallë.

Në këtë komision morën pjesë edhe dy ministrat e Qeverisë Kurti II, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci. I pari me provokime dhe e dyta me lutje, i dolën përballë sindikalistëve që kësaj here nuk kishin në krye Rrahman Jasharajn për shkak të telasheve me shëndetin.

VV-ja konservatore, me sindikatat?

Nacionale ka raportuar edhe muajve dhe javëve të kaluara në lidhje me ndasitë e thella në Vetëvendosje. Kjo parti politike që përmbyll procesin e zgjedhjeve të brendshme pasnesër, më 25 shtator, ka eliminuar nga garat e brendshme shumë aktivistë duke i pyetur nëse janë pro ose kundër Projekt-Kodit Civil.

Kjo është konfirmuar nga shumë aktivistë që kishin shprehur ambicie për kryetarë qendrash.

Por, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim dukej se do të ndodhte edhe beteja e parë publike mes grupit konservator dhe grupit liberal.

Të pranishëm në sallën ku po mbahej mbledhja e Komisionit, përveç Eman Rrahmanit, ishin edhe Visar Korenica, Gazmend Gushinca dhe Burim Meta (ish Karameta). Asnjëri prej tre të tjerëve përveç z. Rrahmani nuk e ka shprehur publikisht qëndrimin e tij për Grevën e Përgjithshme, por besohet se mund të jenë në vijnë me kolegun e tyre.

Asnjëri prej këtyre deputetëve nuk kishte votuar për Projekt-Kodin Civil në marsin e këtij viti, dhe secili prej tyre pritet të largohet nga partia e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Përveç tyre, votë nuk kishin pasur përkundër lutjeve të Kurtit dhe ministres Haxhiu edhe të paktën dhjetë deputetë të tjerë.

Një përplasje, e lënë për herën tjetër?

Eman Rrahmani pati një përplasje me kryetarin e Komisionit për Arsim, z. Ardian Gola, por e cila nuk ishte aq e madhe.

Rrahmani kërkoi të fliste, por kryetari Gola u shpreh se kishin bërë marrëveshje me SBAShK-un pas incidentit me deputetin Dimal Basha që të mos u lejohej fjala deputetëve që nuk ishin anëtarë të komisionit.

Kjo acaroi keq Rrahmanin që u shpreh thellë i pakënaqur me kolegun e tij nga Vetëvendosje.

"Kjo le të jetë vërejtje për herën tjetër. Nuk kufizohet fjala e deputetëve në këtë mënyrë," - u shpreh ai.

Përgjigja e Golës ishte se ai i përgjigjej edhe një vullneti përtej-institucional, që e quajti "popullor".

Megjithëse, Rrahmanit iu lejua të fliste, ai nuk pranoi dhe i indinjuar vendosi të lëshonte sallën. Bashkë me të, nga salla u larguan edhe të tre deputetët e tjerë që po e shoqëronin, Korenica, Gushinca dhe Meta.

Në këtë mbledhje nuk pati asnjë përafrim qëndrimesh mes pushtetit dhe sindikatave.

Lajme të ngjashme