A po na çelet një parti e madhe islamike në Kosovë? - NACIONALE

A po na çelet një parti e madhe islamike në Kosovë?

4 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Shkruan: JETLIR BUJA

Islamofobia në Kosovë është e një soji mjaft të çuditshëm. Nuk mund të thuhet se ekziston si frikë, sepse nuk ka kurrfarë manifestimi të këtij emocioni, por megjithatë ekziston me bollëk si përçmim i thellë e i fortë ndaj kulturës myslimane që s’ngurron ta nxjerrë kryet përditë, me a pa lidhje.

Fatkeqësisht, ky lloj përçmimi ushqehet po përditë prej një numri të caktuar hoxhallarësh që duken si kohanikë të Skënderbeut, ose ndoshta edhe para-ardhës të tij. Sidoqoftë, loja e vazhdueshme mes përçmimit të islamit dhe ushqimit të pashtershëm të tij, na del të jetë thjesht njëra prej simptomave të një sëmundjeje që po sjell një epokë krejt të re për shoqërinë tonë.

Para një muaji, Kodi Civil u refuzua me potere shkaku se i çelte një derë të vogël bashkëjetesave mes personave të seksit të njëjtë. Një numër i madh deputetësh – të frymëzuar edhe nga toleranca e shfaqur prej kryeministrit Kurti atë ditë – u trimëruan në mbrojtje të ‘familjes’ që rrezikonte të prishej nga seksi i personave të seksit të njëjtë. Emrat e krejt deputetëve që shfaqën qëndrime homofobe as s’i mbaj mend, por as nuk kanë rëndësi. Disa prej tyre i pashë në një iftar të çuditshëm të organizuar nga hoxha Shefqet Krasniqi.

Ky iftar i shtruar nga Shefqeti bëri bujë të madhe mediatike, e megjithë praninë e figurave politike në të, nuk pati një trajtim të mirëmenduar të rastit.

Nuk ishte thjesht një mbledhi për të ngrënë e për të pirë pas një dite të kaluar në regjimin e agjërimit. Pra, nuk ishte thjesht menyja e bollshme ushqimore që shfaqej me anë pjatash që rrinin mbi tavolina. Kishim të bënim me një ngjarje publike, e me këtë edhe politike.

Përmes fotografive të shpërndara nga Shefqet Krasniqi, aty mund të shohim deputetët Eman Rrahmani (VV), Visar Korenica (VV), Gramos Agusholli (VV), Mërgim Lushtaku (PDK) e Bekë Berisha (AAK). Po ashtu, shohim edhe kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin (VV).

Pak para se të mbahej ky iftar, Shefqet Krasniqi kishte marrë vëmendjen publike si hoxhë me anë të një deklarate ku shprehej se burri nuk e kishte obligim të pyeste gruan e parë për të marrë edhe një grua tjetër.

Përgjatë dhjetë viteve të fundit, ai kishte bërë një numër të madh deklaratash fyese për dinjitetin njerëzor që për më keq pengonin përparimin e nevojshëm të shoqërisë në heqjen e vetive të saj shtypëse.

Por, përfaqësuesit politikë që i shkuan për iftar duket se nuk rrokin as më elementaren e vlerave më elemantare që duhet t’i çojnë përpara. Në atë iftar ko*esh, ata ngarendën të fotografoheshin me hoxhën si të ishin fëmijë të ngazëllyer që po takojnë idolin e tyre.

Kjo është aq e pështirë sa edhe e parrokshme.

Hoxha i mori mbi 25 mijë pëlqime në Facebook për këtë iftar, dhe pushteti i fjalës së tij duket marramendës. Por, s’duhet t’i lëmë mendtë të na merren prej tjetërçkaje pa e tëholluar kuptimin politik të saj.

Është më se e qartë se ajo që duam të ndodhë, nuk po ndodh. Shoqëria kosovare po i reziston vazhdimisht përvetësimit të vlerave perëndimore e përbrendësimit të të drejtave të njeriut. Sjellja brutalisht e vrazhdë në Facebook, dhuna e vazhdueshme ndaj grave, fjalori seksist e i papërmirësueshëm, mosndërgjegja për të drejtat e pakicave, janë disa prej shembujve.

Por, ndasia mes pjesës liberale të shoqërisë që po ecë përpara dhe pjesës konservatore që po bëhet gjithnjë e më konservatore, pritet të prodhojë edhe pasoja politike. Pamundësia për të përfaqësuar temat që duan të përfaqësojnë nën ombrellat aktuale politike – anipse, aktualisht po fitojnë – do t’i bëj konservatorët që t’i kërkojnë Shefqet Krasniqit, apo ndonjë hoxhe tjetër edhe më karizmatik, që t’i përfaqësojë politikisht.

Për fat të keq, mungon çfarëdo dëshire nga pala konservatore që të ndërtojë ura komunikimi me palën liberale. E ndoshta, edhe njerëzit liberalë nuk duan t'i hyjnë diskutimit me konservatorët. Dhe kjo, na çon aty ku historikisht çon mungesa e komunikimit: ndarje.

Deri tash, partitë islamike në Kosovë nuk kanë pasur kurrfarë suksesi meqë tranzicioni vleror ishte në fillet e tij dhe shoqëria dukej e gatshme të ndërronte për aq sa ndërrimi s’nënkuptonte prekjen e privilegjeve, mënyrës së të bërit seks, shërbimeve pa pagesë të gruas, e kështu me radhë. Por, tashmë ky tranzicion ka arritur në një pikë ku diga që ka frenuar suksesin nuk mban më - e as toleranca ndaj përçmimit nuk mban më - dhe iftarin e vitit 2023 a 2024 nga Shefqet Krasniqi, mund ta shohim si kongres të një partie të madhe.

Lajme të ngjashme