Padije, papërgatitje dhe pak arsye - Çka çoi në dështimin e radhës për marrëveshjen e ndërprerjes së Grevës? - NACIONALE

Padije, papërgatitje dhe pak arsye - Çka çoi në dështimin e radhës për marrëveshjen e ndërprerjes së Grevës?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Më në fund, pak arsye. Por, aq pak sa nuk mjafton! E dëgjova me kurreshtje atë që u tha në Komisionin për Arsim, dhe këto janë përshtypjet e mia krejt të sinqerta.

Përveç përfaqësuesve sindikalë dhe përveç deputetëve anëtarë të Komisionit, të pranishëm ishin edhe dy ministra të Qeverisë Kurti II: Arbërie Nagavci dhe Hekuran Murati. Kjo ndërtoi një farë pritjeje se diçka e rëndësishme mund të ndodhte. Por, nuk ndodhi ashtu.

Është për t’u çmuar përpjekja e kryetarit të Komisionit, z. Ardian Gola, për të mos lejuar diskutime të politizuara dhe provokuese. Në anën tjetër, është për t'u çmuar edhe fjalori i përshtatshëm dhe brenda kufijve të gjuhës parlamentare nga ana e përfaqësuesve sindikalë. Por, kishte një numër të madh telashesh tjera.

Dimal Basha bën 'ligjin'

Megjithatë, ishte e pakuptueshme marrëveshja që ai (e ndoshta edhe deputetët tjerë anëtarë) kishin bërë me SBAShK-un që të mos lejohej fjala e deputetëve tjerë jo-anëtarë.

Eman Rrahmani i Vetëvendosjes ishte i pranishëm dhe tha se kishte propozime konkrete për të ofruar. Por, ai u hidhërua nga Gola dhe sindikalistët dhe më pas nuk foli. E kuptoj që shfaqja e Dimal Bashës para disa ditësh ishte e shëmtuar, por nuk do të duhej që sjellja e keqe e një deputeti të krijonte precedente absurde që shkelin të drejtat e deputetëve. Nuk duhej lejuar Dimal Basha që me sjellje të keqe të çdemokratizonte punën e deputetëve tjerë.

Njëra ministre lutet, tjetri ministër provokon

Meqë nuk ishin të përgatitur dhe meqë duket se nuk ishin të autorizuar nga shefi i tyre (Albin Kurti) për të bërë ndonjë propozim, dy ministrat e pranishëm ishin të pranishëm në Komision vetëm fizikisht.

Arbërie Nagavci luti sindikalistët që procesi mësimor të fillonte, ndërsa Hekuran Murati provokoi Ymer Ymerin (për bindjet e tij partiake) dhe arbitrarisht shtyu përpara rrëfimin e çalë të Qeverisë së Kosovës.

Asnjëri nuk doli përtej këtij rrëfimi, duke u treguar si thjesht dhe vetëm dy ‘pengje’ tjera të kryeministrit të Kosovës.

PDK-ja e papërgatitur

Dy deputetët e PDK-së, Ardian Kastrati dhe Eliza Hoxha, thanë se kishin pritur një propozim të ri në këtë komision kur ishin ftuar për të marrë pjesë.

Natyrisht, detyrimi për të zgjidhur problemin i takon Qeverisë së Kosovës, por askush nuk ndalon as deputetët e Kuvendit që të ofrojnë propozimet e tyre.

Madje, të dy shiheshin derisa luanin me telefon dhe bënin grimasa fytyre që nuk tregonin shqetësim të sinqertë për problemin.

Matoshi?

Deputetja Ardiana Matoshi si anëtare e këtij komisioni u tregua thellësisht e padijshme. Ajo pyeti pse nuk ishte mbajtur greva në korrik apo gusht por po mbahej në shtator.

“Po de, pse po keshë?” – pyeti ajo dikë që po qeshte me të drejtë me naivitetin e saj.

Ajo zbuloi që nuk kuptonte qëllimin e grevës, e nëse kjo nuk mund të pritet prej saj, e dëshmoi edhe që nuk e dinte se kur kishte nisur greva (25 gusht).

Një propozim

Një propozim për të dalë nga qorrsokaku e ofroi Ardian Gola. Ai kërkoi që mësimdhënësit të mos vendosnin notat në ditarë si mjet sindikal, por të nisnin mësimin.

Atij iu premtua nga përfaqësuesit e sindikatës se do ta diskutonin me anëtarësinë, dhe madje u ftua të merrte pjesë për t’i dëgjuar edhe vetë qëndrimet e tyre.

Pra, nuk pritet që të ketë fare konsideratë për propozimin e deputet Golës duke qenë se qëllimi është thjesht të nis procesi mësimor me Qeverinë krejtësisht të papërgatitur për të lëshuar pe.

Paraprakisht, ministri Hekuran Murati pa ndonjë provë ishte shprehur se oferta e Qeverisë as nuk ishte diskutuar nga sindikalistët me anëtarësinë, pretendim që u hodh poshtë menjëherë nga ana e nënkryetarit të SBAShK-ut z. Ymer Ymeri.

Lajme të ngjashme