Përplasja e policisë në Mitrovicë të Veriut, ‘përplas’ autoritetet në Prishtinë - NACIONALE

Përplasja e policisë në Mitrovicë të Veriut, ‘përplas’ autoritetet në Prishtinë

4 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Policia e Kosovës u bë edhe njëherë, cak i sulmeve në veri.

Gjatë natës së 16 korrikut, ata që dyshohen për kontrabandë, lanë të lënduar 5 policë, e të dëmtuar një veturë zyrtare të policisë.

Pas kësaj, policia arriti ta fusë situatën në kontroll e t’i arrestojë të dyshuarit.

Por, situata jashtë kontrollit doli menjëherë pas aktit të arrestimit.

Policia e Kosovës, Prokuroria e Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u përfshinë në një përplasje publike, duke ia hedhur "topin" njëri-tjetrit e duke akuzuar njëri-tjetrin për mospunë, përkatësisht për përzierje kompetencash.

Si u përplasën publikisht këto tri organe shtetërore – kush i përziu komeptencat?

Menjëherë të nesërmen e ngjarjes në Leposaviq, ishte një reagim i Ministrit Sveçla që zgjoi vëmendjen e të gjithëve e që e nisi këtë përplasje publike.

Ministri, në një status në Facebook, akuzoi drejtpërdrejt prokurorinë për mospunë, e neglizhim të rastit ku u sulmuan policët.

Krimi i organizuar zhvillohet kur organet e rendit dhe drejtësisë hezitojnë. Kohët e fundit, Policia e Kosovës, në çdo orë të ditës e të natës, ka qenë në krye të detyrës për sigurimin e rendit dhe luftën ndaj kontrabandës. Për ta kryer detyrimin, policëve tanë u duhet të rrezikojnë edhe jetën. Në rastin e natës së shkuar, pas sulmit të kryer prej kontrabandistëve mbi patrullën e policisë, policët tanë e kryen më së miri operacionin. Të dy kontrabanduesit u ndaluan. Por u desh edhe ndërhyrja e njësisë speciale për kthimin e tyre. 5 nga policët u lënduan dhe dy prej veturave të policisë u dëmtuan. Zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuria nuk u përgjigj pozitivisht. Ndërkohë, prokurorja e prokurorisë themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë. Ndaj po shpreh edhe një herë tjetër bindjen time të thellë. Hezitimi për të vepruar i organeve të drejtësisë, përkthehet automatikisht në fuqizim të kriminelëve dhe rritje të vetëbesimit tek ta.

Ky reagimi i ministrit Sveçla, nuk mbeti pa përgjigje.

Prokuroria Speciale e Kosovës iu kundërpërgjigj kësaj deklarate të Sveçlës, duke sqaruar sipas tyre përzirjen e kompetencave e moskomunikimin e duhur zyrtar të policisë me ta, madje edhe duke ia përmendur emrin vetë ministrit Sveçla.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, në lidhje me deklarimet e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, për rastin e sulmit të policëve në Leposaviq, njofton opinionin publik se deklarimi i z. Sveçla që “Zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht”, nuk paraqet pasqyrën e saktë të ngjarjes në kontekstin ligjor, për faktin se kompetenca lëndore e prokurorisë, në rastin konkret, kompetenca e veçantë dhe plotësuese e PSRK-së për hetimin e rasteve, është e përcaktuar qartë me ligj dhe nuk është në diskrecion të policisë apo zyrtarëve të Qeverisë që të përcaktojnë se cilat raste duhet të hetohen nga PSRK-ja dhe cilat nga prokuroritë themelore”, ishte ky një reagim i paprecedent, ku prokuroria i bën me dije një vartësi të qeverisë, se nuk është detyrë e tij të përcaktojë kompetencat e organit të ndjekjes.

Reagimi i Prokurorisë Speciale, shkoi edhe më thellë në sqarime, duke “akuzuar” policinë se nuk kishin ndjekur vijën e duhur të komunikimit me ta.

Për korrektësi, ju njoftojmë se për këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka ndjekur vijën e rregullt të komunikimit zyrtar të përcaktuar për rastet e hetimeve – komunikimin me prokurorin kujdestar, por ka komunikuar me prokurorin përgjegjës për terrorizëm në PSRK, i cili pasi ka marrë informatat nga policia, ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente terrorizmi, dhe të njëjtit i udhëzon që nëse nga veprimet e mëtejme të policisë mund të rezultojë se ka elemente të terrorizmit, të njoftohet prokurori kujdestar në PSRK”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Çka ndodhi në Leposaviq?

Në fshatin Jashanicë, Komuna e Leposaviçit, natën e 16 korrikut, një kamion dhe dy vetura ia kishin mësyrë Kosovës.

Dyshohet se bëhet fjalë për kontrabandues, të cilët në kamion mbanin mallin, e veturat përdoreshin për ta “sguruar” terenin.

Kur këtyre u doli përballë Policia e Kosovës për t’i ndaluar e kontrolluar, ata nuk u ndalën. Përkundrazi, rezistuan.

Madje në rezistencë e sipër, tashmë të dyshuarit, përdorën kamionin për ta sulmuar policinë.

Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura, dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për t'u ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen”, thuhej në komunikatën për medie të policisë.

Policia më pas i arrestoi dy nga të dyshuarit.

Edhe pse u shkaktua një në mes organeve të drejtësisë, megjithatë më në fund, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, departamenti për Krime Të Rënda, të dyshuarin e natës së 16 korrikut e ngarkoi me akuzat “Vrasja në tentativë” , “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare” si dhe “Kontrabandim i mallrave”, duke i kërkuar kështu Gjykatës Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për të dyshuarin A.D..

Lajme të ngjashme